E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PD do kthejë Shqipërinë në tokën e premtuar”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli

Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli hapi punimet e këtij Kuvendi duke shprehur falënderimet e saj për themeluesit e kësaj force politike dhe të gjithë kontribuuesit në fitoren e çmuar të PD. Kryetarja e kuvendit e cilësoi mbajtjen e këtij Kongresi, si mbledhjen e fitores. “Kjo është faza e II e Kuvendit të PD. Ky është kuvendi i fitores së mandatit të dytë të Partisë Demokratike. Vetëm 4 vjet dhe vendi ynë është transformuar. Në 2005-ën Shqipëria ishte pa drita, në terr të thellë. Sot, Shqipëria ka 24 ora drita. Para 2005-ës Shqipëria nuk kishte investime të huaja, rroga e arsimtarëve dhe mjekëve ishte vetëm 20 000 lekë, ishin pensionet më të ulëta në kontinent. Por ju nuk u dorëzuat, Shqipëria ka përjetuar ndryshimet më të mëdha me Partinë Demokratike. PD-ja ka bërë histori. Ju, sot keni më shumë vite në supe, unë po ashtu më shumë. Vetëm Shqipëria bëhet më e re, e më moderne. E kjo më bën krenare. Na bën të gjithë krenarë. Nga ky kuvend, ne  duam  të falënderojmë  çdo shqiptar për rrugën e progresit që bashkë kemi bërë. Të jesh në politikë do të thotë, çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë të mendosh se çfarë tjetër mund të bësh për to. Kur ishim në opozitë, ne  kemi dëshmuar një forcë të madhe. Ne kishim besimin. Ne kishim motivin. Ne të gjithë kishim ëndrrën. Sot, ne kemi punën e realitetin”, u shpreh ajo. Nënkryetarja Topalli nënvizoi se në katër vjet Shqipëria shënoi transformime të thella, është një Shqipëri krejt ndryshe dhe e ndryshuar tërësisht. “Nuk kishim drita, në fshatra deri në 15 orë. Në qytete deri në 8-9 orë. Sot, sot kjo është e paimagjinueshme! As nuk e mbajmë mend. Sot eksportojmë energji. Gjatë opozitës ne kemi denoncuar çdo ditë, politikën shtetërore të mbajtur peng nga bandat kriminale që terrorizonin jetën e shqiptarëve. Në atë kohë shkoja shpesh në Lushnjë. Njerëzit nuk flisnin. As me sy. Ishte frika e Aldo Bares. Shkonim në Durrës. Biznesi nuk ngrinte kokë nga frika e bandave të Lul Berishës. Në Vlorë, sa herë kam shkuar për të marrë trupat e të mbyturve nga skafistët. Para 2005 nuk kishte investime të huaja. Në atë kohë kishim një buxhet vetëm 2 miliard $. Të rinjtë nuk mund të hynin të gjithë në universitete. 4 vite më parë rroga e mësuesit ishte 20 mije lekë. Pensioni në fshat ishte 3 mijë lek. Nuk kishte rrugë. Kishte korrupsion. Nuk kishte eksporte. Kishte vetëm drogë e trafiqe. Ishte koha kur çdo zyrtar i lartë punonte vetëm për veten. Ishte një garë pasurimi e paparë. Për procese integruese nuk bëhej fjalë. Çdo gjë kishte ndalur. Ishin kohë të vështira. Por, ju, ju nuk u dorëzuat kurrë, para asnjë vështirësie. Unë përulem para qëndresës suaj. Sot, ne nderojmë Azem Hajdarin. Azem ti je gjallë. Vetëm 4 vite më parë, ato na thonin se do ishim opozita e përjetshme. Në fakt shqiptarët mendonin e vendosën ndryshe. Na besuan në 2005. Shqiptarët i thanë Sali Berishës: Na drejto! Na thanë drejtoni e  mbajeni fjalën. Sfida ishte e madhe. Motivi ishte edhe më i madh. Vullneti politik më i fortë se kurrë. Dhe sot: Nuk ka më banda. Aldo Baret janë në burg”, deklaroi ndër të tjera kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Sipas kryetares së Kuvendit, nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, Shqipëria shënoi reforma të thella. “Rrogat dhe pensionet pësuan rritje të ndjeshme. Mësuesit dhe mjekët në këtë vend kanë një rrogë dinjitozë, pensionistët po ashtu marrin dy herë më shumë se në 2005-n”, tha ajo.
Lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, Topalli tha se, “ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO dhe po shkojmë më dinjitozë se kurrë drejt integrimit në BE”. Në drejtimin e Partisë Demokratike, tha ajo, rrugët e qyteteve e të vendit u ndërtuan. “Berisha bëri Rrugën e Kombit. Imazhi i vendit u përmirësua. 4 vite të një vrulli të paparë. Të një pune titanike  kolosale. Punuam me zemër e ia dolëm, të gjithë bashkë”, theksoi Topalli.
Për sa u takon zgjedhjeve të 28 qershorit, kryetarja e Kuvendit u shpreh se Shqipëria bëri zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë. “Plotësuam angazhimet e OSBE, siç u certifikua nga ndërkombëtarët. Më 28 Qershor fitoi demokracia. Për këtë çdo shqiptar ka meritë. Të gjithë ju keni meritë. Zgjedhjet u bënë të lira e të ndershme. Të gjithë ishim të kënaqur. Ditë e bukur. Shqiptarët folën. Na thanë drejtoni Ju. Drejtoni përsëri Ju, Z. Berisha. Na thanë: Tani duam Europën. Tani duam të lëvizim pa viza. Ky ishte rezultati i punëve të mira. 28 Qershori ishte mandati i dytë i fitores, jo thjeshtë i yni. Jo, i gjithë shqiptarëve. Për ne, për të gjithë ju, zemra e votës është Shqipëria. Shpirti i fitores janë shqiptarët”, tha ajo.
Duke iu referuar qëndrimit të paprecedentë të Partisë Socialiste Topalli tha se Edi Rama nuk pranon 28 qershorin, ashtu siç nuk pranon 8 dhjetorin e ’90-s. “Vetëm një person nuk do të pranojë se ka humbur. Nuk pranon 28 Qershorin. Ashtu siç nuk pranon 8 dhjetorin e 90’. Nuk duron që nuk është në pushtet. Nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve të lira. Ai nuk pranon themelin e sistemit demokratik. Në fakt, ai nuk është PS-ja. Ai e ka zaptuar PS-në , siç zapton rrugët për pallate. Ai nuk është PS-ja”, deklaroi më tej kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›