E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama emëron Saimir Tahirin sekretar të parë të Tiranës

22-02-2012 / L.Quku

Pa pranuar asnjë dialog, mbrëmë Edvini ka urdhëruar kryesinë e partisë që të shpallë një garë formale mes Saimir Tahirit dhe Ilir Zelës për kryeqytetin, duke rrëzuar pa analizë konkurrentët e tjerë, Andis Harasani, Ilir Gjoni dhe Erion Braçe. Për ta shtuar satirën, Saimir Tahiri kërkoi mbrëmë shtyrjen e garës, që Zela të ketë kohë të përgatisë parodinë e PS-së

Debate të ashpra, dhunë verbale dhe gati-gati me konfrontime fizike u shoqërua mbledhja e djeshme e kryesisë së Partisë Socialiste, që në rend dite kishte diskutimin dhe miratimin e kandidatëve të garës së PS së Tiranës. Pikërisht tema më e nxehtë e ditëve të fundit në PS, ku ishin fokusuar një pjesë e mirë e deputetëve si dhe, ishte përqendruar vëmendja e bazës socialiste, për një garë të lirë dhe të ndershme për degën e PS, më të madhe në vend, atë të Tiranës, rezulton të përkthehet në një zhgënjim të madh, ndërsa ata që pretenduan për pluralizëm në këtë proces, mjaftohen me etiketën e “shpresë-humburve”. Mbledhja maratonë prej 3 orësh prodhoi një falsitet të paparashikueshëm, teksa me vendim kryesie, kandidatët për kryetarin e degës së PS Tiranë janë Saimir Tahiri dhe Ilir Zela. Në fillim të kësaj jave u promovuan 6 kandidatura të mundshme, kryesisht deputetë, ish ministra dhe figura të rëndësishme drejtuese në PS. Bëhet fjalë për ambiciet e Andis Harasanit, Ilir Gjonit, Erion Braçe, Alfred Dalipit, Saimir Tahirit dhe Ilir Zelës. Një garë e cila në pamje të parë të ofron një shumësi alternativash dhe vlerash demokratike, çka përbën qasjen dhe përplasjen e programeve dhe alternativave, por, në të vërtetë nuk është kështu. Me bekimin e kryesocialistit deputetët Harasani, Braçe, Gjoni dhe Dalipi skarcohen nga lista e ‘kandidatëve’, ndërsa Saimir Tahiri dhe Ilir Zela kalojnë në fazën tjetër. Sigurisht që ishte një zhvillim surprizë dhe i papritur për jo-anëtarët e Kryesisë, por që janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si dhe për socialistët e Tiranës të cilët e dinë shumë mirë se nga kjo garë do dalë i njëjti produkt që ka drejtuar PS-në e Tiranës këto 7-8 muaj, Saimir Tahiri. Surpriza ishte deri në këtë fazë, pra me përçarjen e kryesisë, por që do t’i shërbejë politikisht Edvinit pavarësisht risqeve të më pasme, pasi Tiranën do ia besojë partizanit të tij, duke i lënë rrugë të hapur karrieristit të dështuar përballë një kandidati kukull që do jetë thjesht fiktivisht në garë. Kjo nuk është e padëgjuar për socialistët, sepse jo më larg se 3 vjet më parë, Edi Rama zgjodhi si rival të tij në rikandidimin për kryetar të PS, një kandidat kukull si Maqo Lakrori, të cilit krahas përdorimit që i bëri për interesa të “garës demokratike”, e shpalli të papëlqyeshëm për forumet drejtuese të PS, thjesht e vetëm se kjo garë ilegjitime kishte marrë bekimin e rremë të po këtyre forumeve drejtuese. Kuptohet, shqetësimi parësor ishte dukja në sytë e opinionit socialist të një procesi korrekt dhe demokratik, në mënyrë që vota e socialistëve të maksimalizohej në dobi të rritjes së vlerave të përfaqësimit. Gjithsesi, dyshja qesharake Tahiri-Zela s’përbën kurrsesi surprizë për socialistët e thjeshtë, pasi precedentët janë të njohur dhe për më tepër janë të freskët në kohë. Çka do të thotë se gara e pagëzuar nga Rama me emërimin e Sajmir Tahirit formalisht de facto kryetar të degës së PS-së së Tiranës, pra një rikonfirmim të tij në postin që e mbajti prej 7 muajsh në mënyrë të komanduar (pas dorëheqjes së Besnik Barajt, i cili u bë kurban i humbjes së Ramës në Tiranë, duke marrë përgjegjësitë e dështimit!), është falsiteti i radhës dhe bastardimi politik i PS-së.
Krahas zhdukjes së pluralizmit dhe garës demokratike në PS, më therëse duket deklarata e Sajmir Tahirit pas mbledhjes së Kryesisë, i cili ndër të tjera u shpreh se “do kërkonte shtyrjen e datës së zgjedhjeve, për t’i dhënë më shumë kohë “rivalit” Ilir Zela, që të përshtatet me ambientin zgjedhor dhe të bëjë gati platformën me të cilën do paraqitet para socialistëve të Tiranës”. Pra, kuptohet qartë që, gjithçka i referohet mekanizmit të falsifikimit të garës zgjedhore për PS-në e Tiranës, në mënyrë që Rama të ketë dorë të lirë në komandimin e socialistëve të kryeqytetit si dhe të përgatisë militantët e duhur për ‘çuditë’ e ardhshme të aksioneve politike si dhe të zgjedhjeve parlamentare të pas një viti. Parodi që ndodh vetëm në PS.
Ndërkohë, burime pranë selisë rozë bënë të ditur se debatet e ashpra në mbledhjen e kryesisë shkaktuan ndasi të mëdha, teksa një pjesë e mirë e anëtarëve kundërshtuan vendimin e Ramës për këtë proces farsë dhe artificial.
Mbetet për tu parë establishmenti politik i kësaj “parodie teatrale” dhe si rrjedhojë e një krize që në thelb ka parimet ekzistenciale të identitetit të PS, përballë fraksionit të zhdukjes së vlerave dhe ngritjen e “kukullave” në piedestalin më të lartë të garës për funksionet drejtuese të partisë së dytë më të rëndësishme në vend.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›