E Diel, 1 Nëntor 2026

PD përgënjeshtron mediat. Xhaferri: S'ka probleme me ODIHR, ftojmë vëzhguesit të asistojnë në katastrofën elektorale të Edi Ramës

Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri deklaroi për mediat se maxhoranca është e interesuar që në zgjedhjet e 28 qershorit të ketë sa më shumë vëzhgues. I pyetur nga gazetarët për një 'konflikt' mes misionit të vëzhguesve të ODIHR-t të ardhur së fundi në Tiranë dhe qeverisë shqiptare, deputeti Xhaferri u përgjigj se "nuk ka pasur asnjë lloj konflikti". “I vetmi deklarim i kreut të maxhorancës është që të kemi sa më shumë vëzhgues. Madje, ne do të këmbëngulim të kemi maksimumin e vëzhguesve, që nga kontinenti amerikan e deri tek ai europian. Të gjithë vëzhguesit janë të mirëpritur të shohin se si do të humbasë Edi Rama", tha Xhaferri në një prononcim për gazetarët. Më 8 maj, ODIHR, i kryesuar nga Ambasadorja Audrey Glover, nga Mbretëria e Bashkuar, nisi misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Misioni, i ftuar nga Ministria e Punëve të Jashme të Shqipërisë, do të vëzhgojë procesin zgjedhor, pa ndërhyrë në të.


Bosch: Misioni i ODIHR-it është autonom, s'ka probleme me qeverinë shqiptare


"ODIHR është një mision krejtësisht autonom", tha kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, në përgjigje të interesimit të medias. Z. Bosch pati një takim sot në mjediset e Kryesisë së Kuvendit me kryetaren e Grupit Parlamentar Socialist, Valentina Leskaj, në kuadër të publikimit të Ëebsitit të kryetares së këtij grupi. Pas këtij takimi, z. Bosch tha se është një mbështes i ODIHR-it, meqënëse ai bën pjesë brenda OSBE-së, dhe sipas tij, "të njëjtin qëndrim mbajnë të gjitha vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, ku përfshihet dhe Shqipëria”. Misioni i OSBE/ODIHR filloi disa ditë më parë misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai përbëhet nga 14 ekspertë ndërkombëtarë nga 10 shtete të ndryshme të vendosur në Tiranë dhe 26 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të dërgohen në të gjithë vendin. Përveç kësaj, ODIHR ka kërkuar edhe ardhjen e 400 vëzhguesve afatshkurtër për ditën e zgjedhjeve. Ambasadorja Audrey Glover nga Mbretëria e Bashkuar, e cila do të kryesojë misionin e OSBE/ODIHR në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për vendin tonë, u shpreh në konferencën për shtyp mbajtur me këtë rast, se "në këto momente Shqipëria ka shumë nevojë për standarde të larta në zgjedhje dhe shpresojmë që ato standarde që u arritën në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës të konsolidohen me zgjedhjet e qershorit".



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›