Nano sulmon Edi Ramën dhe u drejtohet socialistëve: Vetëofrohem që tu udhëheq drejt fitoreve
Ish- kryetari i PS, Fatos Nano, i cili dështoi në ambicien për tu bërë president i Republikës, ka dërguar një letër të hapur për socialistët në 22 vjetorin e PS, duke sulmuar ashpër Ramën e duke thënë se është gati të udhëheqë socialistët drejt fitoreve të reja. Nano hedh akuza për darkën e Ramës me Ilir Metën. Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009, grevën e urisë të dhjetëra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të, thotë Nano në letrën e tij, duke u shfaqur tani agresiv për 21 janarin, Gërdecin dhe zgjedhjet e 8 majit.
Nano thotë se Rama nuk përfaqëson më socialistët dhe i drejton një thirrje kryesisht Gramoz Ruçit. Unë shpreh e ritheksoj edhe njëherë mirëbesimin tim, e i bëj thirrje Partisë Socialiste, Kryetarit të Grupit Kuvendor të PS Gramoz Ruçi, dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të PS që në këto momente kaq të rëndësishme për fatet e Shqipërisë të bëhen dalëzotsa, të rigjejnë dinjitetin, të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur, thotë Nano.
Me Fatos Nanon fiton e majta, fitojnë socialistët, fiton edhe Shqipëria, thuhet në letrën e Nanos.
Më poshtë letra e plotë:
Nga Fatos Nano
Të dashur socialistë, u bënë 21 vite që ne jemi bashkë. U bënë 21 vite që ne së bashku përpiqemi me atdhedashuri e përkushtim që ta transformojmë Shqipërinë tonë në një vend të merituar e të denjë europian. Gëzuar së bashku 12 qershorin, festën e themelimit, festën e të gjithë socialistëve të mirë e të ndershëm.
Asgjë dhe askush nuk ka mundur të na ndajë ne nga njëri-tjetri socialistë të dashur e të shtrenjtë. Së bashku kemi bërë beteja të mëdha e kemi fituar beteja të mëdha, së bashku e kemi reformuar dhe transformuar Shqipërinë, duke e kthyer nga një vend diktatorial e i pazhvilluar, në një vend demokratik, me zhvillim në rritje dhe me përqasje gjithnjë e më të madhe me një vend europian. Së bashku kemi fituar disa zgjedhje parlamentare dhe lokale dhe e kemi qeverisur me shumë dashuri, devocion e shpirt transformator Shqipërinë në nivel qendror dhe lokal.
Ne së bashku ngritëm standarde të reja, ndërtuam modele të reja, ndërtuam vlera e histori të cilat ende dhe sot mbeten të paarritshme dhe të pakonkurrueshme nga kundërshtarët tanë politikë.
Unë ju bëj thirrje të dashur socialistë që ne të vazhdojmë të ecim bashkë, të fitojmë bashkë e ta qeverisim dhe transformojmë Shqipërinë bashkë.
Unë jam tashmë para jush i gatshëm për tju udhëhequr drejt fitoreve të reja.
I vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten Kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë, ka shkaktuar veç humbje, humbje, dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e radhës.
Beteja, qëndrimi dhe strategjitë e tij noprane, pamend dhe prej arlekini, i dhuruan Sali Berishës fitoren e radhës, duke i lënë fushë të lirë Berishes që ta zgjedhë vetë Presidentin që donte.
Unë prej muajsh e javësh i ofrova Edi Ramës dorën e bashkëpunimit dhe bashkimit, por Edi Rama e refuzoi me këmbëngulje. I kërkova të kalonim nga zona e mosmarrëveshjeve tek zona e marrëveshjeve për të mirën e socialistëve dhe Shqipërisë, por Edi Rama përsëri refuzoi.
Unë prej muajsh e javësh u përpoqa ti tregoja e ta këshilloja Edi Ramën se së bashku mund të nisnim një kohë të re të bashkimit të së majtës, duke fituar betejën e parë që kishim në radhë, por Edi Rama refuzoi e refuzoi.
Unë kërkova mbështetjen dhe mirëkuptimin e Edi Ramës që së bashku ta fitonim garën Presidenciale për tu dhënë shqiptarëve Presidentin më të mirë.
Por Edi Rama më refuzoi mua, refuzoi garën, nxori socialistët jashtë fushe dhe bëri një ratifikim hileqar të fitores së njëanshme të Sali Berishës.
Edi Rama humbi. Por me këtë humbje të radhës së Edi Ramës humbëm të gjithë ne socialistët.
Kam ndjekur deklaratat më të fundit të Edi Ramës ku guxon e më drejtohet mua me akuza idiote dhe qesharake. Nuk mundet të mos ndjej zhgënjim të thellë, indinjatë dhe refuzim të plotë ndaj limbos ku vetë Edi Rama ka mbetur. Limboja e Edi Ramës nuk mund të lejojmë të kthehet në limbo të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të socialistëve.
Ky paloKryetar ka guximin e më akuzon mua se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009, grevën e urisë të dhjetëra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të.
Pas darkës së Gjirit të Lalzit, nëse ka pasur një njeri që qeveria e ka përdorur dhe tallur keqazi, ky është Edi Rama. Edi Rama ne darkën e Gjirit të Lalzit, por edhe në tryezat me Sali Berishën ka këmbëngulur vetëm tek një Pazar i ndyrë: Kushdo le të zgjidhet President, vetëm Fatos Nano të mos zgjidhet. Qeveria e përdori Edi Ramën kundër Fatos Nanos, dhe Edi Rama ia plotësoi dëshirën Qeverisë. Sot President është zgjedhur Ministri i Brendshëm i Berishës, ndërsa Fatos Nano dhe socialistët kanë humbur, për shkak të Edi Ramës. Qeveria u tall në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën sepse me një pjesë të Qeverisë i ofruan ngjala për darkë dhe i krijuan iluzionin idiotesk se mund të rrëzohej qeveria e të plotësohej ëndrra perverse e Edi Ramës për tu bërë Kryeministër. E tallën dhe e lanë me gisht në gojë këtë humbarak pervers dhe liganak.
Unë në thirrjet e mia të dy ditëve të fundit i jam drejtuar për mbështetje vetëm socialistëve të vërtetë, gjithë Partisë Socialiste e cila është partia e ime e zemrës, e për asnjë moment Edi Ramës.
Të dashur miq socialistë! U bënë vite tashmë që Edi Rama nuk përfaqëson më socialistët apo interesat e tyre. U bënë vite tashmë që Edi Rama përfaqëson vetëm një klan uzurpator e pervers humbarakësh e frikacakësh që u ka shkaktuar socialistëve vetëm humbje, dhembje e nëpërkëmbje, sikurse e ka zhytur Shqipërinë në kriza të njëpasnjëshme. Edi Rama është mbjellësi i krizave, urrejtjes dhe humbjes. Edi Rama nuk e ka më mundësinë që të jetë përfaqësuesi, zëri e aq më pak Lideri i Socialistëve.
Unë nuk mund të lejoj më që socialistët e mij të dashur, Partia Socialiste e cila është partia e zemrës sime, të vazhdojnë të rropaten, rraskapiten, keqpërdoren, sakrifikohen, torturohen nga duart e papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së Edi Ramë
