E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekipi i “Milan”-it, në Tiranë për miqësoren e luksit me një seleksion të Kombëtares së Shqipërisë


Rreth orës 11.45, ashtu siç ishte parashikuar, mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” skuadra e Milanit, e cila në orën 19:00 do të zhvillojë miqësoren e shumëpritur me kombëtaren shqiptare ne “Qemal Stafa”. Dhjetëra tifozë pritën në Rinas idhujt e tyre, megjithëse siguria rreth ekipit italian ka qenë mjaft e madhe. Skuadra e Milanit më pas u drejtua drejt Tiranës, e shoqëruar nga dhjetra makina tifozësh deri në mbërritjen e tyre në hotel ‘Sheratoni”, ku dhe u akomodua. Milani vjen kësaj radhe me më shumë yje: përveç Ronaldinjos, Maldinit, Sedorf, Inzagit e Shevçenkos, në stadiumin më të madh në vend do të zbresin edhe Kaka, Pato, Bekham, Pirlo, Gatuzo, Zambrota e Flamini. Të gjithë yjet e mësipërm janë pjesë e kontigjentit prej 21 futbollistësh të zyrtarizuar nga Milani vetëm pak orë përpara ndeshjes. Në orën 16:30 Kaka e Bekham do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetareve në një konference shtypi përkrah zv/presidentit Adriano Galiani dhe trajnerit Anceloti. Ndërkohë, përveç medias shqiptare, ky takim ka ngjallur interesim të madh edhe në median italiane, ku rreth 30 gazetarë italianë kanë shoqëruar skuadrën e tyre në Shqipëri. Një detaj interesant për ndeshjen e sotme Shqipëri - Milan është se kombëtarja shqiptare, e drejtuar nga Artan Bushati, do të zbresë në fushë me fanelën e bardhë me shirita të kuq, duke i lënë miqve nderin të veshin fanellën e tyre tradicionale kuq e zi.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›