“Edi Rama do ta kujtojë me mall humbjen e 2009-ës, 2013-a do jetë më e thellë”

Kryeministri Sali Berisha paralajmëron fitore të thellë në zgjedhjet vendore të 8 majit
Në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u miratua lista me emrat e kandidatëve për bashkitë dhe komunat e vendit, kryeministri Sali Berisha deklaroi se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” do t’i fitojë bindshëm këto zgjedhje sepse po bën fushatë për qytetarin dhe jo për politikën apo politikanin.
“Ne shkojmë në këto zgjedhje të sigurt në fitore të merituar. Në shkojmë në këto zgjedhje pasi kemi krijuar aleancën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë, aleancë që përfaqëson të gjitha rekordet elektorale, mbi 55 për qind të shqiptarëve. Por kjo nuk mjafton. Këto janë zgjedhje ku në epiqendër totale të tyre është vendosur qytetari. Ndaj dhe aleanca u shpall si ‘Aleanca për Qytetarin’. Unë nuk po hyj në detaje, por dua t’ju rrëfej diçka. Tek po diskutonim për himnet e adrenalinës së fushatës unë u shpreha një herë për ‘Barracuda’, një herë tjetër për ‘Eyes of the tiger’. Qytetarin kam unë himn të adrenalinës. Kur nuk pi kafe dëgjoj një prej tyre. Jua thash këtë për t’ju treguar se gjithçka në total do të jetë për qytetarin, si rruga më e sigurt për të ndërtuar qindra e mijëra projekte në interes të qytetarit shqiptar; si rruga më e sigurt për të zhvilluar këtë vend me shpejtësinë më të madhe; si rruga më e sigurt për të arritur fitoren më të thellë që nga ’92 e deri më sot”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se koalicioni i madh i shqiptarëve ka përballë aleancën e së shkuarës, aleancën e Partisë së Punës.
“E dini që zoti Rama u rikthye te dashuria e tij e vjetër, i rezistoi i njërës prej atyre partive të ekstremit të majtë, por nuk i rezistoi dot tjetrës, partisë së gjakut. Aty u dorëzua. E përfshiu Partinë e Punës. Shumë emra dhe nofka donin t’i vinin, se mua më funksionojnë shumë mesazhet. Një herë thanë ta quanin aleanca e fajit, por e lanë se fajin e ka Saliu. Tjetri tha ta quanin aleanca e betonit. Faktikisht, në rrafshin parimor këta u shfaqën si aleanca e së shkuarës. E bëri me qëllimin për të shprehur një dhimbje për emrin e ndryshuar. E bëri nga nostalgjia për etërit shpirtërorë. E bëri se sërish i tingëllon një hormon brenda kokës, slogani Partie e Punës, Parti e Punës. Atë e di vetë ai, por ne jemi aleanca e qytetarit, për qytetarin, me qytetarin”, deklaroi kryeministri Berisha duke shtuar se “Aleanca për Qytetarin” shkon e sigurt në një fitore të shkëlqyer sepse ky koalicion është vetëm për qytetarin dhe ka faktuar se di t’i mbajë premtimet.
“Ne para çdo shqiptari dalim si qytetarë, si prindër, si familjarë, si zyrtarë, si politikanë, që kemi mbajtur premtimet tona. Ne kemi mbajtur premtimet tona duke filluar nga ujësjellësit e vegjël dhe kanalizimet e lagjeve të fshatrave, tek shndërrimi i ëndrrave më të mëdha të këtij kombi në realitet. Ne kemi shndërruar në realitet një Shqipëri tjetër sot, një Shqipëri që ende nuk ka infrastrukturën e kompletuar siç e meriton por një Shqipëri në të cilën këto vite janë bërë më shumë se tridhjetë mijë vite të marra së bashku si infrastrukturë”, tha Berisha.
Ne këto pesë vite do të shtonte Berisha, qeveria demokratike bëri sa kurrë ndonjëherë për fëmijët e qytetarëve shqiptarë.
