E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama e humbi betejën politike që në qershor 2009

10-04-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, takim me qytetarët në Fushë- Krujë

Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht Nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka qenë dje e pranishme në Fushë- Krujë, ku u bë dhe prezantimi i kandidatit për kryetar Bashkie të “Aleancës për Qytetarin”, Bilal Stafuka. Banorët e Fushë- Krujës e kanë pritur me entuziast dhe me angazhim vizitën e kryetares së Kuvendit në Fushë- Krujë. Gjatë fjalës së saj kryeparlamentarja Topalli theksoi se “në zgjedhjet e 8 majit për Bashkinë e Fushë–Krujës do të jenë realizimi i Unazës, një investim prej disa milion dollarësh, sistemimi i argjinaturave të lumit të zonës për të shmangur rrezikun e përmbytjeve, shpërblimi i të gjithë dëmeve nga përmbytjet, si dhe programe të tjera zhvillimi e integrimi social. Koalicioni “Aleanca për qytetarin”, që në zgjedhjet e 8 majit, ka synuar që në drejtimin e njësive lokale dhe administrative të jenë  njerëz me integritet dhe  me reputacion të mirë, kandidatë që kanë përkushtim dhe devocion ndaj njerëzve”, tha Topalli.
Duke u fokusuar më tej te kandidati për kryetar Bashkie të Partisë Demokratike në Fushë- Krujë, Bilal Stafuka nënvizoi se ndihet e prekur, që në krye të Partisë Demokratike kemi një doktor, edhe në Fushë - Krujë, krye të bashkisë suaj një mjek, një doktor.
Në fjalën e saj, Topalli tha se mazhoranca qeverisëse vjen në këtë prag zgjedhjesh  për qytetarin me një bilanc suksesesh, ku arritja më e madhe historike, që i ka dhënë dinjitetin e merituar shqiptarëve, është heqja e vizave.
Duke iu referuar opozitës socialiste,  kryetarja e Kuvendit Topalli tha se kreu i saj Edi Rama vjen si një humbës i madh i çdo beteje politike.
“E vetmja rrugë e tij, u shpreh Kryetarja e Kuvendit , është rruga e shpifjes, rruga e konfliktit, rruga e urrejtjes. Rama është njeriu që ka humbur çdo betejë politike, që kur është zgjedhur kryetar i Partisë Socialiste. Ky zotëri kur është betejë politike e përkthen në betejë për bashki dhe kur është betejë lokale kërkon ta përkthejë në betejë politike”. Ndër të tjera Topalli u shpreh se “në të vërtetë, betejën politike Rama e ka humbur në qershor të 2009-s me Sali Berishën, sepse Sali Berisha e mundi në zgjedhjet politike”.
Më tej kryeparlamentarja Topalli theksoi se “Rama ka humbur çdo betejë tjetër politike”. “Ai e ka humbur betejën politike edhe me mua për të bllokuar Kuvendin, ka humbur betejën politike për të bllokuar axhendën e integrimit, ka humbur betejën politike për të bllokuar heqjen e vizave, ka humbur betejën politike për të mos pranuar të hyjë në zgjedhjet e 8 Majit, për ta shtyrë datën e zgjedhjeve lokale dhe administrative, ka humbur betejën politike për të ndryshuar rregullat e lojës, kur loja ka filluar. Tani ai do të humbasë edhe betejën lokale. Lulëzim Basha do ta mundë në Tiranë”.
Gjithashtu kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, nënvizoi se Partia Demokratike gjatë kësaj periudhe që ka qenë në pushtet ka investuar plot 10 milionë dollarë për Fushë - Krujën. Dhe këto janë fakte, këto janë të vërteta, ky është realiteti, larg çdo retorike, larg çdo shpifjeje, larg çdo trillimit. Kryeparlamentarja Topalli theksoi se “Fushë-Kruja do të mbetet në histori, ndryshe nga të gjithë qytetet e tjera. Ju do të mbeteni në histori për pritjen që i keni bërë presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›