Kosova dëshmon në Hagë për gjenocidin dhe mbron të drejtën e pavarësisë
Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni ka paraqitur dje në Hagë qendrimin zyrtar të autoriteteve të Kosovës, duke dëshmuar për gjenocidin e ushtruar nga serbët mbi popullin shqiptar, për të drejtën e tyre të vetëvendosjes, por edhe për suksesin në ngritjen e Kosovës si një shtet i pavarur e multietnik. Në të njëjtën ditë, Serbia ka patur vështirësi të mbrojë padinë e vet dhe i është referuar kryesisht rezolutës 1244 të OKB-së si dhe në mënyrë të përgjithshme ligjeve ndërkombëtare, por pa u ndalur specifikisht tek rasti “sui generis” i Kosovës
Sot në Hagë kanë nisur seancat dëgjimore të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat janë paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me kërkesë të Serbisë, e cila ka kontestuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si të njëanshme, që thyen ligjet ndërkombëtare dhe që bie në kundërshtim me rezolutën 1244 të OKB-së. Pak minuta para orës 15, kur ministri i jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni do të nisë ligjëratën e tij në mbrojtje të pavarësisë (seancë në të cilën argumentet e veta pro pavarësisë do t’i paraqesin 15 shtete, ndër të cilat SHBA-ja dhe Shqipëria), ai tha për mediat se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, do të rikonfirmojë pavarësinë e Kosovës. “Ajo që dëgjuam ishte vetëm rikonfirmim i së drejtës së rastit të Kosovës dhe të pavarësisë së Kosovës”, u tha ai gazetarëve në Hagë, pasi Serbia e paraqiti fjalën e saj. Më tutje, Hyseni theksoi se Kosova ka besim të plotë në gjykatë dhe në vendimet e saj. “Ne jemi të sigurt se gjykata në fund do ta rikonfirmoj vullnetin e Kosovës për të qenë e pavarur dhe vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, tha Hyseni, transmeton Radio Evropa e Lirë. Argumentet e Kosovës “Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe për parimet e demokracisë, sekularizmit, multi-etnicitetit dhe jo-diskriminimit”, ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, në paraqitjen e tij në GJND, raportuan sërish mediat ndërkombëtare, pak pas paraqitjes 40 minutëshe të shefit të diplomacisë së Kosovës. Ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, në paraqitjen e tij para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, fillimisht ka folur për pozitën në të cilën gjendet Kosova sot, për të ofruar, siç ka thënë, substancë të rëndësishme për këtë proces. Në këtë kuadër, zoti Hyseni ka përmendur Kushtetutën e Kosovës, duke e cilësuar atë si një “Kushtetutë moderne, e cila reflekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave”. Zoti Hyseni ka përmendur edhe “ligjet e miratuara që mbulojnë fusha të rëndësishme të parashikuara në Planin Ahtisaari, sikurse është decentralizimi i qeverisjes lokale, mbrojtja e të drejtave të pakicave, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare”.
Ja edhe fjala e plotë e ministrit Hyseni
Z. President, Anëtarë të Gjykatës. Ndihem shumë i nderuar që sot paraqitem përpara jush. Që në fillim, më duhet t’ju them se sa mirënjohës i jemi Gjykatës për ftesën që të marrim pjesë si në fazën me shkrim, ashtu edhe në këtë dëgjim. Ky proces është i një rëndësie të madhe për popullin e Republikës së Kosovës, i cili është duke e ndjekur atë me vëmendje të veçantë.
