Edi Rama: Saliun nuk e heqim duke djegur Shqipërinë
Sot në karrigen e kryebashkiakut të kryeqytetit ulet Lulzim Basha, pas një serie peripecish politike e juridike të interpretuara gjerë e gjatë nga mediat e nga opinioni publik kombëtar e ndërkombëtar si anormale e të pazakonta. Për herë të parë në 11 vjetët e fundit Edi Rama e sheh veten jashtë institucionit me të cilin ka lidhur fort një pjesë të mirë të punës dhe të imazhit të vet si politikan. Në një intervistë ekskluzive për Shekullin Rama tregon për këndvështrimin e tij aktual mbi politikën, cila do të jetë strategjia e opozitës socialiste në muajt në vijim, e si do të mbërrijë kjo forcë të artikulojë një alternativë bindëse për të larguar nga pushteti Berishën. Rama flet për mungesën e drejtësisë në Shqipëri ku arbitri është njëherazi dhe vjedhës, por premton se në planet e PS nuk qëndron radikalizmi politik. Sipas kryeopozitarit, fajtor për vjedhjen e zgjedhjeve është Berisha, e nuk ka pse të paguajë për të e gjithë Shqipëria. Në planet më emergjente të PS qëndron reformimi i Kushtetutës dhe i kuadrit ligjor, ndërkohë që vetë Rama pranon se ndryshimet e 2008 i mundësuan Berishës instrumentet për të kryer abuzimet e deritanishme. Për reformën e kushtetutës Rama kërkon pjesëmarrje të gjerë, nga qytetarët, ekspertët dhe ndërkombëtarët. Por nuk ia mbyll derën as bashkëpunimit me Ilir Metën, që me LSI-në e tij dikur protestonte në mbrojtje të kushtetutës. A e pengojnë debatet e brendshme në PS? Sipas Ramës, këto janë pjellë e një projekti mediatik pro-qeverisë.
Zoti Rama, ka krijuar diskutime dhe kuriozitet prononcimi juaj se jeni i gatshëm të reflektoni mbi gabimet e bëra në ndryshimin e Kushtetutës. Nuk është diçka e zakonshme në këto njëzet vite pluralizëm që një lider politik të pranojë gabimet e tij. Po a jeni penduar vërtet për ndryshimet kushtetuese?
Që të pendohesh duhet të kesh bërë një mëkat, një faj a padrejtësi të vetëdijshme. Ky nuk është aspak rasti. Qëllimi i ndryshimeve kushtetuese ishte përmirësimi jo përkeqësimi i sistemit politik; konsolidimi i procesit demokratik, në marrëdhëniet ndërinstitucionale, në parlament e në qeverisje, jo shkatërrimi i tij; fuqizimi i alternativave konkurruese brenda një sistemi modern bipolar, jo rrënimi i shtetit dhe asfiksimi i pushteteve të pavarura kushtetuese përmes një koalicioni laraman pa din as iman. Ndryshimet nuk u shpikën për të bërë dëm, ato u adaptuan për të bërë mirë, duke marrë për bazë shembuj të konsoliduar të disa demokracive funksionale në Europë. Pra qëllimi ishte i mirë, por mesa duket rezultati jo, përkundrazi. Jo gjithnjë qëllimet e mira mjaftojnë për të pasur të drejtë kur vepron në emër të tyre. E këtu lind edhe detyrimi për reflektim, me vullnetin për të pranuar e korrigjuar gabimin e bërë. Reflektimi mbi çka nuk shkon dhe marrja përsipër e një gabimi të bërë sështë dobësi, po domosdoshmëri kur ke përsipër një përgjegjësi të çfarëdo natyre, familjare apo publike. Aq më tepër në rolin e një përfaqësuesi ose lideri politik sduhet harruar asnjëherë ajo fjala e mençur: Të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është djallëzore.
Po çfarë dhe si konkretisht mund të korrigjohet gabimi i bërë me ndryshimet kushtetuese?
Së pari duke mos bërë gabimin e një procesi të mbyllur si ai që solli në ndryshimet e bëra. Duhet fillimisht një analizë e kujdesshme përmes dëgjimit të konstitucionalistëve, ekspertëve, opinionistëve që kanë kompetencën për të ndërtuar një kriticizëm konstruktiv në funksion të korrigjimeve që nevojiten. Ne po e bëjmë këtë me mendje të hapur e vullnet për veprim. Pastaj sigurisht nevojitet një proces mirëkuptimi me publikun dhe çdo faktor qytetar, politik e ndërkombëtar të interesuar që këto ndryshime të ndodhin në të mirë të interesit kombëtar. Dhe këtu sflitet thjesht për ndryshim të ndryshimeve, po edhe për ndonjë ndryshim tjetër të nevojshëm në kushtetutë.
