Zgjedhjet lokale, 5 deputetë dorëzojnë mandatet

5 deputetë ndër ta dhe 2 ministra kanë paraqitur dorëheqjen, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Përmes një njoftimi për shtyp, zyra e shtypit të Kuvendit të Shqipërisë ka informuar se përkatësisht deputetët e Partisë Demokratike dhe njëherazi ish ministrat Lulzim Basha dhe Ferdinand Xhaferraj kanë paraqitur dorëheqjen nga mandati i deputetit. Po ashtu edhe Adian Kollozi i Partisë Demokratike, Gjok Jaku dhe Fatos Tushe nga Partia Socialiste, kanë depozituar në Kuvend kërkesat e tyre, për dorëheqjen nga mandati i deputetit. “Me datë 25.3 2011 zoti Lulzim Basha ka paraqitur me shkrim në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit (shkresa nr. 830, datë 25.3.2011).
Me datë 28.3.2011 zoti Ferdinand Xhaferraj, zoti Fatos Tushe, zoti Gjok Jaku dhe zoti Ardian Kollozi kanë paraqitur me shkrim në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit përkatësisht me shkresat nr. 857, datë 28.3.2011; nr. 850, datë 28.3.2011; nr. 853, datë 28.3.2011 dhe nr. 858, datë 28.3.2011”- thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit të Shqipërisë.