Edhe studimi i fizibilitetit sui generis dhe me fusnotë
Studimi i fizibilitetit që Komisioni Evropian do ta bëjë për Kosovën nuk është historik, por nuk është as i parëndësishëm. Rreziku është që, për shkak të fusnotës dhe pranimit të Kosovës që të mos trajtohet si shtet i pavarur, edhe ky studim fizibiliteti të kërkojë rrugë për raportet e Kosovës me BE-në pa e trajtuar Kosovën si shtet. Prandaj, nuk mund të përjashtohet që edhe ky studim, e ndoshta edhe MSA-ja, të jenë me fusnotë dhe një lloj sui generis, çfarë është Kosova
Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Stefan Fule, do të qëndroj në Kosovë këtë javë për të mbajtur një fjalim në një Këshill Kombëtar për Integrime Evropiane dhe për të bërë, siç thuhet, nisjen e studimit të fizibilitetit. Edhe kjo vizitë është vazhdimësi e përpjekjeve të përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe të Komisionit Evropian për të lënë përshtypjen se, në kohën kur Serbia mori statusin e kandidatit, edhe Kosovës iu hapën dyert e BE-së. Fule është njëri prej personave i cili edhe publikisht thotë se Serbia dhe Kosova do të ecin ose do të ndalen bashkë, edhe pse nivelet në të cilat janë këto dy shtete në raportet me BE-në janë shumë larg njëra-tjetrës; Serbia tashmë ka statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosovës vetëm i është premtuar se do ti bëhet një studim i fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Se çfarë ka arritur Serbia, tashmë shihet. Pa pasur nevojë të heqë dorë nga qëndrimi i saj ndaj Kosovës, madje me garanci të BE-së se do të respektohet në dialog edhe Kushtetuta e Serbisë, e cila Kosovën e përmend si pjesë të Serbisë, Beogradi arriti që prej nisjes së dialogut deri më sot ti kalojë të gjitha shkallët nga aplikimi për anëtarësim deri te pranimi formal i statusit të vendit kandidat për anëtarësim. Kosova, në anën tjetër, hoqi dorë nga përdorimi i emërtimit të saj kushtetues dhe pranoi që të figurojë vetëm si Kosovë dhe këtë madje edhe me një fusnotë, përmbajtja e së cilës është, sipas propozimit të Serbisë. Si dëmshpërblim Kosova mori disa premtime për nisjen e disa dialogëve dhe të disa studimeve, të gjitha pa ndonjë garanci të qartë se çfarë do të jenë dhe si do të mund të përmbyllen. Kosova për shkak të dialogut humbi edhe nisjen më të hershme të procesit të liberalizimit të vizave. Tash si shpërblim për koncesionet në dialog Kosova do të marrë një udhërrëfyes me 2 vjet vonesë, përmbajtja e të cilit do të jetë me kushte shumë më të vështira për tu realizuar nga Kosova për liberalizimin e vizave, sesa që ishin në rastet e vendeve të tjera të rajonit. E këto vende të rajonit tashmë kanë harruar se kur u janë hequr vizat.
Kosovës i është premtuar tash një studim fizibiliteti që Komisioni Evropian do tia bëjë për të parë nëse ekzistojnë mundësitë që mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian të ketë një Marrëveshje Stabilizim Asociimi. Studime të fizibilitetit për MSA-në ka pasur edhe në rastet e vendeve të tjera të rajonit, madje në rastet e disave prej tyre kjo është bërë qysh në shekullin e kaluar. Por asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë nisje spektakolare të punës të këtij studimi dhe që në nisjen e tij të marrë0 pjesë personalisht një komisioner i BE-së. Por në rastin e Kosovës është qartë se përmbajtja nuk është e rëndësishme, por simbolika. Porosia politike se Kosova i ka dyert të hapura për BE-në është ajo që komisioneri Fule dëshiron ta dërgojë në Kosovë.
