Edhe të vrarët tanë, në luftën italo-greke, presin të kujtohen
Fyhemi, vritemi, injorohemi, përgojohemi, dhe mbi të gjitha harrohemi!Ndoqa me vëmendje të madhe këto ditë, festimet në shtetin grek, në përkujtim të përvjetorit të Luftës Italo- Greke. Shumë mirë që u festua me pompoziet të madh!
Shumë mirë që u kujtuan të gjithë të rënët në luftë! Shumë mirë që pala greke kërkoi me forcë gjetjen e eshtrave të ushtareve të tyre dhe ngritjen e varrezave dhe mirëmbajtjen e tyre. Deri këtu shumë mirë. Shumë mirë që në këtë vit përkujtimirë merrte pjesë edhe ambasadori italian në Greqi. Por zotërinj të nderuar, desha t’ju bëj me dije që në luftën Italo–Greke, kanë marrë pjesë dhe dy batalione shqiptare, përkatësisht “DAJTI” dhe “TOMORRI”. Asnjë fjalë për ta?Heshtje dhe hiç, si gjithë këto vite.Po për ushtarët shqiptarë të vrarë në këtë luftë, ç’po bëhet?
Desha t’i kujtoj z. ambasador të Italisë se eshtrat dhe trupat e ushtarëve italianë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore janë mbledhur në çdo vend të botës dhe janë kthyer në atdhe. Ndërsa trupat e ushtarëve shqiptarë të rënë në luftë, gjenden ende maleve të Greqisë! Janë ushtarë të rekrutuar me forcë nga shteti italian dhe është detyrë e po këtij shteti, të paktën gjetja e trupave të tyre. Desha t’i bëj me dije zotit ambasdor dhe nëpërmjet tij Kryeministrit Italian se fill pas luftës, shteti italian u dënua nga Konventa Botërore për të dëmshpërblyer dëmet në njerëz e materiale.
Kur ka ndodhur kjo?! Kurrë! Para disa vitesh na u kërkua nga Ambasada Italiane në Tiranë paraqitja e dokumenteve për të vrarët tanë në luftë.Pastaj u harruan! Deri kur? Të vdekurit tanë presin të kthehen në atdhe. Të vrarët tanë presin të kujtohen. Ju lutem jepini fund pritjes së tyre. Ju lutem jepini fund makthit tonë. Me respekt Asim Skira, Librazhd.