Presidenti i zgjedhur Nishani: S`do ketë takim zyrtar me PS-në

Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani ka deklaruar se e respekton votën e opozitës edhe pse kjo e fundit nuk e votoi në Parlament. Duke folur për mediat pasi është përshëndetur me stafin e Ministrisë së Brendshme, Nishani theksoi se nuk do të ketë asnjë takim zyrtar me PS-në para se të marrë detyrën.
“Do më pëlqente të merrja edhe votën e opozitës por ajo e ka ushtruar të drejtën e sovranitetit të saj. Ajo që është e rëndësishme në fakt është respekti maksimal që unë i ofroj opozitës ashtu si edhe të gjithë institucioneve të tjera në Shqipëri. Nuk ka nevojë për takim zyrtar me PS-në para se të marr detyrën. Deputetët PS janë në parlament dhe kontakti me ta do të jetë në momentin e betimit dhe pastaj do jenë normale”- deklaroi Nishani.
I pyetur nëse ka marrë urime nga deputetë të opozitës pas votimit në Parlament, Nishani iu përgjigj: “Kam marrë dhe jo pak.
Ndërsa ka vlerësuar të gjithë kandidatët për postin e kreut të ri të shtetit, Nishani e ka cilësuar zgjedhjen e tij si një surprizë të bukur.
"Adresoj të gjitha konsiderat për të gjithë kandidatët që u përfshinë në procesin e garës përsa i përket surprizave, si çdo surprizë, kjo natyrisht ishte shumë e bukur për mua. Shkuam për të votuar Hoxhën më pas mu komunikua vendimi i mazhorancës
që unë e mirëprita” ka shtuar Nishani.