ISHP: Një rast i rëndë, probleme në frymëmarrje
Disa prej të infektuarve nga gripi i derrave në vendin tonë nuk e kanë kaluar sëmundjen pa komplikacione. Përkundër deklaratave të drejtuesve të ISHP, buletini epidemiologjik dëshmon për të kundë-rtën. Duke iu referuar shenjave dhe sindromave klinike të paraqitura në këtë dokument të ISHP, rezulton se jo pak pacientë kanë pasur komplikacione, madje njëri prej tyre ka kaluar në insuficencë respiratore akute. “Trakebronkiti është vënë re në 6 raste, Bronkiti difuz i pranishëm në 2 raste; Bronkopneumoni intersticiale në 2 raste”, thuhet në buletinin epidemiologjik të kësaj jave. Ndërkaq sqarohet se medikamenti tamiflu është përdorur vetëm në 4 pacientë. “Tamiflu ka përmirësuar menjëherë shenjat e sëmundjes që pas ditës së dytë të përdorimit. Rastet kanë qenë pa temperaturë në vazhdim të sëmundjes veç atyre që kanë pasur bronkit dhe pneumoni”, thuhet në buletinin e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tij, personat që kanë pasur këto sëmundje shoqëruese kanë shfaqur komplikacione. “Tamifluja te një pacient është përdorur për 7 ditë, ndërsa për dy të tjerë nga 5 ditë. Ndërsa për rastet e tjera janë përdorur antibiotikët”, saktëson buletini. Kolla, temperatura dhe dhimbje fyti kanë qenë simptomat e evidentuara tek të gjithë të prekurit e zbuluar. Veç tyre, disa pacientë kanë shfaqur edhe shenja të tjera epidemiologjike. Sa i përket vaksinave burime të sigurta nga ministria bëjnë me dije se megjithë tentativat e mundshme deri tani Shqipërisë i është mohuar lidhja e kontratave me firmat prodhuese. Me fluksin e kërkesave botërore për të siguruar vaksinën kundër gripit të derrave, vendi ynë ka shumë gjasa të mbetet jashtë listës së shteteve, që do ta marrin atë në vjeshtë. Por nëse të paktën grupet e riskut nuk vaksinohen shanset për një epidemi masive mbeten tepër të larta. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë apel qytetarëve që të paktën të sigurojnë vaksinën e gripit të zakonshëm, por edhe nga ky tip është vështirë të gjendet në tregun botëror. Përpos pamundësisë për siguruar dozat e nevojshme, Qeveria nuk ka as fonde të mjaftueshme për blerjen e tyre. Ministria e Shëndetësisë disponon vetëm 350 mijë dollarë, ndërsa ajo e Financave i ka kthyer sytë nga organizatat e huaja. Vaksina kundër gripit të derrave pritet të dalë në treg në muajin tetor. Shtetet e fuqishme kanë lidhur paraprakisht kontratat dhe do të tërheqin medikamentin sapo të dalë në treg. Nisur nga politikat shëndetësore dhe mundësitë financiare të secilit do të vaksinohen falas grupet në risk të popullatës.
virusi Ah1N1
Simptomat sipas rasteve
- Kolla e pranishme në të gjitha rastet
5 raste është vënë re kollë me gëlbazë;
- Dhimbje fyti apo rrjedhje hundësh e pranishme në të gjitha rastet;
- Temperatura kryesisht mbi 38ºC, e pranishme në të gjitha rastet;
- Vështirësi në frymëmarrje në 2 raste;
- Rinofaringit si dhe riniti apo faringiti e pranishme në 12 raste;
- Trakebronkiti është vënë re në 6 raste;
- Bronkiti difuz i pranishëm në 2 raste;
- Bronkopneumoni intersticiale në 2 raste;
- Insuficiencë respiratore akute në 1 rast;
E.7. Ecuria e shenjave klinike dhe trajtimi:
- Në 2 raste me vështirësi në frymëmarrje është vënë re rëndim i menjëhershëm i frymëmarrjes dhe hipoksi;
Vendbanimi
Tirana - 15 raste,
Durrësi - 4 raste,
Saranda -1 rast