E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shumë shpejt do marrë fund makthi i betonizimit”

10-04-2011 / Gazeta 55

Lulzim Basha takon banorët te “Komuna e Parisit”. Viziton edhe ish-kompleksin sportiv “Dinamo”

Zona e “Komunës së Parisit” në Tiranë, e mbipopulluar vitet e fundit, është ndër më problematiket për sa i përket infrastrukturës. Pluhur në verë dhe përmbytje në kohë shirash, kjo është pamja e përhershme e saj. Këto shqetësime i janë shprehur kandidatit për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha, i cili pasditen e djeshme ka kaluar disa orë me banorë të kësaj zone, që i përket Njësisë Bashkiake nr. 5. “Vetëm të kesh anije me kaluar këtu në këtë lagje të ‘Komunës së Parisit’ kur bie shi”, i tha Bashës një banor. “Nuk hyn në punë kjo rrugë as për këmbësorët as për makinat. Tani para një jave kanë filluar ndërtimin për fushatë, siç është bërë rruga nga ana tjetër… problemi me këto punime është që për një javë bëhen dhe për një javë prishen, besoj se e njëjta gjë do të ndodhi dhe këtu”, u shpreh e shqetësuar një banore e komunitetit.
“Na vijnë miq nga jashtë dhe na vjen shumë turp që e gjejnë qytetin tonë të rrënuar. Çdo mëngjes ngrihemi me pluhur, fëmijët janë bërë me alergji”, u ankua një banore tjetër e zonës. Banorët i shprehën kandidatit demokrat Lulzim Basha mbështetjen e tyre në zgjedhjet e 8 majit, pasi siç u shprehën ata, është e vetmja alternativë që i përgjigjet halleve dhe problemeve të qytetit dhe qytetarëve.

Më shuam terrene sportive për rininë”
“Dita e Hapur e Sportit”, një aktivitet që organizohet nga Agjencia e Shërbimeve të Sportit, kishte dje të ftuar Lulzim Bashën, kandidat për kryebashkiak në Tiranë. Ideja e kësaj dite të hapur është që të përfshijë sa më shumë qytetarë, në një kombinim mes profesionistëve dhe dashamirësve të sportit. Të rinjtë  apo çdokush që ka interes në sporte të veçanta, mund të trajnohet në këtë aktivitet nga profesionistët e fushës. Lulzim Basha e vlerësoi shumë këtë nisëm duke thënë se Bashkia e Tiranës ka në dorë dhe do të jetë një aktor i rëndësishëm në stimulimin e sporteve dhe në krijimin e sa më shumë mundësive dhe hapësirave për të përfshirë sa më shumë njerëz në aktivitete të tilla. “Më vjen shumë mirë që këto ambiente sportive i rikthehen fëmijëve, por edhe sportit këtu në Tiranë. Sepse ka kohë që ambientet sportive janë nën sulm. I sulmon dhe i kafshon betoni. Së bashku do angazhohemi që të bëjmë një kundërsulm të fuqishëm të sportit ndaj betonit, duke bërë ambiente sportive në çdo lagje të Tiranës, dhe duke i mundësuar çdo fëmije në Tiranë që të jetojë një jetë të shëndetshme sportive”, tha Basha.
Ata që kanë nevojë më shumë për sportin dhe e ardhmja e tij, janë fëmijët. Në Tiranë është bërë shumë e vështirë për ta që të kenë një lidhje dhe një perspektivë me sportin.  Kjo situatë e vështirë është një nga sfidat e Lulzim Bashës dhe prioritet i programit të tij. “Garat duhet të shikohen si një kontribut për përmirësimin e jetës. Unë jam i vendosur që këtë garë ta shikoj si një kontribut për përmirësimin e jetës në Tiranë dhe një aspekt shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës është sporti”, tha Basha.
Në këtë aktivitet morën pjesë sportistë me zë dhe të suksesshëm në disiplinat e tyre, si Klodiana Shala, Sahit Prizreni dhe Agustin Kola.
Si kandidat për kryebashkiak, Lulzim Basha mbetet një mbështetës i fortë i sportit në Tiranë, si alternativa më e mirë për të rinjtë, në vend të qëndrimit në kafene, rrugë apo ambiente të tjera të papërshtatshme për ta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›