Edhe studentët, peticion kundër grevës së urisë
Rreth 7000 studentë kanë firmosur peticionin
Këshilli Kombëtar Studentor (KKS), prej dy ditësh ka iniciuar një peticion të studentëve shqiptarë në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit kundër grevës së opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që sipas tyre, po dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Me anë të një deklarate për shtyp, kryetarit i KKS-së, Qamil Dika, theksoi se “Mos pengoni ëndrrën tonë për të lëvizur të lirë në hapësirën europiane. Mos vononi procesin e pandalshëm të integrimit të Shqipërisë në BE dhe vlerave që ajo përfaqëson . studentët me firmat e tyre po dëshmojnë që iniciativat e opozitës janë të pashpresa dhe të papërgjegjshme".
Sipas Dikës, "deri tani janë plot 7000 studentë, që kanë firmosur peticionin, ku i bëjnë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetar i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të mos pengojë ëndrrën e të rinjve shqiptarë për të udhëtuar të lirë nëpër Europë. Mos pengoni lëvizjen e lirë të studentëve dhe të çdo shqiptari tjetër. Mos u mundoni me tentativa të panumërta të pengoni procesin e pandalshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vlerat që ajo përfaqëson”, shkruhej në peticionin e studentëve
Sipas KKS-së, ky peticion do të vazhdojë të firmoset nga studentët edhe në ditët në vazhdim.