E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta dhe Papandreu diskutojnë për lejet e automjeteve të emigrantëve si dhe për sigurimet e tyre shoqërore

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta pritet nga Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë z Jorgo Papandreu gjatë Këshillit Ministerial të OSBE që po zhvillohet në Athinë

Gjate pjesëmarrjes në Ministerialin e OSBE-së që po zhvillohet në Athinë, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë z. Jorgo Papandreu. Z. Meta dhe z. Papandreu vlerësuan marrëdheniet mes dy vendeve dhe qeverive si të shkëlqyera dhe u angazhuan për thellimin dhe konkretizimin e tyre të mëtejshëm. Gjatë takimit u diskutua për axhendën e integrimit evropian të Shqipërisë, stadin e ri të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian pas pranimit të aplikimit për anëtarësim nga Këshilli i BE-së dhe rreth proçesit të liberalizimit të vizave. Z. Meta shprehu vlerësimin e Qeverisë shqiptare për vizionin e prezantuar nga Kryeministri grek z. Papandreu për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian brenda vitit 2014, si një vazhdimësi dhe dinamikë e re e angazhimeve të Samitit të Selanikut për vendet e Ballkanit Perëndimor. Z. Papandreu garantoi angazhimin e qeverisë greke për avancimin dhe konkretizimin e kësaj nisme, si dhe shprehu mbështetjen e plotë të Greqisë për proçesin e integrimit evropian të Shqiperisë si dhe për vendimin e pritshëm gjatë vitit të ardhshëm për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian. Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të bashkëpunimit dypalësh, ku ndër të tjera z. Meta kërkoi në emër të Qeverisë shqiptare shqyrtimin nga pala greke të vendimit për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve, si dhe realizimin e një marrëveshjeje në fushën e sigurimeve shoqërore, që do t’i shërbejë integrimit të mëtejshëm të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Gjatë takimit u ra dakort për mbledhjen në një kohë të shpejtë të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik, për të parë mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit në fusha me interes reciprok. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›