“Edi Rama ka improvizuar një betejë virtuale kundër rendit demokratik”
Deklaron publicisti dhe botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu
Publicisti i mirënjohur dhe botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu deklaroi dje gjatë një interviste televizive në “Ora News”, se opozita shqiptare po imiton PKSH-në e Enver Hoxhës, duke synuar me çdo kusht shkëputjen e kauzës integruese të shqiptarëve dhe instalimin e ideologjisë së vjetër të imperializmit dhe izolimit të vendit. Duke iu referuar situatës politike në vend, Balliu thekon se opozita po i faturon shtetit një kauzë që nuk ekziston dhe se Edi Rama po ndërton një realitet tejet virtual.
“Në kushtet e një shteti demokratik, shteti të së drejtës, raportet parlamentare janë të përcaktuara siç është e garantuar e drejta e opozitës për të protestuar. Kauza dhe qëllimi i protestës së opozitës nuk ka të bëjë me realitetin aktual politik të Shqipërisë. Edi Rama është duke bërë as më shume as më pak se çka bërë ish-udhëheqja e PKSH-së, duke filluar nga Enver Hoxha, Dushan Mugosha e deri te Ramiz Alia. Ai nuk bën gjë tjetër, veçse ka zëvendësuar imperializmin dhe botëkuptimin e Enver Hoxhës. Rama po ndërton një realitet virtual. Tezat e tij janë të baza, si p.sh ajo e mosbindjes civile, apo e ngritjes së klasës punëtore, kjo është tezë leniniste”- u shpreh publicisti Balliu.
Ai vëren më tej, se Edi Rama nuk ka lidhje me interesat e kombit dhe të shqiptarëve në tërësi, për integrimin euroatlantik, por ai po punon kundër tyre, duke improvizuar një betejë virtuale, kundër rendit demokratik të Shqipërisë.
“Filozofia e Edi Ramës, është aq e vjetrës sa as edhe ndonjë komunist nuk e beson. Ai kërkon me çdo kusht të dhunojë shtetin e të drejtës dhe vendimet e Gjykatës. Edi Rama nuk ka asnjë respekt ndaj gjykatave, duke vijuar kështu rrjedhën e veprimeve të Stalinit”, tha Fahri Balliu.
Lidhur me ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare, pjesë e boshtit të kombit, Durrës-Morinë, publicisti dhe botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu, tha se “kemi hyrë në shekullin e korrigjimit të gabimeve të historisë së botës”.
“Ky është një moment madhor për çdo shqiptar. Mendoj që është rasti që forcat politike shqiptare ta paramendojnë si një përmasë të re historike. Kjo ngjarje, është një mësim shumë i mirë për ata politikanë që mendojnë vetëm për lëkurën e tyre. është rasti të reflektojmë. Vetë opsionet euroatlantike që kanë shqiptarët i kanë bashkuar dhe do t’i bashkojnë. Rruga, në plan të parë ka zhvillimin e tregtisë dhe biznesit mes dy vendeve”, tha më tej, Balliu.