Dy komunave të rrethit të Fierit do t’u rikthehen pronat publike
Zëvendëskryeministri Genc Pollo takohet me banorë të komunave të Fierit
TIRANE - Zëvendëskryeministri Genc Pollo, njëkohësisht Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, deklaroi dje nga qyteti i Fierit se “në përputhje me ligjin, komunave Libofshë dhe Dermenas në rrethin e Fierit u janë rikthyer pronat publike, duke korrigjuar kështu padrejtësitë e kryera nga zyrtarët abuzues”. Zëvendëskryeministri Pollo, i cili drejton komisionin e ngarkuar për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të ndarë me ligjin 7501, deklaroi se “nxënësve të Libofshës do t’u rikthehet oborri i shkollës, i zaptuar prej më shumë se 10 vjetësh, ndërsa banorët e Dermenasit do të mund të ndërtojnë varrezën e fshatit, në truallin e planifikuar, që fatkeqësisht ishte zaptuar prej shumë kohësh”.
“Komisioni Vendor pranë Prefekturës Fier ka marrë vendimet e duhura, duke zbatuar ligjshmërinë, duke ndëshkuar zaptuesit dhe duke i bërë një shërbim të çmuar komuniteteve në Libofshë dhe në Dermenas. Dy rastet e Fierit janë ndër të parat, por vendime të ngjashme do të vijojnë dhe do të bëhen të njohura”, u shpreh zoti Pollo.
Duke pasur parasysh problemet e mëdha që kanë lindur nga çështja e pazgjidhur e tokave, Pollo deklaroi se “në këtë mënyrë do të korrigjohen padrejtësitë e kryera nga zyrtarë abuzues dhe nga privatë të panginjshëm”, tha Pollo.
Në këtë mënyrë sipas Zëvendëskryeministrit Pollo “i kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish- pronarëve”.