E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, bëhu burrë e jep shpjegime

25/08/2010 Qëndrimi i mazhorancës

Partia Demokratike ka kërkuar përsëri ditën e djeshme nga kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të japë përgjigje akuzave të ngritura ndaj tij për pazare antiligjore me lejet e ndërtimit. Deputeti demokrat Gerti Bogdani ka deklaruar se Rama nuk duhet të fshihet, por të japë llogari për akuzat e ndërtuesve, të cilëve u merrte për çdo leje ndërtimi të dhënë mbi 20%, përmes sekserit të tij, sipas PD-së, “Lepurit të Ramës”. Deputeti Bogdani i ka kujtuar kryebashkiakut Rama akuzën e ndërtuesit Dodë Doçi, të adresuar ndaj kryebashkiakut pikërisht sepse ky i fundit i ka kërkuar 20% të vlerës për një leje ndërtimi, apo akuzën e Dine Frashëri, për detyrimin prej 20% për lejen e ndërtimit, si dhe akuzën më të fundit të deputetes demokrate Albana Vokshi me dokumente e prova. “Pas akuzës që ndërtuesi Dodë Doçi i ka bërë Ramës se i ka kërkuar 20% të vlerës për një leje ndërtimi, akuzës së ndërtuesit tjetër të njohur Dine Frashëri, për 20% që është detyruar t’i japë Edvin Ramës për lejen e ndërtimit, akuzës së medias dhe deputetes Vokshi me dokumente e prova se 20% e kontratës së vlerës së ndërtimit tek liqeni është detyruar të kalojë në emrin e Lepurit të Ramës, unë dhe qytetarët presim përgjigje. Shqiptarët presin shpjegimet e tij”, - tha Bogdani. Deputeti i PD-së, Gert Bogdani, në mungesë të kreut të PS-së dhe Bashkisë Tiranë, i drejtoi disa pyetje për të cilat demokratët ende nuk kanë marrë përgjigje, sa i përket numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna në këto 12 vjet qeverisje të Tiranës, vlerës së tyre, pasurisë së grumbulluar nga Rama për gjobën, sipas tij, ndaj çdo lejeje ndërtimi, pasurinë e kaluar në emër të partnerëve të vet. “Fol zoti Rama. Bëhu burrë e jep shpjegime”, - tha deputeti i PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›