I. Kosova sot - Pyetja përpara Gjykatës ka të bëjë me një Deklaratë të veçantë, atë të Pavarësisë, që është shpallur në një ditë të veçantë në shkurt të vitit 2008. Por, më lejoni së pari të them disa fjalë për pozitën e Kosovës sot, me qëllimin për të ofruar substancë të rëndësishme për këtë proces. Vetëm disa muaj pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në shkurt 2008, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka hyrë në fuqi në qershor 2008. Kjo Kushtetutë është në pajtim me Planin e hartuar më 2007 nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm, Presidenti Ahtisaari, për pavarësinë e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës është një kushtetutë moderne, e cila reflekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave. Ajo mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe u jep të drejta të posaçme komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë. Populli i Kosovës është krenar me këtë dokument themeltar. Institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë të tri degët e pushtetit, tashmë janë plotësisht të konsoliduara. Në pajtim me Kushtetutën, Parlamenti i Kosovës, debaton dhe aprovon legjislacionin, dhe deri më sot ka miratuar rreth 120 ligje. Për më tej, një numër i madh ministrish implementon ligjet e Kosovës, në çështje si politika e jashtme, tregtia, biznesi, mbrojtja e mjedisit, marrëdhëniet e punës, bujqësia dhe fusha të tjera të rëndësishme. Një tërësi gjykatash civile dhe penale veprojnë në Kosovë në të gjitha nivelet për të vënë në zbatim këto ligje, dhe Gjykata Kushtetuese ka filluar së funksionuari më herët këtë vit. Këto ligje mbulojnë fusha të rëndësishme të parashikuara në Planin Ahtisaari, sikurse është decentralizimi i qeverisjes lokale, mbrojtja e të drejtave të pakicave, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Si Kushtetuta e re, ashtu edhe miratimi dhe zbatimi i këtyre ligjeve, kanë krijuar parakushtet themelore për të zbatuar Planin Ahtisaari në tërësinë e tij. Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Serbisë, dhe në të vërtetë përkundër presionit serb, serbët e Kosovës gjithnjë e më tepër po marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve në Kosovë. Pajtimi ndërmjet të gjitha komuniteteve tona ka qenë prioriteti kryesor i institucioneve të Republikës së Kosovës. Një Këshill Konsultativ i Komuniteteve është themeluar në Zyrën e Presidentit, dhe Kryeministri ka themeluar një Zyrë të Posaçme për të qenë në shërbim të komuniteteve etnike pakicë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe një numër i ligjeve rregullojnë dhe organizojnë mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, por edhe ai për Zgjedhjet Komunale, është miratuar në qershor 2008. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës si rrjedhojë është ngarkuar plotësisht me organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të 15 nëntorit për kuvendet dhe kryetarët e komunave të 36 komunave të Kosovës. Unë jam i kënaqur që mund ta njoftoj Gjykatën se, pjesëmarrja e komuniteteve jo-shumicë në zgjedhjet e nëntorit ishte e konsiderueshme. Prej 74 entiteteve të certifikuara për të garuar në këto zgjedhje, 40 sosh përfaqësojnë komunitete të ndryshme pakicë. Prej tyre, 22 ishin entitete politike të serbëve të Kosovës. Pjesëmarrja e pjesëtarëve të komunitetit serb në këto zgjedhje ishte e kënaqshme, pavarësisht thirrjeve të Beogradit për bojkot. Në një rezolutë të miratuar të enjten e kaluar, më 26 nëntor, Parlamenti Evropian mirëpriti “pjesëmarrjen shumë të mirë të serbëve të Kosovës” dhe i vlerësoi ato si “një tregues inkurajues se komuniteti serb i Kosovës është i gatshëm të marrë përgjegjësitë e veta në institucionet e Kosovës”. Ky është një moment i ri në ndërtimin e një Kosovë shumetnike. Misionet vëzhguese të zgjedhjeve të 15 nëntorit në deklaratat e tyre përfundimtare i kanë përshkruar zgjedhjet si të lira, të drejta dhe demokratike. Delegacioni Ad Hoc i Parlamentit Evropian e mirëpriti në deklaratën e vet, “procesin në vazhdim të decentralizimit dhe ditën paqësore të zgjedhjeve