Edi Rama formaton koalicionin parazgjedhor të politikës së re me “adoleshentët” Skënder Gjinushi e Paskal Milo
TIRANE - “Bashkimi për ndryshim” është slogani zyrtar i koalicionit opozitar të drejtuar nga Partia Socialiste që u formësua dje zyrtarisht me anë të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit paraelektoral mes selisë rozë Partisë Socialdemokrate, Partisë Demokracia Sociale dhe G99-ës në sallën e amfiteatrit në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Në ceremoninë e prezantimit të këtij koalicioni “të politikës së re”, binte në sy “rioshët” Skënder Gjinushi e Paskal Milo, që duket se janë aq të rinj në politikë, sa mosha e aleatit tjetër Erjon Veliaj.
Pika kryesore e deklaratës së përbashkët të koalicionit është nevoja që ka shteti për të ndryshuar. Lideri i këtij koalicioni, kryetari i PS, Edi Rama tha se ky koalicion do t’i sjellë Shqipërisë ndryshimin e shumëpritur, duke e larguar nga politika e vjetër.
Për kreun socialdemokrat dje është nënshkruar akti i bashkimit që sipas tij do të jetë fitues në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke e konsideruar vendin larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Gjinushi tha se qeveria në pushtet nuk mund ta çojë vendin përpara. Ndërsa kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e hapi fjalën e tij duke theksuar se koalicioni i majtë nuk është vetëm një akt i madh politik që bashkon forcat politike por është një koalicion për të gjithë qytetarët.
Gjatë fjalës së tij, kreu i G99, Erjon Veliaj e ka konsideruar formimin e koalicionit të majtë si nisjen e një rrugëtimi i cili nuk mund të bëhet vetëm.
Në deklaratën e përbashkët të partive të majta, figuronte edhe partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut megjithatë kreu i saj Vangjel Dule mungoi dje në këtë eveniment. Mësohet se drejtues të lartë kanë zhvilluar dje disa takime të mbyllura megjithatë pa marrë ende një vendim të prerë se në cilin koalicion do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.