Pyetja e Erion Braçes për taksën e fitimeve të biznesit
Gjatë intervistës në Top Story të Edi Ramës me Sokol Ballën , ky i fundit lexoi një pyetje që Erion Braçe e kishte dërguar me Twitter. Pyetja ishte nëse taksa progresive në SHBA zbatohet vetëm mbi të ardhurat personale, apo edhe mbi fitimet e biznesit. Dhe Edi Rama, me të drejtë, tha se Erion Braçe është anëtar i Kryesisë së PS-së dhe mund të diskutonte atje rreth kësaj teme. Por pavarësisht nga mënyra dhe vendi ku diskutojnë socialistët mbi taksën e fitimeve të biznesit në SHBA, për publikun shqiptar vlen të diskutohet mbi këtë temë, meqë socialistët kanë në plan të propozojnë një sistem taksimi të ngjashëm me të SHBA-së.
Ndryshe nga taksa mbi të ardhurat personale, taksa mbi fitimet e biznesit në SHBA, në pamje të parë, është e sheshtë në nivelin 35%. Por në realitet, ky është vetëm tavani i taksës që paguajnë bizneset për fitimet që kanë realizuar. Në Kodin e Taksave të SHBA-së ka me qindra klauzola të ndryshme, të cilat e ulin në realitet barrën e taksës mbi fitimet e bizneseve. Këto mund të jenë klauzola që favorizojnë një sektor apo rajon të caktuar, që favorizojnë krijimin e vendeve të reja të punës, investimet, apo zhvillimin e teknologjive të reja, etj. Për shembull, Senatori Chuck Schumer ka propozuar kohët e fundit një klauzolë të tillë, e cila ndihmon fermat e prodhimit të qumështit. Meqënëse kërkesa për qumësht është rritur në shtetin e tij (New York), si rezultat i suksesit të prodhimit të salcës së kosit nga disa kompani greke që kanë hapur fabrika atje, Senatori Schumer ka propozuar zbutje të taksës së fitimit të fermerëve të qumështit, në qoftë se ata investojnë për shtimin e numrit të lopëve në prodhim.
Ekzistenca e klauzolave të tilla bën që taksa faktike mbi fitimet e biznesit në SHBA të ketë një shkallëzim që shkon nga zero deri në 35%. Në fakt, propozimi i fundit i Presidentit Obama rreth taksës mbi fitimet e biznesit është që tavani i saj të ulet në nivelin 28%, por që të pakësohen ndërkohë edhe klauzolat e shumta që mundësojnë shkallëzimin aktual.
Duke u kthyer tek propozimi i PS-së për shkallëzimin e taksës mbi fitimet e biznesit, është mirë që ajo të ndjekë modelin amerikan (që në fakt, zbatohet edhe në shumicën dërrmuese të vende të tjera të botës). Duke vendosur një tavan të kësaj takse dhe duke ofruar pastaj lehtësira fiskale për sektorë apo rajone të ndryshme të vendit, krijohet mundësia që qeveria të ketë fleksibilitet në politikat e saj zhvillimore. Ndërsa një taksë e sheshtë apo me shkallëzim të ngrirë, vërtet mund të ulë evazionin fiskal, por i heq qeverisë një nga armët më efikase fiskale për të stimuluar sektorët apo rajonet që ajo i konsideron parësorë për zhvillimin e vendit.
Një nga rreziqet e modelit të mësipërm të taksës mbi fitimet e biznesit është ndërhyrja në legjislacionin fiskal në funksion të llogarive elektorale të mazhorancave, dhe jo të nevojave reale të zhvillimit të vendit. Në fakt, historia e të gjitha vendeve të zhvilluara demokrartike na tregon se ato e kanë arritur këtë stad zhvillimi, duke kaluar nëpër rrugën e vështirë të balancimit të interesave elektorale të mazhorancave dhe interesave të zhvillimit të vendit. Kjo është thjesht një nga kostot që duhet të paguajnë vendet që kanë zgjedhur demokracinë si sistem qeverisës…
*respublica.al
