Edi Martini: Kërkojmë kualifikimin në Europian

Kombëtarja e Shqipërisë në mini-futboll ndodhet prej dhjetë ditësh në Ulqin për të zhvilluar fazën përgatitore për eliminatoret e Kampionatit Europian që do të fillojnë më 18 janar. Vendi ynë ndodhet në Grupin A bashkë me Turqinë, Armeninë dhe Finlandën. Takimet do të zhvillohen në Helsinki, kryeqytetin e Finlandës dhe ndeshja e parë për kuqezinjtë e sallës është më 18 janar kundër Turqisë, takim që do të luhet orën 17:15. Ndeshjen e dytë, kombëtarja shqiptare do ta luajë më 19 janar kundër Armenisë në orën 17:15 dhe takimin e tretë kundër vendasve të Finlandës më 21 janar në 15:30. Kuqezinjtë e sallës do të kërkojnë të arrijnë kualifikimin për në Kampionatin Europian dhe për këtë flet vetë trajneri i ekipit, Edi Martini. Ish-sulmuesi shkodran deklaron se skuadra është në formë të mirë dhe do të kërkojë kualifikimin për në Europianm, gjë që nuk do të jetë shumë e lehtë për kuqezinjtë e sallës. "Ne zhvilluam një fazë dhjetë ditore përgatitore në Mal të Zi përpara ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Europian që do të nisin më 18 janar. Në grup kemi Turqinë, Armeninë dhe Finlandën dhe do të kërkojmë kualifikimin për në Europian. Mund të them se nuk do të jetë e lehtë por ne do të bëjmë cështë e mundur në cdo ndeshje për të arritur rezultate pozitive. Ekipi është në formë të mirë por më shqetëson pak dëmtimi i Manastirliut që është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën. Gjatë kohës që ishim në Ulqin zhvilluam edhe dy miqësore me Podgoricën të cilat na shërbyen shumë për të parë formën e skuadrës. Tashmë mendojmë për ndeshjen e parë kundër Turqisë që është kundërshtari i vetëm që kemi në grup që unë personalisht e njoh disi. Besoj se do të arrijmë të marrim ndonjë rezultat pozitiv" përfundoi prononcimin e tij, tekniku i kuqezinjve të sallës, Edi Martini.
Besar Bozgo