PD: Ministria e Emigracionit, Rama mashtroi – t’u kërkojë ndjesë 1 milionë shqiptarëve
“Mazhoranca e 23 qershorit u ndërtua mbi mashtrimin dhe se për kryeministër do të kenë një gënjeshtar që si interes të vetëm ka atë personal”
Partia Demokratike deklaroi dje se Edi Rama nuk ka ndërmend të mbajë asnjë premtim që u dha qytetarëve para 23 qershorit, mes shumë të tillave as atë të krijimit të një ministrie të veçante për emigracionin. Ndjesë është më e pakta që mund të kërkojë Edi Rama- tha zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi, në një deklaratë për mediat nga selia blu. Ajo tha gjithashtu se Edi Rama gënjeu publikisht kur tha se nuk e ka bërë një premtim të tillë. “Shqiptaret po e kuptojnë çdo e më shumë se Edi Rama s’ka ndërmend të mbajë asnjë premtim që u dha qytetarëve para 23 qershorit. Mes shume premtimeve prej te cilave ka hequr dore është dhe ngritja e një ministrie të veçantë për emigracionin.
Por jo vetëm kaq, Edi Rama gënjeu publikisht duke deklaruar se nuk e ka premtuar një gjë të tillë. Edi Rama mashtroi në këtë mënyrë rreth 1 milionë qytetarë që punojnë dhe jetojnë jashtë territorit shqiptarë, duke faktuar se për të interesi i vetëm është karrigia kryeministrore dhe jo tu shërbeje qytetarëve. Edi Rama u tha mediave se e kanë ngatërruar me partinë e Çamëve! Partia Demokratike i bën sot publikisht një pyetje zotit Rama. A keni deklaruar ju zoti Rama për gazetat shqiptare të Athinës citoj: “Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të veçantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elementë të spikatur prej emigracionit”?! Më e pakta që mund të bëni sot zoti Rama është tu kërkoni ndjesë emigranteve shqiptarë për talljen dhe fyerjen publike që ju bëtë pa u mandatuar ende si kryeministër. Tu kërkoni ndjesë mediavë që u fyet publikisht kujtesën dhe profesionalizmin e tyre”- tha ajo. Zëdhënësja e PD solli në vëmendje se mazhoranca e 23 qershorit u ndërtua mbi mashtrimin. “Shqiptarët po e kuptojnë çdo ditë se mazhoranca e 23 qershorit u ndërtua mbi mashtrimin dhe se për kryeministër do të kenë një gënjeshtar që si interes të vetëm ka atë personal!”- theksoi zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.