Nevoja jetike e Ramës për të holla për fushatën shton terrorin fiskal ndaj biznesit në kryeqytet
Kryebashkiaku, ultimatum për mbledhjen e taksave vendore
TIRANE - Afrimi i fushatës elektorale ka shtuar terrorin fiskal të bashkisë së Tiranës për mbledhjen e taksave si nga sipërmarrjet private ashtu edhe nga familjet kryeqytetase. Ndërsa ka injoruar deri tani apelet e Ministrisë së Brendshme për të mos u bërë pengesë për pajisjen e qytetarëve me kartat e reja të identitetit përmes kushteve që
në këmbim të shërbimit të dhënies së certifikatave të paguhen taksat e 4-fishuara, kryebashkiaku Edi Rama ka lëshuar një ultimatum të prerë ndaj bizneseve në kryeqytet duke paralajmëruar masa të forta shtrënguese, me qëllim mbledhjen e taksave.
Sipas këtij urdhri të gjithë bizneset, të cilët regjistrohen për herë të parë pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe ushtrojnë veprimtari brenda qytetit të Tiranës, duhet të paraqiten në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore për t’u pajisur me kod vendor. Bashkia paralajmëron të gjithë bizneset që regjistrohen në këtë periudhë se “duhet të shlyejnë detyrimet vendore deri më datë 20 Prill 2009”.
“Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore kërkon të sigurojë se “do të kryejë të gjithë procedurat përkatëse, me apo pa paraqitjen tuaj, për përmbushjen e këtij detyrimi ligjor”, thuhet më tej në direksionin e kryebashkiakut Rama.
Nisur nga sa më sipër, bashkia u thotë bizneseve se i fton që të paguajnë detyrimin tatimor të vitit 2009 brenda afateve të përcaktuara, me qëllim mosaplikimin e masave administrative për vitin 2009. ultimatumet bëhen vetëm kur situata është shumë e ndërlikuar dhe për Edi Ramën tashmë është një moment i tillë.
Në vështirësi financiare dhe me pak gjasa për sukses elektoral, atij i duhet që gjithçka ta kompensojë me financa dhe si gjithmonë (është e vetmja gjë që di të bëjë), paratë ai i kërkon me forcë nga taksapaguesit kryeqytetas. Merret vesh se kjo lëvizje nuk do të ketë gjasa suksesi dhe këtë e di mirë edhe kryebashkiaku, por ai s’e pati problem ta bëjë një tentativë, me logjikën e dështakut se kushedi çdo të ndodhë.