E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe yjet e Realit të Madridit mbajnë zi për mbretin Pano

Pragndeshja
Ngushëllime edhe nga presidenti i Realit. Madrilenët, shkollë futbolli në Veri

Duke respektuar kujtimin e Panajot Panos, duke vlerësuar rolin e tij të madh në futbollin shqiptar dhe duke e konsideruar atë një simbol të vlerave të futbollit europian dhe botëror, në ndeshjen Gramozi-Real Madrid është mbajtur një minutë heshtje në kujtim të vlerave dhe kontributit të tij. Të dyja skuadrat të cilat u përballën për turneun “Taçi Oil” përpara fillimit të ndeshjes, kanë mbajtur një minutë heshtje në nder të kampionit të madh. Ndërkohë që më parë, presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, i cili ka shoqëruar për herë të parë skuadrën në një ndeshje miqësore jashtë Spanjës, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse. Pas përshëndetjeve reciproke mes tyre dhe ngushëllimeve për legjendën e futbollit shqiptar, presidenti i Realit bëri të ditur se, ndër të tjera, ka ndërmend të hapë në Shqipëri “një shkollë futbolli në zonat e prekura nga përmbytjet në Veri të Shqipërisë që, nëpërmjet futbollit dhe fanellës së Real Madridit, të ndihmojnë për të përmbushur nevojat parësore që mund të kenë këta fëmijë. Në këto shkolla futbolli, që krijojmë me fondacionin ‘Real Madrid’ janë elementë të solidaritetit dhe ky është një detyrim që ne e ndiejmë si klub”, nënvizoi Perez. Pas akomodimit në hotelin “Sheraton”, trajneri Pelegrini dhe dy yjet e klubit merengues, Ronaldo dhe Kaka, për 30 minuta kanë qenë para mediave shqiptare dhe atyre spanjolle në një konferencë shtypi. “Jam i kënaqur që gjendem në Tiranë, sidomos kur e dimë misionin tonë në ketë ndeshje. Luajmë përballë një ekipi shqiptar dhe ndihem mirë kur mora vesh se të ardhurat e kësaj ndeshjeje, do të shkojnë për të ndihmuar një zonë në Veri të Shqipërisë, e cila ndodhet në vështirësi”, tha Pelegrini. Kristiano Ronaldo u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve shqiptarë, të cilët kishin të bënin me ardhjen e tij të parë në vendin tonë. “Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, t'ju them të drejtën isha mjaft nervoz, pasi patëm një ndeshje të cilën duhet ta fitonim patjetër. Ne ishim në vështirësi atëherë, ndërsa tani është ndryshe, do të luaj me kënaqësi për këtë ndeshje bamirësie”, u shpreh Ronaldo. Kaka, i cili vjen për herë të dytë në Tiranë, shprehet i lumtur që këtu ka shumë fansa dhe që është pjesë e Real Madridit. “Jam shumë i lumtur që kam bërë zgjedhjen më të mirë të jetës sime, të luaj me një klub të madh siç është Reali. Kur erdha herën e parë me Milanin në Tiranë, pashë që shumë njerëz më donin. Tani jam përsëri i lumtur që më duan edhe me fanellën e Real Madridit”, tha Kaka.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›