në Kosovë.” Deklarata e Presidencës së BE-së “mirëpriti mbajtjen e rregullt të zgjedhjeve komunale,” si dhe pjesëmarrjen e gjerë të grupeve të ndryshme etnike. Mbajtja e rregullt e zgjedhjeve të nëntorit është mirëpritur edhe nga deklaratat individuale të shumë qeverive dhe misioneve vëzhguese nga Evropa dhe më gjerë. Reagime shumë pozitive për zgjedhjet erdhën nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorët e shteteve të ndryshme të akredituar në Prishtinë, dhe OJQ të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Edhe, PSSP-ja “e vlerësoi trendin drejt një pjesëmarrjeje më aktive nga komuniteti serb i Kosovës si një hap inkurajues drejt pajtimit afatgjatë dhe integrimit me komunitetin lokal”. Bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol vital në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, dhe në ofrimin e shpresës dhe perspektivës për popullin e Kosovës. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka ofruar mbështetje të rëndësishme për popullin e Kosovës, në përgatitjen e institucioneve tona, në mënyrë që ato të jenë të gatshme për pavarësi. Pas pavarësisë, EULEX-i tash është duke ofruar asistencë në fushën e sundimit të ligjit. Populli i Kosovës është mirënjohës për të gjithë kontributin që është dhënë, dhe po jepet për zhvillimin tonë. Sa u përket marrëdhënieve me shtetet e tjera, 63 shtete tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Shumica dërmuese e shteteve në Evropë e kanë njohur Kosovën, përfshirë të gjithë fqinjët e afërt, më përjashtim të Serbisë. Shtete të tjera kanë ndërmarrë hapa që tregojnë pranimin e sovranitetit të Kosovës. Një numër total prej 109 shteteve e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Kosova ka hyrë në marrëdhënie diplomatike me shumë shtete. Ne tash kemi 21 misione diplomatike dhe 9 misione konsullore nëpër botë. Ne kemi lidhur një numër marrëveshjesh ndërkombëtare, përfshirë me Shqipërinë, Austrinë, Danimarkën, Luksemburgun, Slloveninë, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 17 tetor të këtij viti, kemi lidhur gjithashtu, një marrëveshje për kufirin me Republikën e Maqedonisë, sikurse është parashikuar në Planin Ahtisaari. Së fundi ne kemi lidhur marrëveshjen e parë për suksedim të traktateve me Belgjikën. Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë vazhduar të kenë takime të shumta dypalëshe dhe ndërkombëtare me homologë të tyre nga shtete të tjera, me vizita si brenda ashtu edhe jashtë.
Z. President, Anëtarë të Gjykatës, ne sot jemi në paqe, por sikur e dini, ka qenë një kohë kur gjendja në Kosovë ishte ndryshe. Kjo është dokumentuar mirë, përfshirë në vendimin e shkurtit të këtij viti të Tribunalit për ish-Jugosllavinë në rastin Milutinoviq. Ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë krimet kundër njerëzimit dhe terrorin që është ushtruar mbi popullin e Kosovës; gjëra të këtilla nuk duhet të përsëriten asnjëherë. Sido që të jetë, Z. President, ne në Kosovë jemi plotësisht të përkushtuar dhe të vendosur që të shikojmë kah e ardhmja. Tani, më në fund, ka paqe dhe siguri në Kosovë, dhe në rajon; jemi të vendosur që ta ruajmë këtë paqe. Tani ka mbrojtje kushtetuese të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajon: jemi të vendosur që t’i respektojmë këto dispozita. Tash është më e sigurt se asnjëherë më parë se e ardhmja e përbashkët si për Kosovën ashtu dhe për Serbinë është në anëtarësimin përfundimtar të të dy shteteve në Bashkimin Evropian, ashtu siç thuhet në raportin më të fundit të Komisionit Evropian në tetor. Pa dyshim, e ardhmja për të shtatë shtetet e Ballkanit Perëndimor është në integrimin evropian. Ne po ashtu shikojmë kah dita kur do të mund të zëmë vendin tonë si Anëtar i Kombeve të Bashkuara. Zotimet e shprehura në Deklaratën tonë të Pavarësisë dhe në Kushtetutën tonë, demonstrojnë vullnetin tonë për të marrë përgjegjësitë e këtij anëtarësimi. Në të vërtetë, Qeveria miratoi një projektligj që i mundëson Kosovës të zbatojë sanksionet e Kombeve të Bashkuara të vendosura nga Këshilli i Sigurimit, i cili pritet të miratohet shpejt nga Kuvendi.
