E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: President u zgjodh një noter partiak. Tani jemi më larg Europës

Share

Rama foli në kongresin zgjedhor të të rinjve të FRESSH. Ai tha se detyra e PS është të sjellë një alternativë të re dhe të plotë. Rama premtoi: Fitoren në zgjedhje nuk na e vjedhin më kurrë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, foli në kongresin zgjedhor të FRESSH në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri. Që në fillim të fjalimit të tij përpara të rinjve, Rama tha se socialistët bënë çfarë mundën dhe u investuan deri në fund për një konsensus politik.

Fatkeqësisht Shqipëria u gdhi me një noter partiak në postin e presidentit. Dje u humb një mundësi e madhe. Politika e verbër e dasive dhe kacafytjeve mbi çdo gjë u imponua mbi politikën e dialogut dhe mirëkuptimit, tha Rama.

Kreu i PS deklaroi se tani Shqipëria është më larg Europës.

Çështja më e madhe e jona, ajo e bashkimit tonë më Europën, mori një goditje të rëndë. Europa sot është më larg se dje, Shqipëria sot është më larg nga familja evropiane. Ndërsa ne socialistët jemi sot më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndryshimit që duhet të sjellim në politikën dhe qeverisjen e vendit, tha Rama.

Kryesocialisti i porositi të rinjtë që jo vetëm të ngrenë zërin, por edhe të tregojnë mënyrën e ndryshimit të padrejtësive në vend.

Zgjedhjet e ardhshme janë afër. Të jesh sot në opozitë është e lehtë që vetëm të kritikosh dhe të ngresh zërin ndaj padrejtësisë. Detyra jonë është që tu tregojnë njerëzve mënyrën e ndryshimit të gjërave që shkojnë keq.

Ne do e rivendosim demokracinë dhe do e bashkojmë Shqipërinë me Europën. Pjesa kryesore e detyrës sonë është të jemi ndryshimi që duam të sjellim dhe tu ofrojmë njerëzve një alternativë të re e të plotë, tha Rama.

Kreu i PS deklaroi për zgjedhjet e ardhshme: Fitoren nuk do na e vjedhë më dot kurrë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›