E Diel, 1 Nëntor 2026

AK: Kryeministri që vishet me antiplumb blindoi të gjitha institucionet

Share

Aleanca KuqeZi ka reaguar për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Kryetari i lëvizjes politike Aleanca KuqeZi, Kreshnik Spahiu, përmes një deklarate për mediat ka kritikuar ashpër situatën në të cilën ndodhet vendi ynë si rrjedhojë e politikës së ndjekur nga kryeministri Sali Berisha.

E keqja më e madhe e të gjithë procesit nuk ishin as kandidatët që u tërhoqën nga gara dhe as Presidenti i sapo zgjedhur. E keqja më e madhe e procesit është që kryeministri i vendit, i cili vishet me antiplumb, tashmë ka blinduar politikisht të gjithë institucionet e vendit, median, pasuritë kombëtare, privatizimet, prokurimet, koncesionet dhe në 100 vjet shtet shqiptar ka krijuar fenomenin e paprecedent të sistemit parti-shtet, deklaroi Spahiu.

Duke u ndalur tek çështja e votës së lirë, Kreshnik Spahiu deklaroi, Kryeministri i cili vishet me anti-plumb nuk ka ndërmend të lëshojë pushtetin as me votën e lirë të qytetarëve dhe për rrjedhojë ka blinduar mos-realizimin e reformës zgjedhore pasi parimi kryesorë i tij është populli voton, partia demokratike numëron, tha Spahiu.

Rreshtimi i socialistëve në bojkot dhe rreshtimi i demokratëve para kutive të votimit ishte fundi i një farse të paracaktuar më parë ku emra si Fatos Nano dhe të tjerë thjesht u përdorën dhe u vunë në lojë nga makina propagandistike e kryeministrit që vishet me antiplumb duke krijuar në publik imazhin e njeriut konsensual, por që në përfundim tregoi krejt të kundërtën, deklaroi Spahiu.

Lideri i lëvizjes politike Aleanca Kuq e Zi paralajmëroi thirrjen e Kuvendit kuqezi mbarëkombëtar ditën e shtunë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›