E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demaçi: Këtu ekziston një mafie ndërkombëtare



Veprimtari i njohur, Adem Demaçi, në një intervistë dhënë radios “Evropa e lirë”, ka vlerësuar se zgjedhjet lokale në Kosovë, marrë parasysh rrethanat aktuale ekonomike dhe politike të Kosovës, nuk do të sjellin asgjë të re. “Vetëm mund të ndërrohen njerëzit, por sistemi dhe procesi nuk ndryshon. Qëllimi është që të ndryshojë sistemi dhe procesi, i cili po prodhon probleme dhe ato probleme, duke filluar prej korrupsionit e të gjitha të zezat tjera, me të cilat është pllakosur Kosova, nuk ka perspektivë që të hiqen nëse ndërrohen njerëzit, kurse vazhdon sistemi edhe vazhdon e njëjta rrugë dhe e njëjta sjellje si e atyre jashtë, si e këtyre brenda këtu në Kosovë”, - ka thënë ai. Demaçi ka potencuar se nuk është optimist. “Ja p.sh., na i premtuan vjet 1 miliard e 400 milionë euro, e askush nuk i përmend më ato. Kur do të zhvillohet Kosova, kur do ta përparojë bujqësinë e vet, kur do ta ndërtojë industrinë e vet të lehtë, atë të rëndë, kur do ta zgjidhë problemin e energjetikës, kur do ta zgjidhë problemin e ujit?”, - pyet ai. Këto janë probleme që, – sipas tij, – po na e vrasin syrin, trupin edhe shpirtin. “Ja, po bëhet gati investimi në një termocentral, i cili do ta ndotë krejt Kosovën e vogël. Në një të ardhme të afërt, ata do të detyrohen ta mbyllin atë termocentral, sepse krejt bota është ngritur kundër ndërtimit të termocentraleve me thëngjill, kurse tash fillojnë investime të reja në Kosovën e vogël që s’ka se si të mbrohet”, - potencon ai. Këtu, – sipas Demaçit, - është një mafie ndërkombëtare, “e cila po vepron në atë mënyrë që nuk po pyet as vullnetin e as interesin e popullit, por po vepron për t’i mbushur xhepat e vet”. Sa i përket nënshkrimit të protokolleve në mes të EULEX-it dhe Serbisë, Demaçi ka vlerësuar se “po vazhdon ajo çka ka filluar”. Fillimi e burimi i të gjitha këtyre rrethimeve që po na i bën bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, kanë nisur qysh në Rambuje, me aprovimin e rezolutës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›