Beqaj: “Ndihem sërish i fuqishëm”
Më në fund i rikthyer midis katër shtyllave. Atje ku mungonte prej disa muajsh. Më saktë, prej 169 ditësh (27 mars 2009-14 shtator 2009). Portieri i Kombëtares shqiptar, 34-vjeçari Arjan Beqaj, i rikthyer për herë të parë në stërvitje, më 4 shtator, ka luajtur 90 minuta të plota në fitoren 3-1 të skuadrës së tij qipriote Anorthosis Famagusta kundër Aris Lemosus, të vlefshëm për javën e dytë të kampionatit qipriot, i luajtur të hënën në mbrëmje. Beqaj, aspak fajtor në golin e shënuar nga Aris, u vlerësua si një nga dy lojtarët më të mirë të Anorthosisit (nota 7). Pas miqësores me Doksan, portieri i Kombëtares shqiptare fitoi edhe vendin e tij të zakonshëm te Anorthosis, atë të titullarit. Gjatë një interviste me radion qipriote “Radio Proto”, ndërkombëtari shqiptar i Anorthosis Famagusta, tha se ishte rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i gjatë serioz, dhe se ai ndihet mjaftueshëm i fuqishëm për të ndihmuar ekipin e tij. Beqaj e cilësoi si shumë të rëndësishme fitoren kundër Arisit, duke falënderuar tifozët për mbështetjen e tyre, duke premtuar se Anorthosis shumë shpejt do t’u rikthehet ditëve më të mira të tij. “Ndihem i fuqishëm. Më kishin munguar ndeshjet. Kam punuar shumë fort dhe besoj se shumë shpejt do të rigjej formën time më të mirë. Sigurisht, ishte e vështirë për mua të qëndroja larg fushave për 5-6 muaj, por gjithçka shkoi mirë. Fitorja kundër Arisit ishte shumë e rëndësishme. Edhe pse pësuan gol të parët, arritëm të rimarim veten shpejt, duke treguar një reagim shumë pozitiv e karakter, duke përmbysur rezultatin. Patëm besim në aftësitë tona dhe e menaxhuam mirë situatën. Jemi një ekip i ri dhe kemi nevojë të përshtatemi. Skuadra është përmirësuar dhe shumë shpejt do të jetë në rrugën e saj. Falënderoj njerëzit që na mbështetën kur ne ishim në dizavantazh, duke na dhënë mentaliteti e duhur për të arritur këtë fitore të rëndësishme”, - citohet Beqaj nga faqja qipriote Sigmalive.com.
16 Shtator 2009