E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: E vërteta e takimit me Metën tek Gjiri i Lalzit

TIRANE-Kryetari i PS-së, Edi Rama sqaroi dje, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në TV Klan detajet e takimit me Ilir Metën në Gjirin e Lalzit. Ai tha se Berisha dhe Meta nuk janë armiqtë e tij, por kundërshtarët politikë. Rama tha se në 2013-ën PS do të fitojë zgjedhjet dhe ai do të jetë kryeministër i vendit. Ndërsa për Presidentin tha se PS nuk do të pranojë një emër nga drejtuesit e PD-së për President.
Në datën 1 maj në mbrëmje, ju keni darkuar dhe keni qëndruar me një nga njerëzit që ka qenë rivali juaj, zotin Meta. Përse duhet të shkonit në një takim gjysmë të fshehtë në mesnatë?
Më lejoni t’ju them, se ne kemi bërë publik me kurajë dhe ambicie një vizion për një rilindje shqiptare dhe unë besoj që rruga për të shkuar drejt rilindjes shqiptare kalon edhe përmes ndryshimit të sjelljeve tradicionale, kur bëhet fjalë edhe për çështje madhore si ajo e Presidentit të Republikës, që kërkon bashkërendimin e forcave politike.
Pse u mbajt e fshehtë?
Nuk ka asgjë të fshehtë. Është e njohur për të gjithë, u jam drejtuar të gjitha forcave politike që nga kryeministri deri te përfaqësuesi i një force të re politike për t’u takuar, për hapjen e një dialogu.
Por, jeni takuar privatisht?
Patjetër, dhe unë po ju përgjigjem. Pas ftesës sime publike, unë kam marrë mbrapsht një ftesë nga kreu i LSI-së që ka shprehur dëshirën për t’u takuar privatisht. Nuk kam menduar se ku është vendi, ora, por kam shkuar ta takoj për t’i thënë në sy gjithçka që unë mendoj se është e rëndësishme dhe duke besuar se kësisoj mund të mbillet një dialog. Dhe pas një moskomunikimi të gjatë që është i lidhur me një histori jo të pëlqyeshme dhe që na ka vendosur ballë përballë, le të mos harrojmë për asnjë moment se unë jam takuar me kreun e LSI-së si njëri prej përfaqësuesve që qeverisin.
A hyn Meta tek miqtë tuaj?
Unë do të preferoja të fokusoheshim te çështja, te arsyet që janë më madhore. Ky është një moment për të folur për arsyet e këtyre takimeve, për pse-në e kësaj hapjeje dhe për nevojën e këtij dialogu mes palëve.
Cili është shkaku që ju detyroi të bëni 50 km për t’u takuar me Metën?
Shkaku për të diskutuar, jo në rrugë protokollare, por sy më sy, lidhur me atë shqetësim që unë kisha shprehur në ftesën publike.
Por kanë dështuar disa persona që t’ju takojnë, ose është magjistar Nard Koka që ju uli?
Unë do të preferoja që t’i referohemi të vërtetës dhe të mos i referohemi as përrallës që është shpërndarë si folklor dhe as thashethemeve. E vërteta është që edhe me kryeministrin jam takuar në Presidencën e Republikës, dy herë, edhe kur u takuam në një takim me përfaqësuesit e BE-së dhe nuk kam shprehur asnjëherë asnjë refuzim për t’i ritakuar në rast se do të ishte shfaqur nevoja dhe do të ishin krijuar kushtet.
Çfarë pati konkret nga takimi?
Shprehja e gjithë atij shqetësimi serioz, por që është i ndarë me shumë të tjerë, me faktorë për të krijuar kushtet që Shqipëria të zgjedhë një president, i cili të përfaqësojë unitetin kombëtar. Të mos harrojmë për asnjë çast se bëhet fjalë për një provë që do të përcaktojë në mënyrë të qartë fatin e provimit tonë të vjeshtës së ardhshme. Unë dua të bëj çdo gjë që Shqipëria të mos humbasë.
A ka një problem moral në këtë takim? Ju keni hedhur disa akuza ndaj zotit Meta. A e amniston ky takim Ilir Metën nga akuzat që ju keni bërë?
Së pari, unë nuk jam takuar me Ilir Metën për të rishkruar të shkuarën. Qëndrimet e mia si kryetar i PS-së në këto momente kur kemi mbajtur qëndrime politike, janë qëndrime të mbajtura në rrethana të qarta dhe pa asnjë dyshim janë pjesë e historisë. Unë vetë nuk ndiej asnjë arsye që të më bëjë të mendoj se mund të ndihem keq për gjithçka unë kam thënë sa kohë jam në krye të PS-së. Është shumë e rëndësishme të kuptohet që procesi në të cilin ne, PS, përmes meje e të tjerësh kemi hyrë me vullnetin për të krijuar kushtet që politika shqiptare të japë një shembull pozitiv të munguar prej vitesh përballë familjes që duan të integrohemi, por edhe një shembull karshi shqiptarëve që qëndrojnë të ndarë e të përçarë imponon një komunikimin dhe përpjekje për një klimë besimi mes kundërshtarësh. Pra, është e domosdoshme që të mbajmë parasysh se kur ndërmarrim një nismë të tillë politike me këtë qëllim madhor dhe me këtë vullnet, nuk marrim përsipër të shkruajmë të shkuarën, por të shohim të ardhmen.