Zoti Berisha e ka përjashtuar marrjen në konsideratë të prekjes së Kushtetutës, ndërkohë që Ilir Meta apo të tjerë zëra të lartë brenda kampit të pushtetit të sotëm, që dje i kundërshtuan ndryshimet kushtetuese, janë të heshtur. Si mund të bëhen korrigjimet pa votat e shumicës së sotme parlamentare?
Nuk është befasi që Saliu të mos dojë të prekë ndryshimet, që siç e thashë u bënë për mirë nga ana jonë, por që prej tij përdoren si instrument për të fuqizuar pushtetin abuziv me të cilin po instalon në Shqipëri një fashizëm oriental. E kundërta do të ishte befasi në kushtet e sotme, kur zotëria kujton se i ka mbetur edhe pak për të kapur tërësisht shtetin pas litarëve të interesave politike e financiare të familjes së tij dhe për ta kthyer këtë vend në bajrakun e vet primitiv. Sa për Ilir Metën dhe ca të tjerë, të cilët u bënë pjesë dikur edhe e një komiteti të shpëtimit të Kushtetutës ndërsa sot janë bërë bilbilenjtë e oborrit të Saliut, mbetet të shohim në muajt që vijnë se si do reagojnë ndaj paketës së reformave që opozita do të propozojë. Ndërkohë konstatohet qartë se aleatët e mëdhenj të Shqipërisë në rrugën e demokratizimit e të integrimit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, e adresojnë pa ekuivok, sigurisht me gjuhën e tyre, shqetësimin për degradimin e shtetit tonë. Ata kërkuan publikisht ndërhyrje thelbësore reformuese për Kushtetutën, Parlamentin e institucionet e tjera, si edhe natyrisht zgjedhjet. Ne jemi gati të bëjmë tonën ashtu siç duan shqiptarët dhe siç kërkojnë miqtë e partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria është e kërcënuar sot hapur nga një gjendje krize shumëplanëshe që duhet zgjidhur përpara se të biem në humnerën ku çon pashmangshmërisht ky degradim.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së ka bërë një ftesë për të nisur punën nga reforma zgjedhore dhe ska marrë përgjigje. Pse?
Çështjet shqetësuese që shtron qartë dhe objektivisht komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Europian në prioritetet e nënvizuara vijimësisht për Shqipërinë, nuk janë një meny ku Saliu mund të zgjedhë thjesht atë që preferon sipas oreksit të tij. Ne jemi të painteresuar për një proces arnimesh në një ligj këtu e një ligj tjetër atje. Arnat ligjore për sy e faqe në ligje që as nuk zbatohen, na çojnë drejt çerdhes arabike të regjimeve pa barazi përpara ligjit, ku partia është shteti dhe sundimtari është partia. Do të presim raportin e OSBE/ODHIR-it dhe do të reagojmë në bazë të konstatimeve e sugjerimeve të tij, për një paketë garancish kushtetuese e ligjore që të pengojë përfundimisht hajdutët e zgjedhjeve të bëjnë një tjetër krim elektoral. Ska dialog për dialog, aq më tepër me Saliun! Dialogu është një proces që duhet ndërtuar mbi një hartë bashkëbisedimi me teza të renditura qartë. Dhe në rastin e Shqipërisë, ku dhunuesi i rregullave të lojës është edhe arbitër, dialogu duhet garantuar medoemos nga komuniteti ndërkombëtar.
Ju keni shpallur gjithashtu një kurs të ri politik për PS-në dhe opozitën. A është ky ndryshim kursi shprehje e një gjykimi të pavarur apo një nënshtrim ndaj presioneve të komunitetit ndërkombëtar?
Komuniteti ndërkombëtar nuk është as shërbëtori as tutori, po partneri ynë, një partner i madh e i pazëvendësueshëm në rrugën e demokratizimit dhe integrimit europian. Kursi ynë i ri është shprehje e vlerësimit se sot jemi në një fazë të re. Zgjedhjet e 8 majit i fituam si rezistencë e fortë opozitare, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ti fitojmë si alternativë e besueshme qeverisëse. Shumica e shqiptarëve e kanë të qartë tanimë se kush është Saliu, e dinë që pushteti i tij abuziv është kanceri që po e shkatërron përditë këtë vend. Nga opozita ata duan sot recetën shë