Edhe teatër në Mitrovicë

Në vitin që e lëmë pas, pas shumë kërkesave të qytetarëve, u riaktivizua kinemaja e Mitrovicës. Është thënë që dita e mërkurë në Mitrovicë, quhet dita e filmit, ngaqë çdo të mërkurë janë dhënë filma të ndryshëm në qendrën e Kulturës Rexhep Mitrovica në Mitrovicë. E gjithë kjo falë bashkëpunimit me Kinemanë ABC në Prishtinë. Ky bashkëpunim në javën e fundit të dhjetorit i solli qytetarëve, për herë të parë mundësin për të parë një film 3 dimenzional.
“Kinemaja është aktivizuar rreth 13 javë më herët, e cila funksionon çdo të mërkurë, ndërsa javën e fundit të vitit 2010 është shfaqur filmi "Sharkboy and Lavagirl" në 3D për herë të parë në Mitrovicë mund të shikohet një film 3Dimensional, syzet 3D, Objektivat 3D, Shiriti Filmik etj.”, u shpreh Artan Osmani, Drejtorit i Kulturës Rinisë dhe Sportit në komunën e Mitrovicës.
Sipas Osmanit, ky bashkëpunim me Kino ABC-në është duke vazhduar dhe besohet që do të ketë edhe në të ardhmen filma në 3D, mirëpo se a do të ketë vazhdimisht nuk dihet ende ngaqë kjo varet edhe nga Kinemaja ABC, pavarësisht që vullneti i Mitrovicasve nuk mungon.
“Qytetarët e Mitrovicës e kanë pritur mjaftë mirë, sepse ka qenë edhe kërkesë e tyre vazhdimisht që të ketë edhe filma 3 Dimenzional, shikueshmëria ka qenë në nivelin e kënaqshëm, vetëm se shikueshmëria ndikohej edhe për shkak të motit të ligë që ka qenë kohën e fundit”, tha ai
Filmi është dhënë në tri termine, ndërsa këtë vit filmi ende nuk është reprizuar ende nuk e dihet se cili film do të jetë në radhë, mirëpo pak a shumë janë filmat e njëjtë me ata të Kino ABC-së, të cilët lëvizin nga Prishtina në Mitrovicë.
Sipas Osmanit, viti që e lëmë pas ishte i suksesshëm dhe mjaftë pozitiv për të rinjtë e Mitrovicës. “Këtë vit pas aktivizimit të kinemasë, e pastaj edhe prurjeve si kjo e filmit 3D ka qenë një impuls pozitiv, për kulturën në vend, edhe të rinjtë e kanë pritur mjaftë mirë, çdo terminë ka pasur shikueshmëri në nivel të kënaqshëm”, tha Osmani.
Mirëpo më e mira është që vitin 2011, përveç kinemasë, në Mitrovicë do të aktivizohet edhe teatri.
“Ne kemi propozuar, dhe në Kuvend Komunal është miratuar buxheti edhe për teatrin e qytetit, dhe shumë shpejt do të fillojmë edhe funksionalizimin e teatrit”, u shpreh Osmani.