Selami Xhepa shpjegon projektin e kursimeve

Shkurtimet në buxhetin e shtetit
Reduktimet buxhetore për pjesën e dytë të këtij viti do të kryhen në shpenzimet për investime, kryesisht në projektet që ende nuk janë nisur po ashtu edhe në mirëmbajtje. Ndërsa në sektorët prioritare si shëndetësia dhe arsimi, si dhe në investimet që janë nisur do të vazhdojnë normalisht. Sipas anëtarit të Komisionit Parlamentar të ekonomisë Selami Xhepës, këto shkurtime nuk prekin cilësinë e jetës së qytetarëve. “Projektet prioritare të qeverisë si arsimi, shëndetësia, etj nuk do të preken nga shkurtimet buxhetore. Shkurtimet do të realizohen kryesisht në projektet që nuk janë nisur, si në rrugë, ujësjellës po ashtu edhe në shpenzimet për mirëmbajtje”- u shpreh Xhepa.
Deputeti demokrat thekson se është zgjedhur rruga e duhur për mbajtjen në kontroll të deficitit duke ulur shpenzimet dhe jo duke rritur taksat, siç kanë bërë shumë vende të tjera. “Shumë vende kanë zgjedhur rritjen e taksave për të reduktuar deficitin buxhetor, ndërkohë që ne zgjodhëm që të reduktonim shpenzimet”, vuri në dukje ai.
Shkurtimet për shpenzimet në investime do të kryhen në masën 25 për qind të buxhetit aktual dhe do paraqiten në parlament brenda këtij sesioni parlamentar.