II. Negociatat e mëtejshme për status janë të pamundshme dhe të padobishme - Z. President, Anëtarë të Gjykatës, pas gjithë asaj që ka ndodhur, është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa- për të zhvilluar negociata të mëtejshme, rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë. Siç mund t’i kujtohet Gjykatës, më 2005 ka pasur një pajtueshmëri të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare se status quo-ja në Kosovë ishte e paqëndrueshme. Për rrjedhojë, negociata intensive u zhvilluan gjatë viteve 2006 dhe 2007 për statusin përfundimtar të Kosovës, përfshirë këtu edhe çështje si decentralizimi, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare, dhe të drejtat e pakicave. I Dërguari i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, tash një fitues i Çmimit Nobel për Paqe, përgatiti një Plan të detajuar, përfshirë një paketë të masave për mbrojtjen e pakicave të Kosovës dhe një rekomandim për pavarësi për Kosovën. Duke e bërë këtë, Presidenti Ahtisaari, e pranoi se nuk kishte asnjë mundësi që Kosova dhe Serbia të mund të mbeteshin së bashku në të njëjtin shtet, pas ngjarjeve të tmerrshme të viteve të ‘90-ta. Plani ishte mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Ai ishte mbështetur plotësisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, ka gëzuar mbështetje të gjerë ndërkombëtare, por ishte refuzuar nga Serbia. Pas një periudhe të diskutimeve në Këshillin e Sigurimit dhe dërgimit të një misioni të Këshillit të Sigurimit në rajon, Grupi i Kontaktit (i përbërë nga Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) propozuan që një “Treshe” e zyrtarëve nga BE-ja, Federata Ruse, dhe Shtetet e Bashkuara të bënin edhe një përpjekje të fundit për të gjetur gjuhë të përbashkët ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger pati thënë në fillim të kësaj përpjekjeje se, asnjë gurë nuk do të mbetej pa lëvizur në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. Kosova është angazhuar në bisedimet e udhëhequra nga Treshja, aktivisht dhe në mirëbesim. Por, përkundër kësaj, një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët ishte e pamundur, para së gjithash dhe mbi të gjitha për shkak të qëndrimit skajshmërisht të papajtueshëm të Serbisë, e cila e shihte Kosovën thjesht si një pjesë territori, që Serbia duhet ta posedojë, pa as më të voglën konsideratë, çfarëdo qoftë ajo, ndaj shpresave, aspiratave, dhe frikës së popullit që jeton në atë tokë. Edhe pse për të gjetur një zgjidhje, ishte lëvizur çdo gur, populli i Kosovës duhej të ecte përpara. Mungesa e qartësisë për statusin e stagnonte ekonominë tonë, dekurajonte investimet ndërkombëtare dhe nuk na e lejonte qasjen për huamarrje në institucionet ndërkombëtare financiare. Mungesa e qartësisë për statusin po e ndalonte popullin e Kosovës të merrte pronësinë e plotë mbi institucionet e tyre demokratike. Shkurt, mungesa e qartësisë ia mohonte popullit të Kosovës, dhe në të vërtetë të gjithë rajonit, udhërrëfyesin për të ardhmen. Pas dy dekadave izolimi, lufte dhe pasigurie politike, ishim të raskapitur. Në mungesë të ndonjë marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pavarësia ishte zgjidhja që u mbështet nga i Dërguari i Posaçëm Ahtisaari. Pavarësia ishte zgjidhja që u mbështet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Pavarësia ishte zgjidhja që u mbrojt nga shumë anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë shtetet e Evropës dhe Ballkanit, pasi ato e kuptuan se shtyrja e statusit të pasigurt do të kishte qenë tepër destabilizuese, duke kërcënuar paqen në Kosovë, dhe në rajon, që bashkësia ndërkombëtare është përpjekur aq shumë për ta arritur. Pra, pavarësia ishte rruga që përfundimisht u ndoq nga populli i Kosovës, përmes përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike, më 17 shkurt 2008. Ata të cilët sot thërrasin për ripërtëritje të negociatave janë qoftë të pavetëdijshëm për situatën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të gjetur konsensus ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin. Ata që e kanë njohur Kosovën në rajon, në veçanti të gjithë fqinjët e afërt të Kosovës përveç Serbisë, në vazhdimësi e kanë theksuar këtë pikë.
