E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shutova, në pranverë edhe më të fortë

Shkup, 14 janar – Skuadra e volejbollit Shutova nga Kërcova ka një javë që po përgatitet për stinorin pranveror të kampionatit të volejbollit të Maqedonisë. "I kemi filluar seancat stërvitore dhe po ushtrojmë nga dy herë në ditë. Para dite po stërvitemi në qendrën sportive Krushino, ku po i zhvillojmë përgatitjet fizike. Ndërsa pasdite në sallën sportive të shkollës së mesme të gjimnazit të Kërcovës, po stërvitemi për pjesën taktiko-teknike", është shprehur trajneri i Shutovës, Bejtulla Emini. Ai thotë se ekipi i tij do të jetë i përgatitur maksimalisht për stinorin pranveror. "Presim edhe përforcimet e reja dhe shpresoj se do të jemi një skuadër cilësore në volejbollin e Maqedonisë. Përforcimet ende nuk kanë arritur, ndërsa drejtuesit e klubit janë duke i zhvilluar bisedimet e fundit dhe unë shpresoj se lojtarët që ne po i kërkojmë do të arrijnë në klubin tonë", ka vazhduar ai.
Ndërkohë me 23 shkurt vazhdon kampionati i volejbollit, kurse trajneri i Shutovës planifikon që pak para nisjes së edicionit pranveror të luaj edhe disa takime miqësore.
"Mendoj se do t'i zhvillojmë tri-katër ndeshje me skuadra të forta. Jemi në bisedime të luajmë me ekipe nga Shqipëria dhe Kosova. Në Maqedoni do ta presim Dinamon dhe Studentin, ndërsa ne planifikojmë të udhëtojmë në Kosovë, ku do të përballemi me Mabeteksin e Prishtinës", tha në fund trajneri i Shutovës, Bejtulla Emini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›