E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, Gramozi-Real Madrid, fiton blackout-i dhe kaosi

Incidenti
Spanjollët fitojnë 2-1, por incidenti bën bujë në mediat iberike dhe europiane

Skandal në “Qemal Stafa”, Shqipëria tregon një faqe të saj “të zezë”. Pikërisht në një nga ndeshjet që ishte konsideruar si një nga mundësitë ideale për të shitur jo lirë (2.5 milionë euro) imazhin e një Shqipërie ndryshe: në përballjen historike mes Gramozit dhe skuadrës së galaktikëve të Real Madridit, kemi shfaqur një imazh të shëmtuar dhe skandaloz në Europë dhe në botë. Kur bëhej gati të fillonte pjesa e dytë, është ndërprerë energjia elektrike në stadiumin “Qemal Stafa” për një orë e 35 minuta. Sipas burimeve zyrtare është bërë e ditur se bëhej fjalë për një defekt teknik, djegie e kabullit kryesor të rrjetit të brendshëm të stadiumit. “Blackout”-i e ka pushtuar “Qemal Stafën”, duke shkaktuar kaos total në fushë dhe mes rreth 15 mijë tifozëve të pranishëm. Terri mbuloi gjithçka. Pjesa e parë e ndeshjes u luajt me ritëm dhe grintë, teksa qysh në minutën e dytë ka kaluar në epërsi me Xhafajn e Gramozit (i përbërë me lojtarë të spikatur të kampionatit shqiptar). Në fundin e pjesës së parë, Kaka ka barazuar rezultatin. Kështu kanë shkuar në dhomat e zhveshjeve, për pushimin mes dy pjesëve të lojës, por surpriza e hidhur ishte rezervuar në fillimin e pjesës së dytë, kur kanë ikur dritat e stadiumit. Për më shumë se një orë, është kërkuar të merret gjeneratori i Kuvendit të Shqipërisë, për t’u vënë në punë dhe për t’u mundësuar të dyja skuadrave të vijojnë me pjesën e dytë të lojës. Por është dashur ndërhyrja e OSSH-së, me specialistët e saj, që të rikthehet energjia në prozhektorët e stadiumit. Ndërkohë që drejtuesit madrilenë pranuan të prisnin ardhjen e dritave për të vazhduar ndeshjen, duke qëndruar për më shumë se 90 minuta në dhomat e zhveshjes. Ndeshja ka rifilluar në orën 20:30. Në minutën e 79, francezi Benzema shënoi golin e dytë dhe të fitores për Realin. Rezultati 2-1 për madrilenët ishte edhe ai përfundimtar i ndeshjes miqësore, në kuadrin e trofeut “Taçi Oil”. “Blackout”-i bëri bujë në mediat e huaja, sidomos ato spanjolle, prej të cilave pesë televizione ishin të pranishme në “Qemal Stafa” dhe kanë transmetuar direkt skandalin shqiptar. Krimet e Rënda mësohet se kanë hapur hetim, ndërsa drejtori i stadiumit, Perikli Dhales, është në prag të shkarkimit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›