Mediu po punon që të marrë edhe shefin e tij me vete
Po të vini re detaje të tjera të daljeve publike të Mediut, ato fokusohen rrotull bashkëpunimit të ngushtë me Berishën, në çdo hap të këtij procesi. Ai ka qarkulluar, thuajse publikisht, gjithë hyrje-daljet e djalit të kryeministrit në një periudhë të ngushtë kohore në ministrinë e tij, duke fotokopjuar regjistrin e hyrje-daljeve dhe duke lënë pa censurë kamerat e sigurisë.
Detaje të tilla, që tregojnë se djali i kryeministrit hyn 50 herë në muaj në zyrën e ministrit të Mbrojtjes në një periudhë të caktuar dhe, pasi kryen punë, nuk shkel më aty, të bëjnë të besosh qartë se ka qenë pjesë e një bashkëpunimi të hapur pa doreza për këtë çështje.
Mediu nuk ka pranuar asgjë nga këto publikisht, por mbrojtësit e tij, jo vetëm që e kanë kthyer në objektiv të punës së tyre këtë gjë, por po furnizojnë median dhe opozitën me fakte të tilla, që s’ka pas kush t’i ketë pasur, veç Fatmir Mediut dhe njerëzve të besuar të tij. Kjo tregon se realisht Mediu është duke kërcënuar me takt Berishën, nëse ai e lëshon, kur situata të bëhet më e nxehtë dhe prokuroria të kërkojë çuarjen e tij për gjykim për vepër penale.
Megjithëse është një lojë e pasinqertë dhe, parimisht, Berisha dhe Mediu nuk kanë interes të shesin njëri-tjetrin, shihet qartë që Mediu po bën, në njëfarë mënyre, një përbaltje publike të Berishës, që të shkojnë të dy bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës para procesit.