E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kutitë nuk hapen, ka edhe një vendim gjykate për zgjedhjet”

Kryeministri Berisha, takim me të rinjtë e Forumit Rinor të Partive Popullore

Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaron edhe njëherë se kërkesat e opozitës për hapjen e kutive nuk do të merren në shqyrtim, porsa kohë ka një vendim gjykate për to. Gjatë një takimi me përfaqësues të Parlamentit Rinor Europian dhe të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha u ndal te situata aktuale politike në vend dhe komentoi kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit.
Duke theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit ishin procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, kryeministri u shpreh se, “kjo u faktua njëzëri nga monitoruesit ndërkombëtarë që shkruan në raportet e tyre se nuk kishte asnjë prove për manipulim të rezultatit, apo numërim të parregullt”. “Zgjedhjet plotësuan standardet kryesore të OSBE-së, por Kreu i PS-së nuk e pranon rezultatin. Ai po më kërkon të hapë kutitë për rinumërim, ka një vendim gjykate, ai shkoi në gjyq, dhe gjyqi vendosi, nuk mund të ketë rinumërim, pa kontestim. E thotë ligji që ka shkruar vetë. Për sa kohë që nuk ke asnjë kontestim, nuk mund të ketë rinumërim. Ai akuzoi komisionerët e tij për mungesë integriteti, kjo është hera e parë në jetën time, që dëgjoj një akuzë kolektive nga komisionerëve, ai nuk akuzoi komisionerët e mi, akuzoi komisionerët e tij. Ky është totalisht një interes personal dhe interesa të tjera të errëta  Unë ju siguroj se jam shumë i vendosur, shumë i angazhuar për votën e lirë, si zemrën e vërtetë të demokracisë. Unë jam shumë i vendosur të për të respektuar votën e shqiptarëve”, u shpreh kryeministri Berisha. Nga ana tjetër, duke u ndalur te integrimi europian, kreu i qeverisë u shpreh se 96 për qind e popullit shqiptar përkrah integrimin, duke theksuar se kjo përbën një forcë të jashtëzakonshme për qeverinë për të proceduar në rrugën e integrimit europian.
“Integrimi evropian për mua do të thotë një proces i bazuar mbi perfomancën. Shqipëria mund ti bashkohet BE-së dhe do ti bashkohet. Në 16 nëntor të këtij viti ministrat e vendeve të BE-së pranuan kërkesën tonë për tu pranuar si vend kandidat për anëtarësim i BE-së. Po interesi më i madh është që ky proces të bazohet mbi performancën. Shqipëria duhet të demonstrojë një demokraci funksionuese. Kur unë nisa të shkoja kundër regjimit totalitar, nuk ëndërroja të bëhesha politikan, nuk ëndërroja të bëhesha ministër apo kryeministër. Dëshiroja në radhë të parë lirinë e fjalës, dhe së dyti votën  e lirë”, tha Berisha.
Në vijim, shefi i ekzekutivit informoi se treguesi i kriminalitetit në këtë vend është më i ulëti se në të gjitha vendet e BE së bashku. Në këtë aspekt, kreu i qeverisë u ndal në miratimin e ligjit “antimafia” dy ditë më parë në Kuvend, i cili sipas tij “është i standardeve më të larta, një përzierje e ligjit italian dhe atij anglez”. “Të luftosh mafian nuk është një objektiv i lehtë për tu realizuar. Në muajt që vijnë ne do të shkojmë drejt një beteje të hekurt dhe do ta bëjmë Shqipërinë një prej vendeve më të sigurta në të gjithë Evropën”, tha kreu i qeverisë Berisha. I pyetur nga përfaqësuesit e Parlamentit Rinor Europian se çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria Bashkimit Europian, kreu i qeverisë u shpreh se “shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit, ndaj kultura dhe identiteti i tyre do ta pasurojë kulturën evropiane”. “Shqipëria, do t’i japë Europës dhe shembullin e tolerancës fetare”, tha më tej Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›