Edi Paloka: E majta do qeverisë me dy kabinete - do shkojnë drejt vetëshkatërrimit

Deputeti i PD e sheh të lehtë opozitën përballë mazhorancës, edhe pse kryetari Basha nuk do të jetë në Parlament
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaron se në kabinetin e ri qeverisës nuk kemi një, por dy qeveri, një të Ramës e një të Metës që do të sjellin vetëshkatërrimin e të majtës. Paloka e sheh të lehtë opozitën përballë mazhorancës, ndonëse kryetari Basha nuk është në Parlament. “Me këtë qeveri që do të ketë njëra që do punojë për të rikthyer depozitat, pra qeveria Meta për të rikthyer depozitat që ka harxhuar gjatë zgjedhjeve dhe tjetra që do punojë për hesap të kryeministrit piktor që nuk e di çdo të lyejë këtë herë. Pra është një qeveri që do fillojë të vetëshkatërrohet. Unë do zgjidhja ta lija këtë qeveri të fillonte. Shqiptarët që në një farë mënyre e kanë votuar, të shohin se ç’kanë votuar. Ta shohin vetë me sytë e tyre që çfarë i kanë bërë vetes”- u shpreh deputeti demokrat. Edi Paloka flet për një qeveri të Ramës dhe një qeveri të Metës që nuk do ta kenë të lehtë me njëra-tjetrën, ndaj dhe puna e opozitës do të jetë më e lehtë. “Vetë qeveria është e tillë që do të vetëshkatërrohet që në ditët e para. Ka filluar në fakt, pasi Rama ka hequr dorë pa u bërë ende Kryeministër, nga gjysma e premtimeve që iu ka bërë shqiptarëve. Do kemi dy kabinetet, një i zotit Meta dhe një qeveri tjetër që do të punojë për hesape dhe interesa të Edi Ramës. Kuptohet që nuk mund të këtë dy qeveri që funksionojnë secila sipas qejfit të vet dhe të jenë funksionale”- tha ai.
Ministrat e Ramës janë pa personalitet sipas Palokës, por edhe pa integritetin e duhur.
“Përsa i përket vet ministrave të Ramës, janë thjesht të zgjedhur për të qenë të tillë, ushtarë pa personalitet, me të vetmin qëllim që të kontrollohen lehtësisht nga Rama”.
I mjafton të flasë për Sajmir Tahirin, rivali i tij në zgjedhje që do të jetë ministër i Brendshëm. “Është një njeri me probleme me ligjin, sikurse edhe të dy prindërit e tij.
E kam patur edhe në fushatë dhe mbante rreth vetes nja 30 hajdutë xhepash dhe të gjithëve iu ka premtuar se do t’i bëjë shefa komisariatesh. Sesi do ta zgjidhë është punë për të”- thotë ai.
Opozita do të bëhet pa kryetarin e saj në Kuvend, mangësi, por jo ngërç i pakapërcyeshëm. Këtë zgjidhje caktoi vota e demokratëve vë në dukje anëtari i kryesisë.
Ai thotë se pavarësisht hatërmbetjeve të para pas zgjedhjeve në PD, nuk ka vend për përçarje. Ndonëse humbja e thellë nuk u prit mirë nga Olldashi, Paloka beson se nuk do ka vend për përçarje në grupin demokrat. “Nuk mund të themi që nuk është problem, por përderisa grupi do të ketë kryesinë e tij, mund të drejtohet absolutisht edhe nga një kryetarë që nuk është vetë në parlament. Pastaj kjo është një zgjedhje që e bënë demokratët”. Dhe një objekt sulmi është e majta në Parlament me qeverinë e saj.
Nga ana tjetër ai mendon se kryetari i ri do të jetë gjithëpërfshirës në procesin e zgjedhjes së forumeve të reja. “Duhet që secili ta mbante fjalën. Të dy palët dhanë fjalën që pas zgjedhjeve do të bashkëpunonin dhe unë shpresoj që të ndodhë kështu. Le t’i quajmë ato momentet e para të mërzisë dhe shpresoj që të gjithë të bashkëpunojmë. Kemi një qëllim të përbashkët”- tha Edi Paloka. Lulzim Basha ka bërë të ditur se strukturat e reja të partisë demokratike do të zgjidhen në shtator ndërkohë që ka nisur konsultimet për zgjedhjen e kryetarit të grupit parlamentar.