E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Të zbardhet pasuria e Edi Ramës, s’mund të tolerohet ky mashtrim kaq i hapur

Mesila Doda: “Cilësimi si i varfër, paturpësi - kryebashkiaku zotëron milionat e 15 për qindësheve të lejeve të ndërtimit”

Deklarata e pasurisë se kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama që e cilësonte si një njeri të varfër është një paturpësi, para qytetarëve të Tiranës si dhe të gjithë Shqipërisë.
Kështu është shprehur deputetja e PD-së Mesila Doda në një konferencë për shtyp duke theksuar se PD-ja denoncon mashtrimin e kryetarit të partisë së miliarderëve.
Ajo e ka cilësuar kreun e PS, si më të korruptuarin në kontinent dhe fshehja e pasurisë së tij duhet të zbardhet. “Kryetari i klubit të miliarderëve Edi Rama, u shfaq dhe njëherë paturpësisht i varfër përpara qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Denoncojmë mashtrimin e kryetarit të partisë së miliarderëve, që ndërsa zhytet përditë në shumat marramendëse të 15 për qindësheve, të pallateve të ndërtuara, akuzë të cilën ja kanë ngritur publikisht ndërtuesit dhe qytetarët e Tiranës, sot mashtron opinionin duke na u shfaqur si barbon rrugësh, si njeri pa shtëpi, pa të ardhura, dhe i mbytur në borxhe. Kësaj deklarate mund t’i vëmë emrin vetëm gënjeshtër publike dhe nuk ka të madh a të vogël në këtë vend që mund të pranojë një mashtrim të tillë ordiner, ku një kryetar barbon komandon klubin e miliarderëve socialistë”, u shpreh Doda.
Sipas saj, fshehja e pasurisë së kryetarit të bashkisë më të korruptuar në kontinent, ka brenda farsën e varfërisë imagjinare të kryetarit Rama, të cilit vetëm goja e ribërë me porcelan i kap shifrën e 40 mijë eurove.
“Fshehja e pasurisë së kryemiliarderit barbon është një tallje e shëmtuar, me opinionin publik, me organet e verifikimit të pasurisë dhe me organet e drejtësisë së vendit. Ne kërkojmë nga të gjitha organet kompetente të mundësojnë zbardhjen reale të pasurisë së kryetarit që ende jetonka me ‘pensionin e mamit’. Ne kërkojmë zbardhjen e të gjitha llogarive brenda dhe jashtë vendit të multimiliarderit Rama, që paturpësisht rreket të bëjë të besojë popullin e majtë dhe të djathtë, se miliardat që i rrinë në sy, në duar dhe në gojë, të veshura e të trupëzuara në të mira materiale e monetare, janë vetëm një iluzion dhe se ai është më i varfëri i të varfërve, ndaj në betejën e tij për pushtet nuk ka se ç’të humbë tjetër, veç prangave”, vuri në dukje deputetja demokrate, Mesila Doda.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›