Kosova pranoi të mos trajtohet si shtet
Studimi i fizibilitetit që Komisioni Evropian do ta bëjë për Kosovën nuk është historik, por nuk është as i parëndësishëm. Rreziku është që, për shkak të fusnotës dhe pranimit të Kosovës që të mos trajtohet si shtet i pavarur, edhe ky studim fizibiliteti të kërkojë rrugë për raportet e Kosovës me BE-në pa e trajtuar Kosovën si shtet. Prandaj, nuk mund të përjashtohet që edhe ky studim, e ndoshta edhe MSA-ja, të jenë me fusnotë dhe një lloj sui generis, çfarë është Kosova.
Studimi i fizibilitetit do të duhej tu jepte përgjigjen disa pyetjeve: A është fizibile (e realizueshme) që Kosova të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, a i ka Kosova kapacitetet administrative për të negociuar marrëveshjen dhe e ka zbatuar atë në praktikë.
Nëse Kosova trajtohet si të gjitha shtetet e tjera të rajonit, siç mundohen të na bindin zyrtarët e qeverisë dhe Presidentja e Kosovës, atëherë edhe para se të nisë puna në këtë studim përgjigjja nga ana e BE-së do të ishte jo. Pra Kosova nuk mund të ketë të njëjtën marrëveshje SAA me BE-në çfarë kanë shtetet e tjera të rajonit. Në rastin e shteteve të tjera të rajonit, MSA-ja është negociuar, nënshkruar dhe ratifikuar nga një shtet i rajonit, në njërën anë, dhe BE-ja me shtetet e saj anëtare, nga ana tjetër. Të gjitha shtetet e kanë nënshkruar atë marrëveshje me emërtimet e tyre zyrtar dhe si shtete të pavarura. Pasi ajo Marrëveshje ka edhe fuqinë e një marrëveshjeje multilaterale ndërqeveritare, me Kosovën pa njohjen e 5 vendeve anëtare, BE-ja nuk mund të nënshkruajë marrëveshje të tillë. Këtu tash qëndron edhe rreziku për Kosovën. Mund të ndodhë që në BE të tentojnë të gjejnë rrugë për të arritur një Marrëveshje SAA me Kosovën të cilën nuk do të duhet fare ta nënshkruajnë vendet anëtare, por do të futej si një kompetencë evropiane. Në këtë mënyrë Kosova nuk do të trajtohej si Mali i Zi, Shqipëria apo ndonjë shtet tjetër, por më shumë si Tajvani, Autoritetet Palestineze apo ndonjë territor tjetër me status të panjohur shtetëror.
Në BE nisen nga presupozimi se Kosova tashmë e ka pranuar një trajtim të tillë, sepse ka pranuar që në nismat rajonale të marrë pjesë dhe të nënshkruaj dokumente me fusnotë që e bën atë të jetë pothuajse e njëjtë, por pak ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë. Të tjerët do të jenë pak më të barabartë sesa Kosova!
Ky trajtim i tillë do të ketë disa pasoja afatmesme dhe afatgjata për Kosovën. E para është se BE-ja do ta trajtojë për një kohë të pacaktuar Kosovën ashtu siç kërkon dhe pranon Beogradi. Kjo është dorëzim i Kosovës dhe i 22 shteteve të BE-së para Serbisë dhe 5 shteteve e tjera të BE-së.
Pasoja tjetër do të jetë se në vend që të ndjekin rrugët e njohura deri tash në procesin e zgjerimit të BE-së, institucionet në Bruksel do të kërkojnë gjithmonë diçka të veçantë për Kosovën. MSA-ja vetvetiu edhe nuk është aq e rëndësishme, por rëndësinë më të madhe e ka si etapë për anëtarësim në BE më vonë. Pra, edhe nëse mund të gjendet disi një model për ndonjë MSA me fusnotë, pa nevojën që ajo të nënshkruhet nga shtetet anëtare (për të evituar veton e dikujt) Kosovën e pret rruga e zgjerimit ku secili shtet në më shumë se 72 raste ka mundësi vetoje. Nuk ka gjasa që kjo të ndryshojë në të ardhmen, sepse vendet si Gjermania dhe Franca, por edhe shumë vende të tjera, nuk dëshirojnë të humbin mundësinë që, nëse duan, ta bllokojnë për shembull anëtarësimin e Turqisë. E kur ekzistojnë rregullat në zgjerim ato nuk mund të mos zbatohen në rastin e Kosovës.
Kompromiset me Serbinë, më të lehta sesa reformat e brendshme
Kosov
