E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe sondazhi i Gallup: Korrupsioni është rritur ndjeshëm për një vitNga Tema Pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International, një tjetër sondazh i kompanisë prestigjioze, Gallup, tregon se korrupsio

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Edhe sondazhi i Gallup: Korrupsioni është rritur ndjeshëm për një vitNga Tema

Pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International, një tjetër sondazh i kompanisë prestigjioze, Gallup, tregon se korrupsioni në Shqipëri ka përmasa të frikshme.

Gallup publikon rregullisht një sondazh të quajtur Balkan Monitor që synon të japë një panoramë të asaj se çfarë mendojnë banorët e Ballkanit Perëndimor, rajonit më të nxehtë dhe më të prapambetur në Evropë.

Sondazhi realizohet në bashkëpunim me Fondin Evropian për Ballkanin. Vetë BE është e interesuar në këtë mënyrë që të krijojë një opinion në lidhje me atë çka mendojnë banorët e Ballkanit për gjendjen dhe perspektivat e tyre.

Gjatë prezantimit të këtij sondazhi në Bruksel, zyrtarë të lartë kanë bërë thirrje që Ballkani të anëtarësohet sa më shpejt në BE, për shkak se është një bombë me sahat.

Më të korruptuar se vjet

“Shqipëria: Të kënaqur me jetën, të kënaqur me BE, por do të ishin të lumtur, nëse do largoheshin nga vendi”. Me këtë titull nis përmbledhja e sondazhit për Shqipërinë.

Por më e rëndësishme është se janë 52% e shqiptarëve që kanë dhënë një ryshfet vitin e kaluar, shifra më e lartë në Ballkan.

Një vit më parë numri i atyre që duhet të paguanin ryshfet ishte më i ulët, vetëm 32%.

Por këtë vit vihet re se shqiptarët janë më të kënaqur me standardet e jetesës, por studiuesit e Gallup shprehen të habitur, sepse kjo duket se kontraston me faktin se numri i shqiptarëve që duan të largohen nga vendi është shumë i madh, më i larti në rajon, dhe në rritje në krahasim me vitin e kaluar.

Gjithashtu ata thonë se dëshira e madhe për anëtarësim në BE dhe pritshmëritë e tyre nga ky anëtarësim tregojnë dhe problemet, me të cilat përballen shqiptarët.

“Megjithatë, ajo çka presin njerëzit pas anëtarësimit të mundshëm në BE hedh dritë dhe mbi problemet më akute në vend: njerëzit mendojnë se anëtarësimi do të sjellë udhëtim lirshëm, më shumë siguri dhe më një zbatim më të fortë të ligjit. Kjo reflektohet dhe te të dhënat për korrupsionin - 52% e shqiptarëve duhet të paguanin një ryshfet vitin e kaluar, shifra më e lartë në Ballkan”, - thuhet në sondazh.

Sondazhi i Gallup vjen një ditë pasi Transparency International publikoi një sondazh, ku vendi ynë renditej dhjetë vende më poshtë se një vit më parë.

“Beteja antikorrupsion mbetet një sfidë për qeverinë, parlamentin, gjyqësorin, agjencitë e zbatimit të ligjit, medien e pavarur dhe shoqërinë civile - në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Zbatimi i strategjisë antikorrupsion nga ana e qeverisë, reformimi i gjyqësorit dhe dalja nga apatia e mosndëshkimit ligjor të rasteve korruptive janë sfidë serioze për politikën dhe pushtetin gjyqësor në vend. Transparenca e financave të partive politike mbetet një problem veçanërisht serioz për funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Çështjet ku supozohet se ka korrupsion janë një sfidë për pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqësorit”, - thuhej në deklaratën e Transparency International.

Gallup Balkan Monitor

2009

Shqipëria: Të kënaqur me jetën, të kënaqur me BE, por do të ishin të lumtur, nëse do largoheshin nga vendi

Shqipëria duket se është surpriza e radhës në këtë valë sondazhi: rezultatet treguan një ndjenjë në përmirësim e sipër në shumë fusha si ajo e standardeve të jetesës apo identifikimi me lidershipin politik.

Pavarësisht krizës financiare, të kënaqurit me standardet e jetesës janë rritur me 10% nga një vit më parë dhe tashmë kjo përqindje është 54, një nga më të lartat në rajon.

Mbështetja e shqiptarëve për hyrjen në BE është rritur akoma më shumë, duke arritur në 88%, së bashku me Kosovën kjo është shifra më e lartë e regjistruar në rajon.

Megjithatë, ajo çka presin njerëzit pas anëtarësimit të mundshëm në BE hedh dritë dhe mbi problemet më akute në vend: njerëzit mendojnë se anëtarësimi do të sjellë udhëtim lirshëm, më shumë siguri dhe më një zbatim më të fortë të ligjit. Kjo reflektohet dhe te të dhënat për korrupsionin - 52% e shqiptarëve duhet të paguanin një ryshfet vitin e kaluar, shifra më e lartë në Ballkan.

Nga ana tjetër, niveli i korrupsionit në botën e biznesit vlerësohet si ndër më të ulëtit në rajon dhe të pyeturit shprehen se ata janë më pak të prekur nga krimi i organizuar.

Një tendencë pozitive në opinionin publik shqiptar është identifikimi në rritje me klasën politike: 63% thonë se ka një parti ose një politikan që përfaqëson plotësisht këndvështrimet e tyre politike - më e larta në rajon dhe me një rritje të ndjeshme nga 43% që ishte në vitin 2006.

Mbështetja për qeverinë megjithatë mbetet mikse: ndërsa 40% thonë se qeveria po bën punë të mirë ose shumë të mirë, 30% thonë se puna e saj është e dobët.

Kjo kënaqësi relative e shqiptarëve duhet parë në perspektivën e numrit të lartë të njerëzve që shohin mundësi më të mëdha jashtë vendit të tyre (64%) dhe e atyre që duan të largohen nga vendi (38%, në rritje nga 32% në vitin 2006). Pak a shumë 4 në 10 shqiptarë (41%), raportuan se anëtarë të familjes kanë lënë vendin gjatë pesë viteve të shkuara - niveli më i lartë i migracionit në rajon.

Gallup Balkan Monitor

2008

Shqipëria: Mbështetëse ndaj BE, të kënaqur të lënë vendin

Shqiptarët besojnë se vendi i tyre do të mirëpritet nga BE si një vend i ri anëtar. Bashkimi Evropian, në fakt, është parë të ketë një ndikim të fortë: shumica e shqiptarëve besonin në institucionet e BE dhe 83% besonin se anëtarësimi në BE do të ishte i mirë për Shqipërinë. Ryshfeti ndaj nëpunësve qeveritarë dhe punonjësve civilë u raportua të ishte nga më të lartët në rajon me një të tretën e të intervistuarve që u ishte dashur të paguanin një ryshfet në vitin përpara vëzhgimit. Vetëm 29% besonin se qeveria po bënte diçka për këtë. Shqiptarët dukej të ishin populli më i lëvizshëm i rajonit, me mbi dy të pestat e të intervistuarve që pohonin se kishin një anëtar të familjes që punonte apo studionte jashtë. Mbi një e treta e shqiptarëve thanë se donin të iknin nga vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›