Edi Rama është sot kokë e këmbë në duart e mafias

Deklaron ministri i Brendshëm Lulzim Basha
Në kuvendin e Partisë Demokratike të Elbasanit ministri i Brendshëm Lulzim Basha, njëkohësisht deputet i këtij qarku, ka akuzuar kryesocialitin Rama se është i kapur nga mafia dhe se kjo mafie nuk po e lë Partinë Socialiste të hyjë në Kuvend. “Mafia e ka kapur Partinë Socialiste. Edi Rama sot është kokë e këmbë peng i mafias. Dhe në radhë të dytë Edi Rama është në duart e mafias. Në duart e mafias Edi Rama ka lëshuar edhe deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste”, u shpreh Basha.
Duke theksuar se Shqipëria gjendet në një moment të rëndësishëm të përafrimit me Bashkimin Europian, ministri Basha u bëri thirrje deputetëve të Partisë Socialiste që të heqin dorë nga bojkoti dhe të kthehen në kuvend. “Ju kolegë socialistë futuni në parlament, ejani në mejdanin evropian të dialogut politik dhe aty së bashku të ecim përpara për të mirën e të gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë pa viza dhe për përparimin tonë drejt integrimit të plotë Evropian”, deklaroi Basha.
Në Elbasan, ministri Basha theksoi vendosmërinë e qeverisë për të luftuar mafien në vend dhe ka garantuar se ligji antimafia i miratuar këtë javë në parlament nuk cënon liritë e individit. “Ligji anti mafia do të ketë një zbatim rigoroz të tij në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë si vend anëtarë i Konventës së të Drejtave të Njeriut, në përputhje me Jurisprudencën e Strasburgut. Ky ligji, një për një do të çmontojë pasurinë e mafias, e cila sot nuk është dhjetëra, as qindra, por miliarda euro dhe do të rikthejë atë si primitiv për shoqërinë shqiptare, do t’i heqë tabanin asaj dhe pastaj të shohim se sa të fortë e ka zërin dhe sa të fortë e ka kërcënimin, për demokracinë shqiptare, për qytetarët shqiptarë dhe për të ardhmen e familjeve të tyre”, nënvizoi Basha.
Ministri i Punëve të Brendshme ka nënvizuar edhe njëherë faktin se zgjedhjet e 28 qershorit ishin model dhe se për këtë arsye u certifikuan dhe u njohën nga organizmat ndërkombëtare.