CISG/ Konventa që do të lehtësojë biznesin shqiptar në tregtinë ndërkombëtare të mallrave

UNCITRAL, GTZ dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, prezantojnë në Tiranë, Konventën e Shitjes Ndërkombëtare të Mallrave (CISG)
Konventa e Kombeve të Bashkuara për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (CISG), e miratuar në mars të këtij viti edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, synon të lehtësojë biznesin shqiptar në tregtinë ndërkombëtare të mallrave. Përfaqësues nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Tregtinë Ndërkombëtare (UNCITRAL), GTZ , Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, gjatë një konference për shtyp, të organizuar sot në mjediset e Hotel "Tirana International", prezantuan zbatimin në praktikë të kësaj konvente, konteksin ligjor dhe ekonomik të saj si dhe përfitimet e biznesit shqiptar prej saj. Renaud Sorieul, Drejtor i Sekretariatit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Tregtinë Ndërkombëtare (UNCITRAL), tha se "CISG është konventa që shërben për të kapërcyer vështirësitë ligjore dhe për të hedhur themelet për përmirësimin e shitjes ndërkombëtare të mallrave, mes shumë shteteve në mbarë botën që kanë miratuar këtë Konventë". Sipas tij, kjo Konventë, e përgatitur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe e miratuar në vitin 1980, ka tani 73 vende anëtare, ku përfshihen edhe vendet e marrëveshjes CEFTA si edhe të gjithë partnerët e mëdhenj tregtarë të Shqipërisë (siç janë, Italia, Greqia, Kina, Gjermania). Së fundmi, Konventa është miratuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, fakt të cilin Sorieul, e vlerësoi si pjesë të përpjekjeve që ka ndërmarrë Shqipëria për përmirësimin e legjislacionit. Në këtë kuadër, tha ai, "Shqipëria po njihet si një vend që ka zbatuar ligjin modern të prokurimit publik, regjistrimit të biznesit si dhe ratifikimin e një sërë marrëveshjesh për zhvillimin e aktivitetin kombëtar dhe ndërkombëtar të biznesit". Kryetar i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, në fjalën e tij theksoi se "CISG është një mbështetje e madhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat nuk i kanë mundësitë të paguajnë tarifat e larta të juristëve dhe avokatëve apo të hartojnë kontrata. Rrjedhimisht, miratimi i konventës CISG nga një vend jep një ndihmesë të madhe për lehtësimin e transaksioneve ndërkombëtare dhe tërheqjen e tregtarëve të huaj në vend". Në konference u nënvizua fakti se, thelbi i konventës ka të bëjë me krijimin e kontratave dhe me të drejtat dhe detyrimet e blerësit dhe të shitësit: lëvrimi i mallit, dorëzimi i dokumenteve, shlyerja e pagesës. Konventa mbulon gjerësisht edhe shkeljen e kontratave dhe masat ligjore, që vihen në dispozicion për zhdëmtimin e palëve.
...