Edi Rama, 10 vjet abuzime me projektin e Unazës së Madhe, luan me interesat e qytetarëve
Deputetja e PD-së Lajla Përnaska
Partia Demokratike ka denoncuar sërish dje mungesën e një Plani Rregullues për Bashkinë e Tiranës, i cili vazhdon t’u sjellë probleme të panumërta qytetarëve, pasi reflekton direkt në mos ndërtimin e Unazës së Madhe dhe njëherazi i jep hapësirë të konsiderueshme shtrirjes abuzive të betonizimit të hapësirave publike. Në këto kushte, kur mungon plotësisht plani rregullues, bëhet edhe i pamundur ndërtimi i Unazës së madhe, projekt ky që ka qenë një nga premtimet më të bujshme të Edi Ramës për qytetarët e Tiranës. Deputetja e Partisë Demokratike Lajla Përnaska gjatë një vizite të saj në zonën e Saukut, tha se Edi Rama lë qëllimisht Tiranën pa plan rregullues dhe si rrjedhojë edhe pa Unazën e madhe, duke luajtur kështu me interesat e qytetarëve.
“Keq qeverisja e Tiranës nga Kryetari ende në fuqi i Bashkisë, preket në çdo cep të saj. Prej 10 vjetësh qytetarët e Tiranës përballen me një problematikë komplekse të kryeqytetit, e cila rëndon mbi jetesën e tyre të përditshme. Prej 10 vjetësh z.Rama e ka lënë kryeqytetin pa një plan rregullues. Madje më keq se kaq, herë pas here janë skicuar letra a projekte, duke luajtur me interesat e qytetarëve, me nevojat e tyre, si me të ardhurit edhe me vendasit, pra pronarë të vjetër të këtij qyteti”, tha Përnaska.
Sipas saj, prej 10 vjetësh tallja dhe mashtrimi kanë qenë pjesë e jetës edhe e banorëve të Saukut, të vendosur me breza në kurorën e mrekullueshme të Tiranës.
“Sot jemi pikërisht në këtë zonë, dhe pikërisht në vendin ku duhej prej kohësh, të ishte ndërtuar Unaza e madhe e Tiranës. Prej 10 vjetësh, grupe, apo individë të ndryshëm kanë ardhur në emër të bashkisë Tiranë, me copa letrash, a projekte në këto anë, për planin e unazës së madhe, që nuk është bërë asnjëherë realitet, por vetëm është luajtur me ta, duke hequr vizën e kalimit të kësaj arterie të rëndësishme për gjithë kryeqytetin, një herë në një drejtim, një herë në një tjetër, sipas interesave të ndërtuesve, dhe aspak sipas interesave të qytetarëve. Prej 10 vjetësh, ashtu si gjithë kryeqyteti që ka mbetur pa një plan rregullues, edhe kjo zone, vuan të njëjtën situatë, duke cenuar drejtpërdrejt jo vetëm interesat e pronarëve, por dhe duke e lënë kryeqytetin në një gjendje mbytëse për qarkullimin dhe mbarëvajtjen e tij. Ashtu si për shumicën dërrmuese të banorëve të Tiranës, edhe për ata të Saukut, Edi Rama ka provuar se nuk përfaqëson interesat e tyre”, deklaroi më tej, deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska.
Mungesa e planit rregullues dhe mos ndërtimi i Unazës së madhe vazhdojnë të mbeten projekte në letër derisa të plotësohen interesat e Edi Ramës, përmes shfrytëzimit të hapësirave për makinerinë e ndërtimit. Në këto kushte, prej 10 vjetësh me radhë, Edi Rama ka grabitur qytetarët e Tiranës dhe taksat e tyre, ndërsa si shpërblim u ka ofruar betonin dhe shfrytëzimin e interesave të tyre.