Mos na thoni që Erion Veliaj bërtet edhe pas 18 ditësh grevë urie
E pabesueshme, por e vërtetë. Fiziologjikisht Erion Veliaj edhe pse është në 18-ditëshin e grevës pabukse e ka gojëtarinë bilbil me një retorikë plot anafora dhe aliteracione të njëpasnjëshme. Edhe pse nuk mund të them të njëjtën gjë për përmbajtjen cerebrale të retorikës. Afërmendsh do të ishte një teknikë komunikimi e thjeshtë dhe efikase po të mos ishte delegjitimuar nga energjia dinamike dhe shpërthyese e një njeriu që ka 18 ditë që nuk ka ngrenë, nga agjërimi sepse s’ka vënë asgjë në gojë. Ai as mërzitet shumë nga pritja e gjatë, nga kërkesat e vazhdueshme, nga vështirësitë e shumta të grevës etj., as nuk e humbet durimin e qëndresën; as thyhet shpirtërisht. Ai e lëshon veten veç kur duhet e nga arsye që s’ngjajnë me ato të zakonshmet. Ndofta Erion Velinë e lodh një udhëtim i gjatë, një sëmundje aziatike, një gjendje e rëndë shpirtërore, por jo greva e ditës së 18-të e urisë. Ndofta Erion Velinë e lodh puna (rruga). Ndofta e lodhin studimet. E ndofta ia lodhin krahët kazma ndaj shteti të së drejtës, po assesi greva e urisë.
është një mrekulli, që vetëm plaku 82 vjeçar indian Prahlad Jani ia ka dalë të agjërojë prej 74 vitesh.
Agjërimi është një praktikë e lashtë me përmbajtje polisemike. është rruga e purifikimit fizik dhe psikik për disa, siç është rasti i urtësisë mjekësore indiane dhe kineze. Dhe shkollat më të fundit higjeniste flasin për një agjërim si një terapi për shumë probleme, nga metabolizmi i dobët e deri tek veset alimentare, por jo vetëm.
Gjithsesi është legale dhe e nevojshme nëse gjithçka përcaktohet nga receta e mjekut. Kurse agjërimet politike kanë shijen e një shantazhi, çka i bën të jenë të dhunshme. Në Oksident, më shumë se 10 përqind e adoleshentëve vuan nga problemet alimentare dhe ku një në 10 prej tyre, është anoreksik dhe vdes urie. Prandaj lipset që aspirant-liderët e së ardhmes së largët të japin shembuj më të moderuar sesa ekstremitetet e një çadre. Greva e urisë së opozitës shqiptare është sfidë e mbyllur ndaj qeverisë, një shantazh kompleks për të lëshuar nga pozicionet e saj, të mbrojtura aq mirë me ligj, saqë s’po shfaqet qoftë edhe një ndërhyrje miqësore ndërkombëtare, që të kërkojë lëvizjen nga pozicioni. Greva e urisë së opozitës jashtë-parlamentare ka brenda delirin e madhështisë, sepse ushqehet me arrogancën ndaj vetes, me fajësimin e të tjerëve, si dhe narcizizmin se mund të arrihet gjithçka, duke mbetur në pozicione mediatike shantazhuese. Të përdorësh trupin e njeriut si një plumb, si një megafon për të provokuar dhe marrë diçka, me çdo kush dhe me çdo mënyrë, duke u nisur nga një paragjykim si “krimi elektoral”, apriori të vendos në pozitat e “shahit-martirit”, që degdiset kamikaz.
Në këtë kuadër, edhe neofiti eremit Erion Veliaj, të lë me gojëhapur sesi ky riosh pas plot 18 ditësh nuk e ka kapur lodhja, raskapitja e mundimi i stomakut të rrudhur nga pangrënia, por shfaqet ekzibicionist më i galvanizuar, më shumë se kurrë kutërbon të luftojë mullinjtë e erës. Mirëpo ku e gjen gjithë këtë energji dinamike ky super-njeri pas 18 ditësh agjërim permanent? Thagmë e madhe. Një gjë është e sigurt energjia ka nevojë për një burim që të ushqehet pasi edhe zjarri pa dru fiket. Thjesht nuk ka takat të qëndrojë konstante në ekzistencën qenësore.