III. Shpallja e Pavarësisë - Z. President, tash do të adresoj në mënyrë specifike Deklaratën e Pavarësisë, të shpallur nga përfaqësuesit e popullit të Kosovës më 17 shkurt 2008. Deklarata është bashkëngjitur në shtojcën 1 të kontributit të parë me shkrim. Pas një sërë dispozitash preambulare, janë 12 paragrafe operative. Paragrafi 1 përmban: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”. Ashtu siç është e shprehur në Deklaratë, si dhe në Kushtetutën tonë, Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare, përfshirë këtu rezolutat e detyrueshme të vendosura nga Këshilli i Sigurimit. Ky zotim nuk është lëkundur asnjëherë. Në secilën paraqitje timen në Këshill të Sigurimit këtë vit, e kam ripërsëritur këtë zotim. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i Deklaratës së Pavarësisë është zotimi, në paragrafin 2, për parimet e demokracisë, sekularizmit, multi-etnicitetit dhe jo-diskriminimit. Parimet fondamentale të të drejtave të njeriut, janë thelbësore për Kosovën. Në paragrafin 3, ne kemi pranuar plotësisht të gjitha obligimet, të cilat i përmban Plani i Ahtisaarit, përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Aspekti përfundimtar i Deklaratës së Pavarësisë, të cilin dëshiroj ta theksoj është se ajo është shpallur në emër të popullit të Kosovës, nga përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike, në një sesion të jashtëzakonshëm, si një trup kushtetues në Prishtinë, siç edhe një numër i shteteve me të drejtë e kanë theksuar në deklaratat e tyre me shkrim1. Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë nuk ishte një akt i “Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë” (“institutions provisoires d’administration autonome du Kosovo” - IPVQ, në frëngjisht), apo i Kuvendit të Kosovës duke vepruar si një nga IPVQ-të. Ashtu siç e kam shpjeguar në Këshillin e Sigurimit në qershor të këtij viti: “Pavarësia e Republikës së Kosovës është shpallur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës, përfshirë përfaqësuesit e zgjedhur të komuniteteve jo-shqiptare, përveç pjesëtarëve të komunitetit serb”. Deklarata e Pavarësisë ishte manifestim dhe realizim i vullnetit të popullit të Kosovës. Vullneti i popullit të Kosovës që të vendosë në mënyrë të lirë statusin e tij politik shkon shumë vite mbrapa. Kjo ishte e qartë për të gjithë pjesëmarrësit në Konferencën e Rambujesë të vitit 1999. Kjo ishte pranuar përmes klauzolës së “vullnetit të popullit” në Marrëveshjen e Përkohshme të Rambujesë si një element kyç në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ishte e qartë menjëherë pas konfliktit të vitit 1999, kur Rezoluta 12 44 shprehimisht i referohej marrëveshjes së Rambujesë. Ishte e qartë gjatë gjithë periudhës së administrimit të UNMIK-ut dhe ishte diskutuar dhe shqyrtuar plotësisht gjatë negociatave për statusin përfundimtar.
IV. E ardhmja e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë dhe rajonin - Pavarësisht vështirësive të së kaluarës, dhe vuajtjeve nëpër të cilat kaloi populli i Kosovës, ne ende dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë. Ne do t’i mirëprisnim bisedimet me Serbinë lidhur me çështje praktike të interesit të dyanshëm. Në të vërtetë, kjo ishte ajo që ishte paraparë në Planin e Ahtisaarit, të cilin ne e pranuam me zemërgjerësi në Deklaratën e Pavarësisë. Bisedimet e tilla do të ishin të zakonshme ndërmjet shteteve sovrane dhe të pavarura. Por, çfarëdo bisedash të mundshme duhet të zhvillohen në baza krejtësisht të barabarta, ndërmjet dy shteteve sovrane. Nuk mund të hyjmë në negociata, të cilat do ta vinin në pikëpyetje statusin tonë si një shtet sovran dhe i pavarur. Këtu nuk ka kthim mbrapa. Çdo përpjekje për ta bërë këtë, do të ishte tepër destabilizuese dhe e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon. Stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal me të gjithë fqinjët tanë mbetet një prej prioriteteve kyçe të Kosovës. Ne shpresojmë që, në kohën e duhur, edhe Republika e Serbisë do t’u bashkohet përpjekjeve të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të krijuar një mjedis të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në mbarë rajonin tonë.
V. Prezantimi i Argumentit Ligjor - Z. President, ne vazhdojmë të mbështetemi në atë që është thënë në deklaratën tonë me shkrim të prillit të këtij viti dhe në deklaratën tjetër me shkrim të korrikut. Një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Kombeve të Bashkuara ka dorëzuar deklarata me shkrim dhe komente, ose do t’i drejtohen Gjykatës gjatë këtij dëgjimi, në mbështetje të qëndrimit se Deklarata e Pavarësisë nuk ka qenë në kundërshtim me asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare. Ne e çmojmë këtë mbështetje. Këshilltarët tanë do të paraqesin elementët kryesorë të rastit tonë, të cilët çojnë deri te kërkesa jonë për Gjykatën, nëse ajo e konsideron të përshtatshme t’i përgjigjet pyetjes, që të konstatojë se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008, nuk ka qenë në kundërshtim me asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare.
