Edi Rama: Nano, mllef primitiv. Meta, rol negativ në fund të procesit
Kreu i PS tha se kur u shmang kandidatura e Topallit dhe Bodes, Berisha mund të shkonte drejt konsensusit. Rama tha se nuk ka asgjë personale me Nishanin. Rama deklaroi se nuk u godit Kushtetuta, por hapi evropian i Shqipërisë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në emisionin Pesë pyetje nga Babaramo, tha se me zgjedhjen e presidentit të ri nuk u godit Kushtetuta, por u godit statusi.
Presidenti i ri u zgjodh në rrugë kushtetuese, nuk ndodhi atentat apo grusht shteti, por çka ndodhi është se u godit egër hapi europian i Shqipërisë. Nuk kemi problem tonin që të na e zgjidhë presidenti. Problemi ynë është hapi europian dhe prapambetje në rrugën e integrimit, dhe që Shqipëria rrezikon ta humbë statusin për të 3 herë si asnjë vend tjetër. Sepse mesazhi ishte i qartë dhe po ashtu edhe dëshira e familjes europiane për të na dhënë një dorë, konsensus konsensus , konsensus. Konsensusi dhe jo emri ishte ajo cka duhet të prodhonte Republika e Shqipërisë. Pala tjetër në vend të konsensusit zgjodhi emrin, zgjodhi të çojë në presidencë një noter partiak, tha Rama.
Kreu i PS komentoi edhe faktin se më parë ka shprehur vlerësim për figurën e Nishanit. Unë nuk kam asgjë personale me ministrin që u bë president, por kam një arsye të fortë parimore dhe politike, për të këmbëngulur që presidenti nuk mund të kthehet ministër i qeverisë. Ai është de facto një ministër i qeverisë, theksoi Rama, që ka theksuar edhe faktin se po fliste në një TV të qeverisë.
Ndërsa në lidhje me kreun e LSI, Ilir Meta, Rama tha se ai ka pasur një rol pozitiv në fillim të procesit dhe një rol negativ në fund të procesit.
Kjo pasi braktisi pozicionin e tij fillestar dhe zgjodhi bashkë me Kryeministrin Berisha një president noter. Pozicioni fillestar i Metës ka qenë shumë i qartë: nuk pranoj një kandidat politik të Partisë Demokratike, tha Rama.
Duke komentuar dy emrat e parë në garën për president, Xhezair Zaganjorin dhe Artan Hoxhën, Rama tha: Kandidimi i parë ishte i njëanshëm, dhe nga ana tjetër nuk përmbushte ekzigjencat tona. Kandidimi i dytë ishte tërësisht i njëanshëm dhe kandidati ishte i papranueshëm. Sepse në këndvështrimin tonë ishte zëdhënësi më publik i qeverisë, tha Rama.
Rama mbrojti ndryshimet kushtetuese sa i përket zgjedhjes së presidentit. Në vetvete ato ndryshime janë krejt normale, por ishin të parakohshme për Shqipërinë. Në Shqipërinë e Sali Berishës ndryshime të tilla nuk sjellin atë produkt që sjellin në vende të tjera. Në këto vende ata që qeverisin dhe kanë shumicën e thjeshtë nuk i shkojnë pas germës Kushtetutës kur momenti sugjeron të ndiqet fryma.
Edi Rama tha se emrin e Nanos e ka kundërshtuar Berisha.
Konsensusi ishte plotësisht i mundshëm vetëm jashtë kandidaturave politike. Pati refuzim të qartë nga ana e Kryeministrit për një kandidaturë politike dhe për emrin konkret të Fatos Nano. Ne i qëndruam deri në fund interesit kombëtar dhe vizionit dhe argumenteve tona. Shqipërisë i duhej konsensus dhe nuk i duhej një president që të ishte noter partiak i saj, tha Rama.
Duke komentuar sulmet e Nanos ditën e 21 vjetorit të themelimit të PS, Rama i quajti të neveritshme këto shfrime të një mllefi primitiv që ska lidhje fare me PS, as me mua, por ka lidhje me një paaftësi për të menaxhuar emocione shumë negative për të cilat mua më vjen shumë keq. Rama tha se në PS ka bërë vetëm gabime zemre.
