E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka shkelje ligjore në kontratën për koncesionet

25/08/2010 Përplasjet mes PS-së dhe Ministrisë së Ekonomisë, reagon Prifti

“Opozita vazhdon me një politikë ekzagjerimesh dhe shpifjesh”

Ministria e Ekonomisë dhe Partia Socialiste vijuan dhe dje në distancë replikat dhe kundërreplikat mes njëra-tjetrës. Këto dy institucione prej kohësh debatojnë mes tyre, duke mos kursyer gjuhën kritike dhe akuzuese, ku secila palë mbron me forcë faktin se qëndrimet e bëra publike janë të vërteta. Në të njëjtën linjë ishte dhe dalja publike e vetë ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili zgjodhi që të paraqesë personalisht para mediave kontratën e nënshkruar mes firmës së Arjan Tartarit dhe Ministrisë së Ekonomisë për koncesionet e hidrocentralit mbi lumin Kardhiq. Ishte vetë opozita, ajo e cila dy ditë më parë kërkoi nga ministri e Ekonomisë të publikonte kontratën e hidrocentralit të Kardhiqit, e cila sipas saj i është dhënë në mënyrë abuzive bashkëjetuesit të deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Në këtë mënyrë, në daljen e tij publike ministri Prifti u shpreh se kjo kontratë që sulmohet nga opozita është e ligjshme dhe është dhënë në përmbushje të gjithë ligjeve të vendit.“Ka qenë një konsorcium prej katër kompanish që ka marrë kontratën e koncesionit për lumin Kardhiq. Unë nuk shoh asnjë nxitim, asnjë problem me këtë kontratë. Kjo është një kontratë që është negociuar më shumë se kontratat e tjera”, vuri në dukje Prifti, gjatë fjalës së tij. Madje, në këtë kontekst, Prifti bëri me dije se në çdo moment që opozita kërkon të ketë kopje origjinale të kontratave të lidhura me këtë ministri, ato do t’u vihen në dispozicion nga Sekretari i Përgjithshëm. Por në gjykimin e ministrit Prifti, opozita, përpara se të akuzojë duhet të kërkojë dokumente dhe të flasë për abuzime dhe korrupsion. “Më vjen keq që PS vazhdon me një politikë ekzagjerimesh dhe shpifjesh. Nuk është meritë të manipulosh të vërtetën. Nuk bëhet politikë. Unë në syrin e një eksperti nuk shoh asnjë nxitim, asnjë shkelje ligji në këtë kontratë. Koncesioni është vetëm për një kaskadë dhe ka vetëm një licencë”, u shpreh, Prifti, sa i takon një çështje të tillë. Njëkohësisht, në komunikimin e tij me mediat, ministri u ndal dhe në një tjetër moment, e konkretisht në pretendimet e ngritura nga opozita parlamentare për lidhje familjare te ministrave te kabinetit qeveritar me personat, të cilët kanë përfituar leje koncensionare. Referuar një pretendimi të tillë ministri Prifti u shpreh i bindur se edhe nëse ka raste të tilla nuk është cenuar në asnjë moment ligji. “Nuk ka pasur shkelje te ligjit nga asnjë ministër i djeshëm apo i sotëm në lidhje me dhënien e koncesioneve. Të gjithë janë të lirë për sipërmarrje të çfarëdo natyre, mjafton të zbatojnë ligjin”, vlerësoi Prifti mbi këtë çështje. Gjithashtu, në deklaratën e tij për shtyp Prifti u ndal tek situata energjetike në vend, të cilat sipas tij janë më se të favorshme për vendin. Në vlerësimin e dhënë nga Prifti rezervat ujore janë më të larta se një vit më parë dhe garantojnë prodhimin e energjisë deri në muajin dhjetor. Aktualisht prodhohet 10 milionë kwh energji në ditë, ndërsa konsumi arrin në 18 milionë kwh. Ndërkaq importohen rreth 8 milionë kwh energji për të mbuluar konsumin dhe humbjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›