Mediat ndërkombëtare i cilësojnë argumentet e Serbisë si anakronike dhe që s’premtojnë ndonjë sukses para gjyqtarëve të Hagës/“Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”, ka thënë përfaqësuesi i Serbisë, Dushan Batakoviq, në seancën dëgjimore në GJND, duke u thirrur vazhdimisht në Rezolutën 1244, që, sipas tij, “garanton integritetin territorial të Serbisë”, raporton korrespondenti i radios Evropa e Lirë, nga Haga. Pikërisht në orën 10, ashtu siç ishte paralajmëruar, në Hagë ka filluar seanca e parë dëgjimore rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Folësi i parë, pas hapjes zyrtare të seancës, ka qenë përfaqësuesi i Serbisë, Dushan Batakoviq, i cili tha se për organizatat ndërkombëtare, “veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë”, deklarata unilaterale e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi ai shpalljen e pavarësisë së Kosovës, "është një sfidë shumë e madhe". Ai tha se "ajo sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e integritetit territorial". Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë rëndësi fundamentale jo vetëm për zhvillimet në Kosovës, por edhe për rendin ndërkombëtar, ka vënë në pah Batakoviq. Ai e ka cilësuar edhe kësaj radhe Kosovën si “djep të Serbisë”, duke përsëritur kësisoj një formulim tashmë të njohur të Serbisë zyrtare. Sipas zotit Batakoviq, është pikërisht deklarata e pavarësisë ajo që i shndërroi serbët në Kosovë në një minoritet. “Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”, ka thënë Batakoviq, për të shtuar se “megjithatë, Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”. Në të shumtën e kohës, Batakoviq është thirrur në Rezolutën 1244, që, sipas tij, “garanton integritetin territorial të Serbisë”. Ai ka thënë se i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, dhe disa vende të caktuara “kanë bërë presion që pavarësia të imponohet si zgjidhje”. Batakoviq, me këtë rast, ka akuzuar, siç ka thënë ai, “ekstremistët shqiptarë për krime, veçanërisht pas fushatës së bombardimeve në vitin 1999” dhe në këtë kuadër, ka përshkruar “kishat e rrënuara ortodokse serbe dhe zbrazjen e Prishtinës nga serbët”. "Deklarata unilaterale e pavarësisë", ka thënë Batakoviq, "është një përpjekje që t’i jepet fund administrimit të UNMIK-ut dhe sovranitetit të Serbisë në Kosovë". Në mbyllje, Batakoviq ka thënë se “Serbia është e bindur se kur GJND-ja të japë mendimin e vet këshillëdhënës, vetëm atëherë do të krijohen kushte për bisedime të reja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për statusin e Kosovës”. Në favor të Serbisë ka folur edhe avokati Vladimir Gjeriq, duke përmendur aspektet procedurale dhe në këtë drejtim, sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të duhej të jepte mendimin këshillëdhënës në favor të Serbisë. Gjeriq ka thënë se mendimi këshillëdhënës në këtë rast do të jetë në shërbim të rendit ndërkombëtar. Shpallja e pavarësisë së Kosovës nga, siç ka thënë ai, “organet e përkohshme të vetadministrimit në Kosovë, nën Rezolutën 1244 dhe në këto rrethana, nuk ka mundur të jetë legjitime”. Mbrojtësi i radhës i argumenteve të Serbisë ishte eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Andreas Zimerman, i cili ka pohuar se “Rezoluta 1244 ka qenë garantuese e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë”. Zimerman ka nënvizuar se “Rezoluta 1244 nënkupton që çdo zgjidhje të jetë e harmonizuar ndërmjet dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë”. Malkolm Shau ndërkaq, pjesëtar i ekipit të Serbisë, ka thënë se njohja e Kosovës nga vendet tjera është irelevante. “Ajo që është e paligjshme nuk mund të konsiderohet si e ligjshme nga veprimet e palës së tretë”, u ka thënë ai gjyqtarëve, duke tërhequr vërejtjen se nëse mendimi i gjykatës shihet si dobësim i parimeve për të drejtat e një shtetit mbi tërësinë territoriale, “atëherë do të jetë burim i konsiderueshëm i nervozizmit për vendet tjera që përballen me lëvizje secesioniste”.
...