E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsullata e Përgjithshme në Nju Jork nis zyrtarisht festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë

22-02-2012 / Gazeta 55

Konsulli i Përgjithshëm Dritan Mishto u shpreh se kultura shqiptare, tradita dhe vlerat e kombit shqiptar janë baza e sigurtë e së ardhmes dhe e miqësisë mes dy vendeve

Me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork, u organizua më 18 Shkurt 2011 në “American Theater” shfaqja e veçantë e prodhimit më të fundit kinematografik shqiptaro - amerikan “Falja e Gjakut”, fitues dhe i kualifikuar për një sërë çmimesh ndërkombëtare. Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të spikatur të komunitetit shqiptar në SHBA, drejtues shoqatash, organizatash, figura publike, etj. Për simbolikën dhe rëndësinë që ka fillimi i festimeve për 100 Vjetorin e Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë prezantim morën pjesë edhe regjisori Joshua Martson; skenaristi Andamion Murataj; aktori i njohur Çun Lajçi dhe dy yjet e rinj të kinematografisë shqiptare dhe aktorë kryesorë Tristan Halilaj dhe Sindi Laçej. Filmi “Falja e Gjakut” do të shfaqet për publikun e gjerë në datën 24 Shkurt dhe nisur nga qëndrimet e deritanishme të kritikës pritet të ketë një sukses të jashtëzakonshëm.
Në mbrëmjen e datës 18 Shkurt 2011 u organizua në Manhattan, Nju Jork “Koncerti i Muzikës Klasike me Artistë Profesionistë dhe Talente të Reja”, një  bashkëpunim i Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork me televizionin e mirënjohur të diasporës Alba Life ku krahas artdashësve shqiptarë morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik, klubeve të artit, drejtues të komuniteti, etj. Në këtë koncert interpretuan artistët e njohur shqiptarë Petrika Melo, Lindita Mezini, Magi Dizdari, Entela Barçi, Gjilberta Gelaj dhe talentet e reja shqiptare: Bledar Maqellara, Kristina Melo, Dea dhe Ina Stafanllari, etj. Duke shpallur zyrtarisht fillimin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, Konsulli i Përgjithshëm Dritan Mishto u shpreh se kultura shqiptare, tradita dhe vlerat e kombit shqiptar janë baza e sigurtë e së ardhmes sonë dhe e miqësisë mes dy vendeve. Në mbajtjen e këtij aktiviteti vlerësohet lart puna organizative dhe koordinuese e televizionit shqiptar të diasporës “Alba Life” një qendër e kulturës dhe arsimit shqip në Amerikë. Konsullata e Përgjithshme në Nju Jork ka përgatitur në bashkëpunim me diasporën shqiptare një program të gjerë aktivitetesh për këtë vit jubilar, që do të kulmojnë me festimin e 100 vjetorit të Federatës Panshqiptare “VATRA” dhe të Ditës së Pavarësisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›