E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, agresion kundër shqiptarëve, shpik raport antivizë

Mediat e Edvinit, dy ditët e fundit kanë nisur një fushatë të egër kundër aspiratave integruese të vendit, duke fabrikuar raportime negative që s’ekzistojnë, në përpjekje për të përhapur një situatë pesimizmi, në prag të marrjes së vendimit për heqjen e vizave. Raporti i fabrikuar fsheh të gjitha vlerësimet pozitive, seancën e parlamentit evropian me 28 prill si dhe projekt-rezolutën që i kërkon Komisionit Evropian që në fund të majit të marrë vendimin për lëvizjen e lirë të shqiptarëve


Gazeta “55” denoncoi pak ditë më parë një fakt konkret, pikërisht në ditën kur në Tiranë mbahej një panel diskutimi me gazetarë dhe përfaqësues akademikë dhe të politikës, për pavarësinë e medieve dhe shmangien e presioneve ndaj tyre. Por, edhe pas këtij denoncimi publik, dhunimi i medieve duket se nuk do të ndalet. Fushata e inkuadruar së fundmi kundër liberalizimit të vizave nga disa media qartësisht të majta dhe nën kontrollin e kreut të opozitës, Edi Rama, kundër liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, është bërë kryefjala e çdo edicioni informativ. Me disa pseudo-argumente dhe burime që asnjëherë nuk citohen, mediat e Edi Ramës, përligjin mashtrimin dhe gënjeshtrën se Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet e Komisionit Evropian dhe asnjë nga blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në këtë terr të jashtëzakonshëm informativ, opinionit publik po i serviret një nga mashtrimet më të mëdha që janë njohur ndonjëherë, ndërsa përgjegjësit kryesore të kësaj tymnaje, kapërdihen në selitë e pista ku hartohen interesat e agjenturës filosllave, kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mediat e njohura dhe të panjohura, me audiencë dhe pa audiencë, ditët e fundit, kanë marrë mbi supe, një nga përgjegjësitë më të rënda morale, pa përjashtuar edhe ato ligjore, në tentativë për të mashtruar dhe gënjyer opinionin publik. Megjithatë, efekti duket se nuk është në nivele alarmante, por lë për të dëshiruar “urtësia” e këtyre drejtues-mediash, që pranojnë të dhunohen sistematikisht nga një “stalinist” i kohëve moderne, i cili krizën e vet personale, kërkon ta përligjë në një dramë mbarëkombëtare. Sigurisht, që nuk mohohet fakti se pas shërbimeve që i bëhen Edvinit, fshihen një shumësi interesash të ngushta, si leje ndërtimi, falje gjobash apo edhe mos vjelje taksash, të gjitha këto përmes një evacioni fiskal të jashtëzakonshëm, shkaktuar buxhetit të shtetit. Aksioni kundër liberalizimit të vizave, për qytetarët dhe integrimit të Shqipërisë, tregon edhe njëherë se Edi Rama dhe grupi i pasanikëve deputetë apo drejtues mediesh të majta, nuk kanë asnjë interes për renditjen e vendit tonë në shkallën e vendeve të emancipuara perëndimore. Kronikat e njëpasnjëshme televizive dhe shkrimet e panumërta për mosarritje të standardeve, flasin edhe njëherë për “Media” në mjerim, të shtypura dhe servile të interesave të qarqeve antikombëtare. Ato kronika janë një tjetër këmbanë alarmi për “Forumet e Medias” se në Shqipëri, liria dhe pavarësia mediatike, jo vetëm është censuruar si në kohën e Enverit, por për më tepër është vënë në shërbim të një interesi personal, të lakuriqit të PS-së dhe klikës së tij malavite.


E vërteta, krejt ndryshe nga raportimet e djeshme të mediave të Edvinit/Raporti i KE shqyrtohet nesër nga Komisioni për të Drejtat Civile dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian, por ai s’përmban kurrfarë vlerësimesh negative që do të mund të shtynin marrjen e vendimit për heqjen e vizave në fund të muajit maj. Komisioni Evropian pritet të zyrtarizojë ditën e nesërme propozimin për hyrjen e Shqipërisë në “Schengen”, gjatë shqyrtimit të raportit nga Komisioni për të Drejtat Civile dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian. Në raportin në lidhje me liberalizimin e vizave, vlerësohet përparimi i Shqipërisë në miratimin e disa ligjeve të rëndësishme, por njëherazi theksohet edhe domosdoshmëria e vijimit të reformave nga institucionet shqiptare, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Shqipëria ka shënuar progres në të 4-r blloqet, duke miratuar plotësisht pjesën dërrmuese të kuadrit ligjor. Po ashtu, kancelaritë perëndimore kanë përpiluar edhe udhëzimet përkatëse për planin e veprimit, pas propozimit të vizave, e cila pasohet me marrjen e vendimit më 2 qershor të këtij viti. Mediat ndërkombëtare flasin për një proces të realizueshëm, ndërsa duke iu referuar raportit, flitet qartë për plotësimin e një shumësie kriteresh të udhërrëfyesit për vizat. Aludimet e disa medieve të Tiranës, të cilat flasin për një mosrealizim të kushteve të Komisionit Evropian, janë jo vetëm të pabaza, por qartësisht tendencioze. Në mashtrimet e djeshme, ta zëmë nuk u përmend fare fakti se paraprakisht komisioneri grek Nikolaos ka theksuar vlerësimin e tij pozitiv dhe ka parathënë vlerësimin që Shqipëria të marrë sa më shpejt vendimin për heqjen e regjimit të vizave. Me 28 prill, në Bruksel do të jetë edhe ministri i jashtëm Ilir Meta, i cili në Parlamentin Evropian do të shkëmbejë pikëpamjet lidhur me ritmet e marrjes së vendimit për heqjen e vizave. Përpjekja e edvinistëve për të fabrikuar një projektraport që s’ekziston s’u ka shpëtuar vëzhguesve të mirëinformuar, të cilët thanë mbrëmë për “55”-n se dokumenti s’mund të ketë asnjë referencë krahasuese mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, siç raportohej rëndom në kronikat televizive e as vlerësime të ngjashme si janë përmbushur kaq përqind e kritereve, por vetëm theksimin e progresit që mund të ketë sjellë edhe përmbushjen e plotë të kritereve në të katër blloqet e përcaktuara.


Draft-axhenda e nesërme e Komisioni për të Drejtat Civile dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian 27 prill 2010, 18.30-19.30 - Byroja e Zgjeruar Datë 28 prill Paraqitja e një kërkesë-rezolute mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë Raportuesi Chountis Nikolaos (europarlamentar grek)


Do të shqyrtohet edhe një projekt-mocion për një rezolutë


Afati i fundit për paraqitjen e amendamenteve: 5 maj 2010- ora 12:00


28 prill 2010, 9:00-10:30 Shkëmbim pikëpamjesh me Ilir Meta, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›