I kërkuat falje Metës për gjithë ç’ka ndodhur mes jush?
Kjo është një tjetër pyetje që buron nga cikli sajo, boto, analizo...Nuk kam asnjë problem për kulturën time dhe edukatën që e kam marrë qysh prej gjyshes time katolike që të kërkoj falje, por nuk ka qenë rasti. Unë me kryetarin e LSI-së nuk jam takuar dhe nuk do takohem përsëri për të kaluarën, por për të ardhmen. Si kundërshtarë me qëllimin që Shqipërisë të mos i mungojë ajo çfarë i ka munguar sot, për shkak se kundërshtarët nuk kanë dashur të kuptojnë se ka momente historike ku gjërat duhet të zgjidhen së bashku.
A ka PS emër konkret për kandidatin për President?
Ne e kemi bërë të qartë që duhet një proces dhe duhet që nga një proces të shkojmë tek një emër.
A keni një identikit?
Nëse presidenti më i mirë i mundshëm duhet gjetur në atë sallë me 140 vetë, se jashtë asaj salle nuk ka njerëz aq të aftë me integritet dhe me eksperiencë, atëherë ruajna o zot. Unë besoj që ka vetëm një kusht sa na takon ne që Presidenti të mos jetë një figurë e imponuar nga radhët e PD-së.
Keni rënë dakord për këtë me zotin Meta?
Është spekulim. Ne nuk mund të pranojmë asnjë nga figurat e PD-së, sepse atëherë nuk kemi më proces të mundshëm të dakordësuar, ashtu si ne nuk do imponojnë asnjë figurë të PS-së.
Pas ndryshimit kushtetues a e pengoni dot mazhorancën ta zgjedhë me 71 vota?
Sigurisht që ne nuk e pengojmë dot palën tjetër që të bëjë një aventurë në kushtet në të cilat po flasim. Jemi në një moment historik, sepse në vjeshtën e ardhshme kemi për të tretën herë radhazi provimin për statusin. Nga mënyra se si do të zgjedhim presidentin do të varet shumë kjo. Kjo është e thënë edhe nga drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare. BE dhe SHBA thonë se nga mënyra se si do të zgjidhet presidenti do të varet edhe gjykimi se si do të zgjidhet Presidenti.
Nëse zgjidhet me 71 vota në raundin e katërt çfarë problemi ka? E parashikon Kushtetuta?
Ajo çka vlen të nënvizohet në këtë rast dhe më lejoni t’ju jap përgjigje është që, kur ne ndryshuam Kushtetutën nuk e bëmë me arsyetimin që shumë mosbesues e kanë. Ajo çfarë ne kemi pasur parasysh kur kam qenë i gatshëm për ndryshimin e Kushtetutës ka qenë shembulli i vendeve të tjera, por nuk i referohen atij 71-shit, gjashtë muaj para, por gjejnë gjithmonë rrugët për të gjetur mënyra të tjera, sepse presidenti është përfaqësues i unitetit, por garanton edhe institucionet, dhe s’mund të pranojmë që kjo të bëhet përmes një skifteri të PD-së që të jetë si noter i PD-së.
Nëse nuk do të arrihet një konsensus paraprak a do të merrni pjesë në 3 raundet e para?
Kjo është taktikë. Strategjia jonë është pa ‘nëse’ dhe pa ‘sikur’. Ne duam një President të Republikës së Shqipërisë. Ne duam një president ku të gjithë shqiptarët të ndihem mirë.
A do të kërkoni ju në Gjykatën Kushtetuese?
Jo.
A do t’i jepni 20 votat Fatos Nanos?
Nuk ka arsye, sepse ndërkohë që ne jemi të angazhuar në një proces që duam dakordësinë e palëve dhe nuk mund të bëjmë atë që bën kryeministri për të mos lënë asnjë hapësirë dakordësie.
A keni biseduar me z.Meta për t’i dhënë një mbështetje për t’u bërë President?
Nuk kemi bërë asnjë bisedë të natyrës konspirative, por kemi bërë një bisedë për të ndarë disa pikëpamje, për të parë se ku mund të ketë pika referimi të përbashkëta në parim.
Z.Rama tha se do të jeni kryeministër, por duhet t’i fitoni zgjedhjet?
Që do të thotë që ketë herë nuk duhet t’i vjedhë ai që është sot kryeministër.
Ju duhet të gjeni një zgjidhje?
Kur flasim për rregulla, kur flasim për arbitër, kur të bëjmë zgjedhjet e para dhe unë të jem kryeministër i vendit, do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri, nuk do bëhen zgjedhje që topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj vetë.
Sikur t’i humbni zgjedhjet sërish, do jepni dorëheqjen nga kryetar i PS-së?
Ne, po ju them me siguri që do t’i fitojmë zgjedhjet.
Po humbët?
Nuk ka ‘po humbët’ në këtë betejë ku ke hyrë për të fituar. Padyshim, në çdo betejë ka humbje dhe fitore, por ne po bëjmë një reformë zgjedhore që, po marrim disa masa konkrete për të penguar në disa faza vjedhjet, po organizohemi në të gjithë territorin. Do të realizojmë edhe një aleancë të madhe kundër së keqes.
Dy herë zgjedhjet janë vjedhur, natën në 2009-ën, janë vjedhur natën edhe në 2011-ën.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›