“Dyfishuam rrogat e mësuesve. Unë e kuptoj që janë dyzetmijë mësues dhe nuk janë saç janë shqiptarët, por janë misionarët që ne u besojmë fëmijët, shkollimin, edukimin dhe mësimin e tyre. Këtë ne e kemi bërë edhe me mjekët e infermierët. Po ndërtojmë kudo shkolla europiane. Kemi çuar internet në çdo shkollë, kudo që ndodhet. Në vitin 2005, pas ardhjes në pushtet, kur unë shpalla këtë projekt opozita e përqeshi, por skepticizmi ishte universal. Dhe normal. Ndërsa sot, kudo që shkojmë, të rinjtë nuk flasin për gjë tjetër më shumë sesa për internetin. Në qeverisjen tonë ne kemi shpallur se nuk braktisim asnjë zonë. Aty ku është komuniteti do të jemi ne. Unë e kuptoj se nuk i kemi prekur, nuk kemi arritur tek të gjithë”, vuri në dukje kryeministri.
Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” shkon në këto zgjedhje me synimin e madh, votën e lirë.
“De fakto kemi nisur fushatën elektorale, përgatitjet intensive, ndaj dhe unë, duhet të përcjell ju, të gjithë kandidatëve të ‘Aleancës për qytetar’, t’ju përcjell të gjithë strukturave simpatizantëve të Partisë Demokratike qëllimin më madhor, të kësaj fushate, votën e lirë të shqiptarëve. Ne jemi parti e votës së lirë, jemi, qytetarë të këtij vendi, të bashkuar pavarësisht të gjitha dallimeve të tjera, tek besimi ynë, i hekurt i palëkundur tek vota e lirë dhe vlerat e saj”, tha Berisha.
Kreu i PD vlerësoi se Shqipëria shkon në zgjedhje lokale 2011, me një kuadër ligjor konsensual, standarde të larta teknologjike te numërimit dhe me parimin themelor të respektimit të votës së lirë të qytetarëve. Ai vuri në dukje se zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës ishin zgjedhje që plotësuan standardet e BE.
“Kjo qeveri kjo shumicë ka përgjegjësi. Për të arritur në standardet më të mira, ka bërë investimet më të mëdha, sot ne shkojmë drejt zgjedhjeve me një kuadër ligjor tërësisht konsensual, të respektojmë çdo votë të qytetarëve shqiptare. Zgjedhjet e 2009 nuk ishin vetëm zgjedhjet më të mira, jo, ishin zgjedhje që plotësuan, standardet kryesore të OSBE. Por ajo që u bën çudi është se nuk pati asnjë provë që pati manipulim të rezultateve dhe numërim jo të rregullt. Unë kam besimin më të madh se këto zgjedhje do të jenë me standardet më të mira. Ne shkojmë në këto zgjedhje të sigurt në fitoren e merituar. Ne shkojmë në këto zgjedhje pasi kemi krijuar aleancën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë”, theksoi Berisha.
Gjithashtu, kryeministri Berisha do të deklaronte se për kundërshtarin e tij politik humbja e 8 majit do të jetë e treta për të dhe PS-në, ndërsa në 2013-ën do të pësojë schok-un më të rëndë elektoral, aq sa do kujtojë me mall humbjen e 2009-ës.
“Unë e garantoj se në vitin 2013 do t’i duket lule viti 2009, ndërsa në 2011 përgjigjen më të plotë do ta ketë nga zoti Basha. Pasi humbi dëshpërueshëm në vitin 2009 tani u thotë qytetarëve se ju nuk ekzistoni por për mua ekziston vetëm obsesioni im Berisha. Zoti Rama, në panik, sapo e mori vesh se ne do bënim konventën për kryetarin tonë vrapoi të Balla i tij për të shpallur kandidaturën, se pati frikë mos nuk e voton forumi. Kanë tensione të mëdha. Megjithatë janë punët e tyre, ne nuk hyjmë farë në ato çështje. Ne, dhe unë tani, e hapëm fushatën e Tiranës me modelin e fushatës tonë. Jam i sigurt se ecim drejt fitores më të bukur dhe më të thellë që kemi njohur që nga viti 1992. Është shumë e rëndësishme që pas 20 vjetësh të përsërisim atë kurore që do të shndrisë në shekuj si kurora e themelimit të sistemit demokratik në Shqipëri”, deklaroi kryeministri.