“Edi Rama dhe opozita janë kyçur në një gabim madhor historik për mosnjohjen e lirë të qytetarëve”
Kryetari i PD-së, Kryeministri Sali Berisha, flet për “Zërin e Amerikës”, në prag të marrjes së një mandati të ri si kryetar i mazhorancës
Në Tiranë, Partia Demokratike diskutoi dje në kongresin e saj, reformat ekonomike e sociale që ka ndërmarrë qeveria e re pas fitores së zgjedhjeve të qershorit. Kryeministri Berisha përshkroi buxhetin e ri si një mbështetje e madhe për shtresat e varfra, si edhe mbi problemet e arsimit dhe shëndetësisë. Në këtë Kongres zoti Berisha po kandidon që të rizgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Kryeministri Sali Berisha tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën socialiste për reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, por përjashtoi mundësinë që të rishikohen materialet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri Berisha tha se për këtë temë nuk do të ishte e mundur as edhe një tryezë partiake me presidentin.
Çfarë është për Partinë Demokratike ky Kuvend?
Partia Demokratike pasionin e parë ka pasionin e lirisë, çka do të thotë garantimi i saj si kusht i domosdoshëm për qytetarët, për opozitën për shoqërinë në tërësi. Në këtë kontekst ekziston vlerësimi më i madh për opozitën dhe rolin e saj, vendosmëria e plotë për bashkëpunim me opozitën në kuadër të reformave të mëdha. Por dua të theksoj këtu, se aq sa jemi të vendosur në garantimin e lirive po aq të vendosur jemi në mbrojtjen e vullnetit të lirë të qytetarëve. Mendoj se opozita ose krerët e opozitës janë kyçur në një gabim historik, në një gabim madhor historik për mosnjohjen e lirë të qytetarëve. Një votë të cilën e firmosën 20 mijë anëtarë të saj në komisionet zgjedhore në të gjithë nivelet, e firmosën të gjithë institucionet e ndërkombëtarëve, nuk do ta njohë dhe ta respektojë Edi Rama. Së fundi deklaroj që unë njoh votën, por jo Parlamentin legjitim të dalë nga vota, këto janë mangësi të tmerrshme në gjykimin politik të një force moderne, ndaj dhe e ftoj opozitën të vijë në parlament të vendosur për të gjithë hetimin që opozita kërkon përveç vendimi të gjykatave. Edi Rama po troket të katër herë në ditë në dyer të gjykatave dhe bën mirë, kjo është një arritje. Por nuk pranon të mos vejë në diskutim, por kërkon shqyrtim politik, të vendimi të gjykatës që e kemi zgjedhur me konsensus, për numërimin apo rinumërimin e votave. Në këto zgjedhje kam bindjen më të thellë se askush nuk ka humbur, sepse këto janë zgjedhje e para që ne nxorëm vendin nga lista e zezë e zgjedhjeve më problematike. Pra ai po përpiqet të njollosë një proces të tillë në kundërrymë totale me forcën e tij politike, mbarë shoqërinë shqiptarë dhe komunitetit ndërkombëtar.
Një tryezë e partisë me presidentin siç ka funksionuar dikur a mund të ishte një ide?
Ka një problem serioz, ashtu siç e ka shprehu dhe vetë Presidenti. Presidenti është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai në konceptin tim dhe çdo zyrtar i këtij vendi nuk mund të pranojë kurrë të negocioj për një vendim gjykatash. Vendimet e gjykatave janë të pa negociueshme. Për problematikën tjetër i kemi bërë një pakte dinjitoze opozitës të cilës mendoj se duhet ta shqyrtojë me gjakftohtësi. Në këto zgjedhje është opozita që ka përcaktuar Kodin dhe Sistemin. Unë që flas, kemi fituar në këto zgjedhje 160 mijë vota më shumë se zgjedhje e 2005, por këto nuk na janë konvertuar në mandate për shkak të sistemit që zgjodhi Edi Rama. Dhe unë nuk kam keqardhje, sepse për mua e para e të gjithë parave ishte të isha sigurinë e plotë opozitës në procesin zgjedhor dhe këtë e realizova.