E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatë qeveritare kundër zgjedhjeve të lira

Share

Nga Mero Baze

Administrata e zgjedhjeve në Shqipëri dhe përfaqësues të pushtetit po përpiqen të përgatisin opinionin për një standard sërish të diskutueshëm të zgjedhjeve të vitit 2013. Kryetari i KQZ, Arben Ristani tha një ditë më parë në një tryezë rreth reformës zgjedhore,  se objektivi për zgjedhje të lira dhe të ndershme është afatgjatë, ndërsa zgjedhjet e vitit 2013 nuk pritet të jenë të tilla, por do të jenë më të mirat e radhës. Kjo parapërgatitje psikologjike për standardin e diskutueshëm të zgjedhjeve, në të vërtetë është mentaliteti i mandatit të tretë, që Berisha po përpiqet të ngulitë tek gjithë administrata e tij. Të përfshirë në spiralen e panikut nga humbja e mundshme e pushtetit, administrata e Berishës po inkurajohet pikërisht me teorinë e rrëmbimit të radhës. Në bisedat e tyre apo dhe komentet rreth shanseve për fitore apo humbje të zgjedhjeve, po zë vend gjithnjë e më shumë fjalia do ta marrim dhe kësaj radhe dhe po e rrëmbyem, herë e fundit është, fjali standarde që duket se inkurajohen nga fryma e mbajtjes së pushtetit me çdo çmim.

Deklarata e Ristanit nuk është marrë seriozisht për shkak të mos marrjes seriozisht të profilit të tij, por në të vërtetë ajo është ilustrim i mentalitetit për të përgatitur opinionin për një fitore me çdo çmim dhe në këto zgjedhje.

Është kjo arsyeja që reforma zgjedhore e rekomanduar nga OSBE-ja po përfundon vetëm me dy ndryshime të konsiderueshme, që janë lexuesit e kartave të identitetit dhe numërimi i mundshëm elektronik i fletëve të votimit dhe po refuzohen gjithë propozimet e tjera. Por mbi të gjitha po shmanget kërkesa themelore e opozitës, ndryshimi i KQZ dhe largimi prej saj i Arben Ristanit, të cilin opozita e konsideron përgjegjës sidomos për mënyrën se si dirigjoi grabitjen e mandatit të Tiranës.

Edhe pse argumentet përse duhet të largohet Arben Ristani janë të pafundme nga opozita, mendoj se ajo që ka rëndësi është që në administratën zgjedhore të demonstrohet mosinkurajimi i drejtuesve simbol të manipulimit të zgjedhjeve. Arben Ristani mund ta ketë bërë me qejf apo pa qejf atë skandal që bëri, mund të jetë shpërblyer apo premtuar për shpërblim, por dhe mund të mos ia kenë quajtur nder fare, pasi në thelb procesin e drejtoi Berisha, por përdorimi i tij si figurë dekurajuese për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një rol i ndyrë i pushtetit që duhet të zhbëhet. Është kjo kryearsyeja përse opozita duhet të kërkojë dhe të vendosë kusht të panegociueshëm jo vetëm shkarkimin e tij, por dhe pezullimin e përfaqësimit publik prej tij të institucionit të zgjedhjeve. Kjo është një mënyrë për të vrarë frikën se përsëritja e formulës që këto zgjedhje ishin më të mira se paraardhëset do të mbijë përsëri para nesh si një realitet zhgënjyes për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Të gjitha gjestet që pushteti po bën me administratën zgjedhore po shkojnë pikërisht në këtë drejtim. Mospranimi i ndryshimit të zonave zgjedhore, duke barazuar mandatet në çdo zonë zgjedhore, bëhet vetëm për të dekurajuar opozitën dhe për ti treguar se vota e një votuesi në Kukës do ketë dhjetë herë më shumë vlerë se vota e një kryeqytetasi. Po ashtu rezistenca për votimin me shenja gishtash bëhet për ta lënë ende opozitën në ankth për votimin pa qenë prezent të emigrantëve, të cilët siç tregoi kutia e hapur në Lezhë kishin votuar në fshat duke qenë në Itali. Veriu i Shqipërisë është përgjithësisht një realitet elektoral dhe jo realitet demografik. Ai është i zbrazur, i varfër dhe i braktisur dhe shërben vetëm si depo votash fiktive për pushtetin ditën e zgjedhjeve nga njerëz që nuk banojnë aty. Përpjekja e pushtetit për të mos barazuar zonat zgjedhore ka të bëjë pikërisht me prishjen e këtij realiteti që u jep atyre tre deri katër mandate në mënyrë artificiale.

Por siç e theksova qysh në fillim, e përbashkëta e asaj që pushteti po tenton të përcjellë përmes reformës zgjedhore, është dekurajimi dhe përhapja e disfatizmit për shanset se në vend do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dikush si Arben Ristani e thotë hapur në prani të ambasadorëve dhe askush nuk reagon. Të tjerë e bëjnë atë përmes refuzimit të kërkesave të opozitës për reformën zgjedhore, edhe pse Berisha dikur ka premtuar se është gati të firmosë çdo kërkesë të opozitës. Më tej vazhdon me mbrojtjen e komisionerëve që vjedhin vota për të mos u dënuar dhe përfundon me ruajtjen e  rezervateve elektorale në veri, edhe pse nuk janë realisht të tilla. Të gjitha gjestet duan të na thonë se edhe këtë radhë do ti vjedhim. Për këtë shkak duhet jo vetëm të sulmohet ky mentalitet, por dhe të veprohet që opozita të marrë fitore konkrete në reformën zgjedhore, ose të marr një vendim përfundimtar për të.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›